Menaxhimi i integruar i kufijve, Rama: Përmirësojmë bashkëpunimin institucional
6 maj 2014
Është prezantuar ditën e sotme strategjia “Menaxhimi i integruar i Kufijve” për vitet 2014-2012.
Në fjalën e tij në konferencën e organizuar me këtë rast në hotel ‘Rogner’, ministri i brendshëm Sajmir Tahiri theksoi se kjo strategji, e cila sipas tij nuk do të mbetet vetëm në letër, detyron 17 institucione që të kryejnë çdo hap për informimin kufitar, duke bërë të mundur jo vetëm ruajtjen e kufirit, por edhe shkëmbimet tregtare çka do të sjellë zhvillim.
“Plani i veprimit nuk është katalog, por pasqyron detyrat dhe problemet. Strategjia nuk rrezikon të mbetet në letër, dhe as të pasurojë bibliotekën e strategjive. Për këtë arsye është konceptuar si një dokument me detyra shtëpie, me një plan konkret, për të mbikëqyrur kufirin”, – tha Tahiri.
Nga ana e tij kryeministri i vendit, Edi Rama vuri në dukje se rëndësia e kësaj strategjie është primare dhe domosdoshmëri për funksionimin e shtetit.
Kreu i qeverisë garantoi se do të përmirësohet bashkëpunimi institucional në mënyrë që të garantohet menaxhimi i kufijve.
“Nëse synojmë që me këtë të bashkërendojmë punën mes 17 institucineve të ndryshme, deri me sot puna është zhvilluar në mënyrë të pavarur mes institucioneve në kuptimin më të keq të fjalës, duke u bërë çdo institucion fraksion abuzimi që çoi në dezintegrimin e shtetit në këtë hapësirë. Jemi trashëgimtare të një situate të rënduar, me radarë që nuk punojnë e marrëdhënie që nuk funksionojnë, me autoritete që abuzojnë me detyrën dhe të drejtën për të kontrolluar marrëdhëniet e ngritura mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës”, – tha Rama.
Rama theksoi se kufiri është sfidë për t’u kapërcyer nga një kufi që ekziston për sipërmarrësit, në një hapësirë garancish për qytetarët dhe në vijë të pakapërcyeshme për abuzuesit dhe kriminelët.