EBRD: Raporti i Tranzicionit 2014, vlerësim pozitiv për Reformat në Shqipëri
EBRD, tetor 2014. Teksti i plotë kliko këtu
Shqipëria renditet e para ndër vendet e tranzicionit për reformat strukturore të kryera gjatë këtij viti sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Raporti i Tranzicionit për vitin 2014, ka nxjerrë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë, përsa i përket reformave në teknologjinë e informacionit, agrobiznes, industri, pasuri të patundshme, në energjinë e qëndrueshme, transportin urban dhe sistemin bankar.
Sektorë të tillë si hekurudha, tregu i sigurimeve dhe tregjet e kapitalit janë paraqitur më dobët, me një vlerësim numër 1, nga 4 + që është maksimalja. Vlerësimi 1 përfaqëson ndryshim pak ose aspak në krahasim me një ekonomi të ngurtë, dhe 4+ përfaqëson standardet e një ekonomie tregu. Vendet e tjera të Rajonit, si Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bullgaria dhe Rumania paraqiten shumë më dobët se Shqipëria.
BERZH thekson se, arritje të mëtejshme në lidhje me klimën e biznesit janë të nevojshme për Shqipërinë. Edhe pse përpjekjet për përmirësimin e klimës së biznesit janë të rëndësishme, autoritetet duhet të vazhdojnë me reformat në fushat ku Shqipëria paraqitet me rezultatet më të dobëta, të tilla si energjia elektrike, ato që kanë të bëjnë me lejet dhe pagimin e taksave.
“Problemet e sektorit të energjisë duhet të trajtohen fuqishëm. Pas zgjidhjes së një mosmarrëveshje me një investitor të madh, sektori ka një nevojë të madhe për investime, të kombinuara me reforma të orientuara nga ana tregtare për të reduktuar humbjet e buxhetit financiar”, thuhet në raport.
“Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të reduktuar kreditë me probleme. Pavarësisht përmirësimeve legjislative, niveli i kredive me probleme, mbetet ndër më të lartat në rajon. Një qasje gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar nga qeveria, banka dhe bankat lokale, është e nevojshme për të ndihmuar në zbutjen e problemit”, vijon raporti.