Refoma për konsolidimin e pushtetit gjyqësor
Ardian Dvorani, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
1. Në fillim të viteve ‘90 ne trashëguam nga regjimi komunist një system gjyqësor të politizuar, i cili nuk njihte nocionet e demokracisë dhe të shtetit ligjor, me një prapambetje të thellë në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve, në infrastrukturë, teknologji dhe legjislacion. Ndërsa sot as që bëhet më krahasim me fillimet e demokracisë, sepse mendojmë që ka vend për të evidentuar dhe krahasuar progresin e sistemit të drejtësisë edhe me pak vite më parë. Arritjet e shënuara, të cilat, për shkak të kohës së shkurtër që po përjetojmë në një sistem demokratik, vetëm 15-vjeçar, ndoshta meritojnë një vlerësim shumë më te madh se sa ajo që çmohet padrejtësisht nga burime dhe kahje të ndryshme.
Vit pas viti, institucionet e drejtësisë po japin prova dhe shpresë se ato mund të përballojnë situata, ku atyre u kërkohet të mbajnë qëndrim parimor, pa u ndikuar nga presionet e kujtdo, në interes të sistemit demokratik dhe të shtetit ligjor që sanksionon Kushtetuta, një provë kjo e hapave të mëtejshëm drejt arritjes së standardeve për një pushtet gjyqësor të pavarur, me integritet, të besueshëm dhe në shërbim të dhënies së drejtësisë së barabartë për të gjithë.
Por, nga ana tjetër, është krejt e natyrshme dhe i mirëpritur që, me zhvillimin dhe rritjen e standardeve të demokracisë e të shtetit ligjor, përfshirë edhe ato të gjyqësorit, qytetarët të presin dhe të kërkojnë më shumë nga pushteti gjyqësor, si garanti i vetëm për kërkimin nga cilido të së drejtës dhe mbrojtjen nga shpërdorimet me to.
2. Shtylla të organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor
Pjesë e misionit dhe e besimit të çdo gjyqtari është dhënia drejtësi, pa asnjë dallim, për cilindo, mbështetur vetëm në ligj, të pakërcënuar dhe të pandikuar në çdo mënyrë. Për këtë nevojitet që gjyqësori të ketë: Pavarësi, përgjegjshmëri, integritet dhe profesionalizëm.
Pavarësia: Pavarësia e pushtetit gjyqësor është një parim, e një e drejtë universale e njeriut. Pavarësia e pushtetit gjyqësor garanton që individët e fuqishëm dhe të pushtetshëm t’i nënshtrohen njëlloj si të tjerët ligjit. Duke dhënë drejtësi, është misioni i pushtetit gjyqësor të thotë fjalën e fundit dhe, në këtë mënyrë, të modelojë e të garantojë sjelljen e atyre që qeverisin, si dhe të atyre që qeverisen. Prandaj gjyqësori duhet të jetë i lirë për të kufizuar prirjen e natyrshme të qeverisjes për sundim dhe për ta bërë atë realisht të përgjegjshme, sipas ligjit, përpara atyre që qeverisen prej tyre. Rikujtojmë një shprehje të njohur të Lordit Acton, e cila përmendet shpesh, por në këndvështrime të ndryshme, edhe tek në vitet e fundit: “Pushteti tenton të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”. Deduksioni më i rëndësishëm i kësaj sentence të famshme është se, për parandalimin dhe kufizimin efektiv të ushtrimit të parregullt e shpërdorues të pushtetit, gjyqtarët duhet të jenë të mbrojtur dhe të garantuar nga çfarëdo ndikim i atyre që mund të ndërhyjnë në ecurinë normale të karrierës së gjyqtarit, që mund t’i transferojnë, t’i ndëshkojnë ose t’i largojnë nga detyra, për shkak të vendimeve të dhëna prej tyre. Prandaj, nevoja për konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit nuk është në dobi vetëm të gjyqtarëve, por të të gjithë qytetarëve. Në këtë kontekst vlen të rikujtojmë edhe një nga sentencat e njohura të George Washington-it, i cili deklaronte: “Një administrim i vërtetë i drejtësisë është shtylla më kryesore e një mirëqeverisjeje”.
Integriteti dhe Profesionalizmi: Nëse pavarësia është jetike për ekzistencën dhe funksionimin e gjyqësorit, në një këndvështrim tjetër, profesionalizmi dhe integriteti janë ata që të gjithë presin dhe kërkojnë nga çdo gjyqtar dhe gjyqësori në tërësi. Arritja dhe konsolidimi i këtij objektivi është sfidë dhe motiv nxitës për gjyqësorin shqiptar, ashtu sikurse ka qenë dhe mbetet e tillë edhe në vendet perëndimore. Prandaj dhe nevoja e interesi për formim profesional dhe përgjegjshmëri nga ana e gjyqësorit, meriton të zërë vend të posaçëm në punën tonë. Ne gjithmonë jemi shprehur qartë se korrupsioni në gjyqësor ekziston dhe në vendin tonë, ai është më i përhapur dhe shqetësues sesa në vendet perëndimore. Nëse një gjyqtar i nënshtrohet ndikimeve politike ose presioneve të çdo lloji, nëse një gjyqtar mund të blihet me para ose qoftë edhe me dhurata e favore, të drejtat e kujtdo janë të shkelura dhe të kërcënuara nga padrejtësia, shpërdorimi e krimi, kjo për shkak se gjyqësori është i vetmi mjet, institucion, i cili garanton mbrojtjen e të drejtave të gjithsecilit prej nesh.
Besueshmëria dhe Transparenca: Në vijim, përveçse i pavarur, profesional dhe me integritet, pushteti gjyqësor duhet të jetë edhe i besueshëm. Për këtë nevojitet që ai të ushtrojë misionin e tij në transparencë të plotë kundrejt publikut. Që nga çasti që palët i janë drejtuar gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, çështja nuk është më thjesht private, por ka edhe interes publik, sepse ajo i është besuar pushtetit të deleguar gjykatës nga shoqëria. Prandaj kjo e fundit ka të drejtën të ndjekë procedurat, të njihet me vendimin e dhënë dhe arsyet ku ai është mbështetur. Përgjegjësia për artikulimin, për arsyetimin e vendimit përbën thelbin e gjykimit dhe të dhënies së drejtësisë. Ndaj edhe mbetet ende një sfidë për të ardhmen përmirësimi i cilësisë në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, stabilizimi dhe unifikimi i praktikës gjyqësore, si dhe çështjet lidhur me publikimin e tyre.
Roli i medias dhe shoqërisë civile: Në çdo rast dhe pavarësisht nga shkalla e zbatimit të standardeve, vetëm një numër i kufizuar i publikut ka kontakte të drejtpërdrejta me gjykatën. Prandaj, qëndrimi dhe perceptimi i publikut mbi gjyqtarët e gjyqësorin, në një masë të madhe formësohet nga media dhe shoqëria civile, nga objektiviteti dhe aftësia e tyre për të kuptuar veprimtarinë e gjyqësorit, procedurat dhe vendimet e dhëna prej tij, nga ndërtimi, jo thjesht për efekte kronikash, por edhe për informim dhe edukim ligjor të rubrikave të shtypit ose të programacionit të medias elektronike. Nga ana tjetër, lidhur me këto çështje, vetë gjyqësori duhet të tregojë interes dhe të ofrojë aktivisht informacion të shumëllojshëm për publikun lidhur me misionin dhe veprimtarinë e tij, aksesin në gjykata dhe shpjegimin e pozitës e të procedurave që ndiqen prej tyre në gjykimin e çështjeve.
3. Raportet me pushtetet e tjera
Shpesh flitet për raporte jonormale ose të tensionuara ndërmjet politikës dhe pushtetit gjyqësor. Jemi të mendimit se problematika e këtyre raporteve, për aq sa ekziston, duhet të trajtohet dhe të gjenden zgjidhjet nëpërmjet restaurimit apo normalizimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale, respektimit të përgjegjësive të ndërsjella të çdo pushteti, pranimit të sfidave të përbashkëta dhe nxitjes së kontributit të domosdoshëm te njëri-tjetri, në funksion të forcimit të sistemit demokratik, shtetit juridik dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.
Ky vullnet dhe angazhim kërkon që edhe te ne të gjejë vend qëndrimi e vështrimi parimor, largpamës, maturia, ekuilibri dhe respekti i ndërsjellë për institucionet e përgjegjësitë që ushtrojnë ato. Asnjë pushteti, institucioni nuk mund t’i ngarkohet, veçmas përgjegjësia për problemet që kalon sot vendi, asnjë nga pushtetet apo institucionet nuk mund t’i atribuojë vetvetes arritjet e derisotme. Po kështu, asnjëri prej tyre, veçmas, nuk duhet dhe nuk mund të marrë përsipër përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të një pushteti tjetër ose, në rastin më të keq, pozitën e kujdestarit e të shpëtimtarit te institucioneve të tjera. Arritjet dhe problemet me të cilat përballemi janë sfida të përbashkëta. Kjo filozofi, mbi të cilën bazohen demokracitë e përparuara përbën një imperativ që, edhe te ne, të veprohet në këtë mënyrë, sepse vetëm në këtë mënyrë parandalohen dhe dekurajohen presione e tensione të natyrave të tjera që burojnë nga jeta e përditshme, nga grupime ekonomike dhe pse jo, nga krimi, e në veçanti ai i organizuar.
Me këtë rast, kërkojmë të mirëkuptohemi, se qëndrimi ynë ka të bëjë vetëm me mbrojtjen dhe konsolidimin e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, me garantimin e dhënies së vendimeve të drejta e të mbështetura në ligj dhe, në asnjë rast, nuk kërkojmë të mbrojmë individë nga radhët e gjyqësorit, të cilët, duke shkelur ligjin, etikën gjyqësore, dëmtojnë dhe ndikojnë negativisht në misionin e posaçëm që ka pushteti gjyqësor. Në këtë drejtim, shumica e gjyqtarëve, të cilët punojnë me përkushtim, shpesh në kushte shumë të vështira, për të kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, është më e interesuar se kushdo tjetër, edhe se pushtetet e tjera, që të pastrojë veten nga individë që venë interesat e tyre mbi interest e drejtësisë.
Prandaj duhet të gjejmë mekanizmat që vetë pushteti gjyqësor të jetë më aktiv për të spastruar vetveten, të jetë më i interesuar se sot dhe të ftohet për t’u bërë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në reformat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, e besueshmërisë dhe të imazhit të tij në publik. Nga ana tjetër, konsiderimi i procesit të reformimit të gjyqësorit dhe luftës kundër dukurive negative që vërehen në veprimtarinë e tij, si një domen i pushteteve ose institucioneve të tjera, mendojmë se jo vetëm që është i gabuar, por e sjell Konferencën Kombëtare Gjyqësore në qëndrimin e saj se, nuk duhet të rrijë në pritje dhe as të kërkojë përkrahje partizane ose qëndrime voluntariste e subjektive, të cilat janë po aq të rrezikshme, nga cilido krah i politikës që të vijnë. Pra, ne nuk kërkojmë as mbrojtje dhe as sulme të padrejta, të ndërtuara ose bazuara në mënyrë të njëanshme, duke e vënë pushtetin gjyqësor ose duke tentuar ta bëjnë atë pjesë të politikave dhe përfitimeve që rrjedhin prej tyre. Është në interes të të gjithëve që pushteti gjyqësor të mbetet jashtë luftës politike dhe t’i jepet mundësia atij që të konsolidohet si një pushtet i pavarur, i paanshëm dhe profesional.
4. Inspektimi dhe procedimi disiplinor
Po të parashtrojmë një çështje tjetër, gjithnjë të debatueshme, që kërkon zgjidhje sa më parë, e cila reflektohet edhe nga qëndrime kritike e rekomandime konkrete të partnereve tanë ndërkombëtarë, për të cilën, Konferenca Gjyqësore Kombëtare ka mbajtur një qëndrim konstant kritik, duke kërkuar ndryshimin e gjendjes. Sipas ligjeve në fuqi, por jo si një detyrim ose masë për përqasjen me Kushtetutën, Ministria e Drejtësisë, me ligj, ka fituar autoritet dhe kompetenca gati të pakufizuara e ekskluzive për të kryer inspektime dhe procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve, jo thjesht për çështje administrative, por edhe për gjykimet e vendimet e dhëna prej tyre.
Pa dyshim, ushtrimi i atributeve inspektuese dhe proceduese nga Ministri i Drejtësisë është i lidhur me detyrimin e tij, për të zbatuar legjislacionin në fuqi dhe nuk mund të mohohet se, në këtë mënyrë, kjo hallkë e ekzekutivit është përpjekur të japë një ndihmesë në parandalimin dhe ndëshkimin e gjyqtarëve që nuk kanë respektuar ligjin. Por, nga ana tjetër, nevojitet reflektim dhe t’i bëhen ndryshime sa më parë këtij sistemi, nisur nga fakti se ky atribut që i është dhënë ekzekutivit, edhe nëse çmohet se nuk i lejohet, nuk është ndonjë prerogativë, detyrim kushtetues. Këtu dallon Kushtetuta jonë nga ato franceze ose italiane të marra si model, të cilat, në mënyrë të shprehur, i njohin ministrit një kompetence
të tillë. Pra, ajo që shtrojmë për diskutim sot dhe që gjykojmë se duhet të ndryshojë është fakti se kuadri aktual ligjor e institucional, në vend që të zgjidhë problemet, ka shtuar të tjera dhe rezultati që duket, me gjithë vullnetet e përpjekjet e institucioneve përgjegjëse, është mossuksesi i dukshëm i sistemit aktual të procedimit disiplinor të gjyqtarëve, situatë para së cilës jo vetëm është e kotë, por edhe e dëmshme të vazhdohet e të këmbëngulet për ta mbajtur ende më këmbë.
Nga ajo që mund të vërejmë në këto pesë vitet e fundit, për të reflektuar në mënyrë konstruktive, shtrojmë disa pyetje retorike:
A mund të quhet i suksesshëm një sistem procedimi disiplinor kur, me gjithë numrin shumë të madh të procedimeve dhe vendimeve për masa disiplinore deri në ato të skajshme, përsëri besueshmëria dhe integriteti i sistemit gjyqësor mbetet i pakënaqshëm?
A mund të quhet i suksesshëm një sistem i tillë kur, në rrethanat konkrete ligjore, institucionale dhe praktike, inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë nuk arrin, në vazhdimësi, të përmbushe kriteret për një përbërje me nivel shumë të lartë dhe me integritet të padiskutueshëm inspektorësh, që janë apo duhet të vijnë vetëm nga gjyqësori, të aftë që të identifikojnë me objektivitet e profesionalizëm dhe të përgatisin argumente të mjaftueshme për shkelje vërtet serioze e jo thjesht sipërfaqësore të gjyqtarëve që procedohen?
Në vijim, pavarësisht nga vullneti i mirë, nisur edhe nga shkalla e pamjaftueshme e pjekurisë, e konsolidimit dhe ekuilibrit të pushteteve, e etikës dhe e mendësisë politike në Shqipëri, a mund të pohohet se ushtrimi i inspektimit nga Ministria e Drejtësisë i është shmangur veprimeve ose krijimit të perceptimit se ky inspektim nuk ka garantuar e nuk ka qenë, në kohë e shkallë të ndryshme, selektiv dhe i pandikuar politikisht?
Në rrethana të tilla, a mund t’i shërbejë një sistem i tillë kontrolli mbi gjyqësorin garantimit dhe forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësorit, paanshmërisë, pra, edhe mosndikimit familjar, moral, material e politik të gjyqtarëve nga ata individë apo grupe që kanë pushtet politik, ekonomik dhe mediatik?
Në fund të fundit, për shkak të marrëdhënieve të ndryshme juridike që zhvillohen në shtet e shoqëri, a nuk është edhe ekzekutivi palë e interesuar për zgjidhjen e çështjes në favorin e saj? A mund të mohohet dhe të shmanget ndikimi i qëllimshëm apo i tërthortë i ekzekutivit në zgjidhjen e çështjes e, si rrjedhim, edhe në gjykimet e tjera të tashme e të ardhshme të gjyqtarëve që i gjykojnë ato? Po në rastet kur nëpërmjet pushtetit dhe kompetencave që ushtrojnë funksionarë politikë apo persona të mbështetur nga politika përpiqen të shfrytëzojnë pushtetin që ata kanë për zgjidhjen e çështjes në favor të ekzekutivit dhe jo të individit, apo më keq, në favor të interesave të tyre vetjake të një grupimi të caktuar?
Sa më sipër, nuk janë thjesht situata hipotetike, ndonëse edhe ato kanë vlerën e tyre në shërbim të një kauze të drejtë. Ato janë situata që përvoja ndërkombëtare i ka evidentuar dhe vërtetuar me kohë, prandaj edhe me kohë kanë marrë masa për parandalimin dhe goditjen e tyre. Në vendet me standarde demokratike të konsoliduara, nuk është vetëm ligji, por edhe morali dhe etika, që jo vetëm nuk të lejon, por edhe të dënon e të nxjerr përfundimisht jashtë lojë, për tentativën më të vogël të ndërhyrjes ose të ndikimit të papërshtatshëm në punët e pushtetit gjyqësor. Madje, dihet për shtete të tilla të njohura për standarde demokratike, ndonëse në pakicë, ku ekzekutivi ka kompetenca të posaçme të drejtpërdrejta ndaj gjyqësorit, hetimit ose gjykimit, por që mbeten të tilla formalisht dhe nuk mbahet mend një rast i vetëm që ato të jenë ushtruar prej tyre.
Sistemi ynë aktual ligjor parashikon dy inspektorate, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me ndarje të paqartë, të pabarabartë të kompetencave e përgjegjësive, madje të disfavorshme kundrejt institucionit të natyrshëm të procedimit dhe gjykimit disiplinor, Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një skemë e tillë ligjore e institucionale ngjan ose është marrë nga përvoja e disa vendeve me demokraci dhe përvojë qindravjeçare në këto çështje, ndonëse dita-ditës po rezulton se janë transpozuar dhe zbatuar në mënyrë jokorrekte, dhe aq më shumë në një vend si i yni, pa përvojë dhe me pushtete e institucione ende të pakonsoliduara.
Si përfundim, gjykojmë se është jo vetëm legjitim, por edhe e pashmangshme vërejtja dhe përfundimi se ky sistem ligjor dhe institucional nuk ofron garanci për pavarësinë dhe integritetin e pushtetit gjyqësor, prandaj nevojiten ndryshime. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare, veçanërisht me Komisionin e Etikës, duhet të reflektojnë dhe të konsolidohen, t’u jepen kompetencat dhe të marrin mbi vete përgjegjësitë e plota kushtetuese dhe ligjore lidhur me përzgjedhjen, karrierën, procedimin e masat disiplinore ndaj gjyqtarëve. Ushtrimi i përgjegjësive të natyrshme nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do ta bënte imperativ korrigjimin e mekanizmave, të filtrave dhe të transparences lidhur me mandatin, përzgjedhjen e kandidaturave, konkurrimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të tij, si nga ana e ligjvënësit, ashtu edhe nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, për të sjellë në këtë institucion njerëz me nivel të lartë profesional, me reputacion, përvojë dhe integritet të padiskutueshëm në bashkësinë juridike dhe më gjerë. Të njëjtat standarde të përzgjedhjes, por edhe të trajtimit financiar e të karrierës, duhet t’i nënshtrohen edhe inspektorët e këtij Këshilli. Këto ndryshime do të kërkonin edhe një konceptim të ri të përgjegjësive dhe, pse jo, të angazhimeve të drejtpërdrejta të anëtarëve të Këshillit, në çështjet dhe procedurat konkrete të lidhura me emërimet, promovimet e procedimet disiplinore. Njëkohësisht, nevojitet të qartësohen në ligj dhe rregullore kriteret, metodikat dhe procedurat e verifikimit, të inspektimit dhe të procedimit disiplinor, në mënyrë të tillë që ato të mos ndërhyjnë ose të mos ndikojnë në pavarësinë e gjyqtarit në zgjidhjen e çështjes, të mbështetur në ligjin dhe bindjen e tij juridike, pa trajtuar dhe ngatërruar me këtë proces vendimet që ende nuk kanë marrë formë të prerë ose që nuk janë cenuar nga gjykatat më të larta.
5. Qëndrimi ndaj akuzave dhe sulmeve të pabazuara ndaj gjyqtarëve
Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare, përveçse vetëpërmbajtjes në reagime, duhet të jenë edhe më të vëmendshëm në mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, në rastet jo të pakta të akuzave e sulmeve të pabazuara dhe të pamotivuara ndaj gjyqtarit dhe, për pasojë, të rrezikshme për shkak edhe të prejardhjes së tyre. Vendimet gjyqësore janë publike; ato edhe mund të kritikohen, por kushdo që ka një qëndrim të tillë kritik nuk duhet t’i shtojë atij konsiderata e thirrje deligjitimuese për gjyqtarin.
Nëse nuk është vendi ose nuk çmohet të bëhen vlerësime pozitive, ajo që kërkojmë është thjesht respektimi i gjyqtarit. në këtë pikë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare, sikurse veprojnë shpesh simotrat e tyre në perëndim, kanë të drejtën dhe detyrimin për të mbajtur qëndrim publik, sepse duke mbrojtur ndershmërinë dhe integritetin e gjyqtarit e të gjyqësorit, mbrojnë njëkohësisht edhe pavarësinë e tyre. E gjitha kjo edhe për faktin se, për shkak të sulmeve të tilla të pamotivuara dhe të papërshtatshme, nuk përjashtohet mundësia që gjyqtarë të veçantë të tërhiqen, të dorëzohen ose të reagojnë në mënyrë të papërshtatshme. Pikërisht, në rrethana të tilla, vihet në lojë jo vetëm pavarësia, por edhe paanshmëria dhe kthjelltësia e gjykimit, ekuilibri dhe qëndrueshmëria e institucioneve.
6. Ndikimet e papërshtatshme brenda pushtetit gjyqësor. Nevoja për forcimin e vetëqeverisjes së gjyqësorit nga vetë gjyqtarët i rëndësishëm është edhe trajtimi i çështjes së ndikimit të papërshtatshëm mbi gjyqtarin nga brenda vetë pushtetit gjyqësor. Sikurse çështjet e tjera që po parashtrojmë, edhe kjo e fundit gjen mishërim konkret në nenin 6 të Deklaratës Universale për Pavarësinë e Gjyqësorit. Sipas këtij parimi universal, duhet të gjejmë rregullime më te detajuara dhe të qarta që të garantojnë çlirimin e gjyqtarëve nga çdo ndikim, urdhër a udhëzim, formal ose jo, që mund t’i drejtohet nga kolegë të tjerë ose nga kryetari i seksionit, kolegjit ose gjykatës, për çështje që nuk kanë natyrë administrative, por lidhen me ushtrimin e funksioneve procedurale e gjyqësore të gjyqtarit.
Në këtë kontekst, jemi të mendimit se ndërsa është i rëndësishëm roli i kryetarit të gjykatës në administrimin e punëve të saj, ku përfshihen edhe disa elemente mbikëqyrjeje e përgjegjësie për çështje administrative mbi gjyqtarët, nga ana tjetër, duhet të bëjmë kujdes që ato të mos jenë të tilla që të ndikojnë në pavarësinë e gjykimit të gjyqtarit. Këto elemente mungojnë në legjislacionin tonë, madje edhe në nismën e fundit të Qeverisë për organizimin gjyqësor. Këto elemente nuk gjejnë vend, por i kushtohet vëmendje pozitës dhe kompetencës së kryetarit të gjykatës, me rregulla, të cilat, në një pjesë të tyre, janë jo vetëm të diskutueshme, por edhe në tërësinë e tyre i gjejmë me një peshë specifike të ekzagjeruar dhe më të hollësishme se sa duhet, vështruar kjo edhe në raport me qëllimin dhe çështjet që duhet të rregullojë ky ligj.
Në stadin aktual të reformës gjyqësore, problemi i vetëm me të cilin përballemi nuk është ai i drejtimit të gjykatës. Ajo që na shqetëson është situata aktuale në të cilën gjyqtarët pak ndiejnë dhe shfaqen të interesuar për misionin, gjykatën dhe sistemin e tyre, ende pak ata i ndiejnë dhe reagojnë ndaj situatave të vështira me të cilat duhet të përballet gjyqësori, gjykata ose kolegë të tyre, ende shumë pak të interesuar ata janë për stimulimin në karrierë të kolegëve që e meritojnë dhe për frenimin e atyre që nuk janë të tillë ose nuk mund t’i përfaqësojnë e drejtojnë denjësisht, ose që dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e tyre në publik.
Për këto arsye, ndërkohë që na mungon tradita dhe rregullat, edhe projektligji nuk ka parashikuar asgjë lidhur me rëndësinë vendimtare që ka nxitja e interesimit, pjesëmarrja aktive dhe marrja e përgjegjësive për çështje të miradministrimit të gjykatës nga vetë kolektivi i gjyqtarëve dhe secili prej tyre individualisht. Lidhur me rolin e çdo gjyqtari për mbarëvajtjen e punëve të gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe posaçërisht Konferenca Gjyqësore Kombëtare ka një rol vendimtar, çka përbën edhe një nga sfidat kryesore të tyre për konsolidimin e institucionit dhe të vetë sistemit gjyqësor.
Por, nga ana tjetër, Konferenca Gjyqësore nuk mund të zëvendësojë strukturat dhe mekanizmat që na mungojnë në nivel gjykate për çështjet e administrimit, të karrierës, promovimeve, procedimeve disiplinore, vlerësimeve profesionale etj., të cilave u nënshtrohen gjyqtarët. Ky mekanizëm mund të jetë në formën e një organizmi kolegjial, të një këshilli gjyqësor, me përbërje një grup të zgjedhur nga vetë gjyqtarët e gjykatës mbi kritere të qarta dhe transparente. Madje në veprimtarinë e këtyre këshillave, mund të ftohen për çështje të caktuara edhe përfaqësues nga strukturat drejtuese e përfaqësuese të dhomës së avokatisë dhe profesioneve të tjera juridike.
7. Rëndësia e njohjes dhe e zbatimit të Kodit të Etikës
Kodi i Etikës Gjyqësore, i miratuar prej kohësh nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare përmban rregulla, zbatimi i të cilave ka rëndësi vendimtare për ruajtjen e integritetit dhe përcaktimin e sjelljeve dhe të qëndrimeve të lejueshme ose të ndaluara të gjyqtarit në funksion të ushtrimit të detyrës së tij. Ato i shërbejnë jo vetëm gjyqtarit në përmbushjen e detyrës me profesionalizëm dhe integritet, por edhe publikut, për të njohur atë se çfarë ata presin nga veprimtaria dhe sjellja e gjyqtarëve.
Zbatimi i rregullave të etikës është i vështirë dhe kompleks, situatat ne të cilat gjendet gjyqtari gjatë ushtrimit të funksionit të tij janë të paparashikueshme. Prandaj përbën domosdoshmëri zhvillimi dhe detajimi i rregullave të etikës gjyqësore, trajtimi i tyre me përparësi dhe në vazhdimësi në veprimtaritë për formimin fillestar dhe vazhdues profesional të gjyqtarëve. Përvoja tregon, dhe kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, se jo çdo jurist i mire mund të bëhet e të meritojë të mbetet gjyqtar. Vlen të theksohet se zhvillimi i rregullave të etikës gjyqësore duhet të bëhet nëpërmjet gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive të gjyqtarëve dhe aspak i imponuar nga faktorë jashtë gjyqësorit.
8. Karriera
Legjislacioni aktual për pushtetin gjyqësor dhe ligje të tjera na ofrojnë disa parime dhe rregulla bazë që lidhen me karrierën gjyqësore. Megjithatë gjykojmë se ende jemi larg vendosjes së një sistemi të qëndrueshëm, profesional dhe transparent për emërimet, promovimet, ngritjen në detyrë të gjyqtarëve sipas parimeve të senjorisë, pra, vjetërsisë në detyrë, të kombinuar dhe atë të meritave vetjake në ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët. Janë joproduktive dhe aspak nxitëse skemat aktuale të karrierës, ku gjyqtarët me gjithë kalimin e viteve në detyrë, praktikisht trajtohen financiarisht në mënyrë të barabartë mes tyre, ku promovimet dhe ngritjet në detyra gjyqësore e drejtuese nuk mbështeten në kritere të detajuara, objektive, me bazë kryesore në gradën e arritur në karrierë, të kombinuar me aftësitë dhe meritat e veçanta në ushtrimin e detyrës.
