Financat, tre skenarë për ecurinë e ekonomisë deri më 2017
Nga Blerina Hoxha, botuar në Mapo Online, 4 shkurt 2014
Tre skenarët e parashikuar për ecurinë e ekonomisë në tri vitet në vijim nuk na nxjerrin dot nga ‘gropa’. Ministria e Financave publikoi dje Programin Ekonomik dhe Fiskal për vitin 2014, ku ka parashikuar se çfarë do të ndodhë me rritjen ekonomike dhe si do të ndikojë kjo rritje në treguesit e tjerë fiskalë dhe buxhetorë deri në vitin 2017. Në rastin më të mirë, rritja ekonomike do të jetë në 3.5 për qind këtë vit dhe në rastin më të keq, 0.4 %.
Skenari bazë
Ajo që pritet të ndodhë sipas skenarit bazë, tashmë është bërë publike nëpërmjet buxhetit 2014. Me këtë parashikim pritet që ekonomia të rritet me 2.1 për qind. Të ardhurat në buxhet të arrijnë në 364 miliardë lekë ose në 25.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe deficiti fiskal të arrijë në 91 miliardë lekë ose 6.7 për qind e PBB. Ndërsa borxhi publik sipas këtij skenari pritet të arrijë në 72.1 për qind e PBB-së. Mirëpo ky skenar rrezikon të mos realizohet, duke marrë në konsideratë zhvillimet e tanishme në ekonominë vendase. Në tremujorin e tretë të vitit 2013, për herë të parë ekonomia shënoi rënie në nivelin -2.1%, ndërsa këtë tremujor pritet që rritja në rastin më të mirë të jetë zero. Kjo ecuri nuk ishte parashikuar nga ekspertët, duke bërë që rritja ekonomike për vitin që shkoi të mos rezultojë më shumë se 0.7 për qind. Mirëpo rritja në këto nivele i vështirëson së tepërmi mundësitë për të gjeneruar të ardhurat e pritshme këtë vit e për rrjedhojë edhe treguesit e deficitit dhe borxhit.
Skenari pesimist
Në skenarin pesimist, që ka shumë gjasa të ndodhë duke iu referuar zhvillimeve aktuale, ekonomia nuk pritet të rritet më shumë se 0.4 për qind. Në këto kushte, të ardhurat buxhetore do të bien me 13 miliardë lekë në raport me parashikimin bazë që është edhe plani buxhetor i këtij viti. Me këto zhvillime, deficiti pritet të zgjerohet në -98.5 miliardë lekë nga -91 miliardë lekë që është parashikuar aktualisht. Ndërsa borxhi publik pritet të arrijë në 73.9 për qind të PBB. Nëse nuk realizohen masat e qeverisë për të ringjallur ekonominë nëpërmjet shlyerjes së borxheve dhe reformave strukturore, ka më shumë gjasa që ekonomia të jetë më afër skenarit pesimist sesa skenarit bazë.
Skenari optimist
Në këtë skenar, ekonomia pritet të rritet me ritme 3.5 % dhe të ardhurat në buxhet të arrijnë në 369 miliardë lekë ose në 25.7 për qind të PBB. Në këtë skenar me shans të vogël ndodhjeje, deficiti buxhetor shkon në 98 miliardë lekë dhe borxhi publik në 70.9 për qind të PBB-së. Ministria e Financave në parashikimet e saj vlerëson se rreziqet negative dhe pozitive që rrethojnë zhvillimet bazë agro-ekonomike dhe fiskale vlerësohet të jenë të balancuara. Sipas ekspertëve të Canit, skenari bazë vlerësohet të ketë një shans relativisht të lartë për t’u materializuar. Megjithatë, parashikimi i skenarëve alternativë supozon se një pjesë e rreziqeve mund të ndodhin. Skenari pesimist merr në konsideratë disa devijime nga skenari bazë, të cilat kushtëzohen nga kreditimi i ekonomisë, ecuria në eurozonë, ecuria e eksporteve, dërgesat e emigrantëve etj.
Rritja ekonomike, borxhi, të ardhurat dhe deficiti sipas tre skenarëve
2014 2015 2016
Rritja e GDP
Skenari bazë 2.1% 3.3% 4.2%
Pesimist 0.4% 1.1% 2.4%
Optimist 3.5 % 4.5% 5.2%
Të ardhurat në % me PBB
Skenari bazë 25.7% 26.0% 26.5%
Pesimist 25.2 % 25.5% 26.0%
Optimist 25.7% 26.0% 26.5%
Deficiti në miliardë lekë
Skenari bazë -91.7 -72.3 -54.9
Pesimist -98.5 -83.4 -70.6
Optimist -89.1 -67.3 -47.1
Borxhi Publik
Skenari bazë 72.1% 71.7% 69.2%
Pesimist 73.9% 75.8% 75.4%
Optimist 70.9% 69.4% 65.8%