BB: Korrupsioni dhe ligji selektiv, frenojnë ekonominë
Sipas Mapo, 24 janar 2016
Banka Botërore deklaroi se ekonomia shqiptare po frenohet nga klima e vështirë e biznesit, korrupsioni masiv në sektorin publik dhe zbatimi selektiv i ligjit. Në një raport të publikuar vetëm pak ditë më parë, i cili analizon me hollësi ekonominë shqiptare, Banka vëren se pavarësisht përmirësimeve barra rregullatore mbi biznesin mbetet e madhe duke u pasqyruar, sipas saj, në ambientin mediokër të investimeve.
“Të përballesh me lejet e ndërtimit, inspektimet dhe regjistrimin e pronës në Shqipëri është shumë më e kushtueshme se sa në vendet e tjera të rajonit”,- thuhet në raport.
Por përveç kësaj, bizneset shqiptare goditen edhe nga korrupsioni i zyrtarëve.
“Bizneset dhe sipërmarrësit ankohen për zbatim selektiv të ligjit dhe burokraci të rënduar”- thotë Banka Botërore. Sipas saj, këta faktorë paraqesin pengesa serioze për biznesin dhe investimet.
Për këtë qëllim BB vëren se është e domosdoshme përmirësimi i klimës së biznesit, i cili do të ndihmojë në uljen e korrupsionit dhe informalitetit. Shqipëria mbetet në 30% të vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit në botë duke u renditur shumë më keq se sa vendet fqinje të rajonit.
Klima e biznesit
Vitin e kaluar renditja e Shqipërisë në klimën botërore të biznesit u përkeqësua me 35 vende, një nga rëniet më të mëdha historike. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është aktualisht vendi i vetëm në Europë që ka një klimë biznesi më të përkeqësuar se sa në vitin 2011, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit kanë reformuar ekonomitë e tyre duke e bërë më të lehtë të bërit biznes.
Rëndimi i klimës së biznesit i shoqëruar dhe me krizën e gjatë ekonomike ka rrudhur investimet në ekonomi. Sipas të dhënave zyrtare të FMN, nivelet 36% e Prodhimit Kombëtar që ishin në vitin 2010 aktualisht investimet totale në ekonominë shqiptare kanë rënë në rreth 26% e PBB.