Këto mangësi e bëjnë sistemin tonë të karrierës të paqëndrueshëm, aspak motivues, si dhe vulnerabël ndaj shpërdorimeve, konfliktit të interesave dhe korrupsionit për shkak të patronazhit nga grupime të caktuara brenda ose jashtë gjyqësorit, ose të ndikimit të politikës. Jemi të mendimit se nuk po gjen vëmendje e mirëkuptim kërkesa jonë për një pagë dhe trajtim financiar të garantuar, të paprekshëm dhe adekuat të gjyqtarit dhe të familjes se tij, gjatë detyrës dhe pas daljes në pension, fushë në të cilën përsëri statistikat ndërkombëtare ende e vendosin gjyqësorin shqiptar, edhe krahasuar me vende të ngjashme me ne, në një pozicion aspak të kënaqshëm e të pamerituar. Problematike dhe që kërkon masa e zgjidhje konkrete janë edhe mangësitë ligjore dhe moszbatimi efektiv i masave për sigurinë vetjake dhe të pasurisë së gjyqtarëve.
9. Buxheti
Ndihmesa më e madhe e gjyqësorit është paqëtimi i individëve, shtresave të, ndryshme te shoqërisë dhe parandalimi e zgjidhja e konflikteve, çka ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit e, rrjedhimisht, më uljen e ndjeshme të kostos për të përballuar problemet lidhur me to. Por, jemi dëshmitarë se politikëbërësit janë të fokusuar në nisma nga më të ndryshmet. Prej tyre flitet edhe për drejtësinë, por në të vërtetë rezultantja e këtyre politikave është se gjyqësori mund të presë në radhën e gjatë të problemeve tona të tjera ende të pazgjidhura.
Në ndryshim nga standardet, rekomandimet dhe detyrimet që ka marrë përsipër, por në ndryshim edhe nga vendet ballkanike sikurse ne në rrugën e integrimit në BE, sipas statistikave të Komisionit Europian për Efiçiencën e Gjyqësorit, me të dhëna deri në vitin 2004, përqindja dhe treguesit e tjerë që zë buxheti i pushtetit gjyqësor në buxhetin vjetor të shtetit na vendosin në pozicionet e fundit, si një nga vendet më pak të fokusuara për mbështetjen me buxhet të pushtetit gjyqësor. Kjo përqindje nuk ka parë ndonjë rritje të dukshme në vitin 2005, ndërkohë që në vitin 2006 ka pësuar një ulje të ndjeshme, ndërsa për vitin 2007 parashikimet janë pak më lart, por larg edhe atyre të vitit 2004.
Duhet pranuar dhe duhen vlerësuar politikat e ekzekutivit se ka gjithnjë vend për të reflektuar lidhur me përdorimin me nikoqirllëk të burimeve tona të kufizuara. Por kjo nuk mendojmë se është një argument për të shkurtuar buxhetin e gjyqësorit, ndërkohë që ai mund të orientohej drejt investimeve në infrastrukturën e tij etj., ku ende kemi mangësi të shumta krahasuar me detyrimet ligjore dhe standardet që duhet të zbatojmë. Në fund të fundit, praktika europiane ka vërtetuar se në shumë shtete mospërmbushja e kërkesave për buxhet të gjyqësorit, pa vënë në diskutim pastaj uljen e tij, janë trajtuar si çështje në kapërcim të kushtetutshmërisë për shkak të kualifikimit si cenime të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në këtë kontekst edhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor ka vend të konsolidohet lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë që duhet të ketë administratori i një buxheti të pavarur, si dhe për të rritur kapacitetet e saj programuese dhe zbatuese për buxhetin.