Takimi i ministrave të Jashtëm: Të nxisim anëtarësimin e rajonit në BE
Forumi i Vjenës, Takimi i ministrave të Jashtëm, 27 gusht 2015
Samiti i Vjenës, ku marrin pjesë Kryeministrat nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, ka nisur punimet me një takim të ministrave të Jashtëm nga vendet e rajonit. Në këtë takim është diskutuar mbi “mosmarrveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor drejt rrugës së anëtarësimit”.
Kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati tha se një nga temat që u la si detyrë do të ishte dhe shqyrtimi i një mekanizmi lehtësues përsa u përket çështjeve të hapura, mosmarrëveshjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mosmarrëveshjeve ekzistuese mes vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kanë rezultuar një pengesë sa i përket procesit të integrimit europian dhe mbi të gjitha sa i përket transformimit të rajonit.
“Paneli diskutoi mbi një studim të punuar nga një grup ekspertësh dhe gjithashtu do të dilet me një deklaratë të përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit që zotohen për të mos penguar dhe për të ndihmuar njëra-tjetrën në procesin e integrimit europian dhe për t’i mbajtur sa më larg mosmarrëveshjet dypalëshe në tryezën e procesit të integrimit europian”, tha Bushati.
Sipas tij, vendet kanë arritur një marrëveshje për të mos penguar njëra-tjetrën në procesin e integrimit dhe vitin e ardhshëm, gjatë samitit që do të zhvillohet në Paris, do të paraqitet një raport progresi mbi tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kriza e refugjatëve që synojnë Europën ka dominuar takimin e ministrave të Jashtëm nga vendet e Ballkanit në Samitin e Vienës. Shpresojmë që Europa, theksoi ai, do të mund të gjejë një zgjidhje për krizën e refugjatëve. Kurz lëshoi kritika për vendet e BE-së kur tha: “Ne duhet të jemi kritikë me veten, pasi është turp kur vende anëtare të BE-së po lejojnë që mijëra refugjatë të qëndrojnë në vendet jo anëtare të BE-së”.
Ndërsa homologu i tij gjerman, Frank Walter Steinmeier, duke folur për rajonin e Ballkanit, u shpreh se “nuk duhet të harrojmë përse ne nisëm procesin e Berlinit, për t’i dhënë shtytje pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për të zgjidhur konfliktet në këtë rajon”. (Fjala e plotë e ministrit të Jashtëm gjerman)
Duke u ndalur në krizën e refugjatëve, ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier u shpreh se “ne duhet të arrijmë një marrëveshje për shpërndarjen e refugjatëve”.
Komisioneri Hahn u tha ministrave të jashtëm të Ballkanit se “të 28 vendet anëtare të BE-së duhet të punojnë bashkë. Ato vende të cilat nuk janë prekur nga kriza e refugjatëve nuk duhet të qëndrojnë indiferentë, pasi në muajt në vijim të tjera vende do të preken nga kjo krizë”.
Nga Samiti i Vjenës, komisioneri Hahn paralajmëroi çeljen e negociatave për anëtarësim me Serbinë. Ai deklaroi në këtë samit se “atmosfera është e atillë që shumë shpejt zyrtarisht të nisim çeljen e negociatave me Serbinë, pasi Beogradi dhe Prishtina kanë bërë hapa përpara, duke tejkaluar problemet e dekadave të shkuara”.
Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, deklaroi se “bashkëpunimi rajonal duhet të jetë më i fokusuar në gjithëpërfshirjen dhe të mundësojë një bashkëpunim më eficent nëpërmjet mekanizmave që mundësojnë dhënien e një vlere të shtuar”.
Më tëj, Bushati është ndalur në çështjet bilaterale, për të cilat tha: “Të tilla çështje në të shkuarën kanë ngadalësuar ose kanë penguar procesin e anëtarësimit, duke vënë në dyshim besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e këtij procesi. Për të shmangur të gjitha paqartësitë është e domosdoshme që trajtimi i çështjeve bilaterale të bëhet në fazë të hershme, duke kombinuar mekanizmat e zgjidhjes me instrumente nxitës, duke përfshirë instrumente mbështetës për zhvillimin ekonomik”.