Merkel: Ballkani ka perspektivë të qartë në BE
Ballkani, 7 qershor 2014
Kancelaria gjermane, Angela Merkel, vlerësoi se vendet e Ballkanit perëndimor kanë një perspektivë të qartë për të hyrë në BE, ndonëse rruga e tyre do të jetë e gjatë, në një komunikatë të publikuar sot.
“Ne e mbështesim aderimin e tyre. Shumë thjesht, ne besojmë se ne nuk fitojmë asgjë nëse kriteret nuk respektohen. Dhe ka kritere shumë të qarta për etapat e afrimit drejt BE-së”, the Merkel, që do të presë të mërkurën në Berlin kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Kritere të qarta, respektim i traktateve, atëherë perspektiva e Ballkanit perëndimor është e qartë”, deklaroi Merkel.
“Në fund të gushtit qeveria gjermane ka ftuar të gjitha vendet e Ballkanit në një konferencë në Berlin dhe Gjermania do të angazhohet fuqishëm për këtë rajon”, vazhdoi Merkel.
Kancelaria vlerësoi progresin e bërë nga Serbia për sa i përket marrëdhënieve me Kosovën. Merkel pranoi se “kishte dyshuar tre vite më parë, por tashmë vërejmë progres real”.
Pas Greqisë në vitin 1981, Sllovenisë në vitin 2004, Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe Kroacisë në vitin 2013, mbeten ende gjashtë vende të tjera ballkanike që ende nuk kanë aderuar në BE, sikurse janë Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova.