Bilanci i reformës në drejtësi
Nga Florian Kalaja, botuar në Panorama, 19 maj 2017
Ndryshimet kushtetuese të votuara me unanimitetin e pazakontë të 140 deputetëve në datën 21-22 korrik 2016 kanë hyrë në fuqi me datë 11 gusht 2016. Kjo duhet të ishte data kur reforma në sistemin e Drejtësisë, e premtuar por e munguar që nga formimi i shtetit shqiptar, do të niste zbatimin. Jemi në muajin maj të vitit 2017 dhe deri më sot zbatimi i saj është bërë vetëm duke miratuar ligje, nga të cilat disa janë shfuqizuar, disa janë kthyer për t’u ribërë në Kuvend dhe disa të tjera mund të shfuqizohen. Një pjesë tjetër e ligjeve janë në fuqi, por nuk janë zbatuar.
Pjesa e mbetur po zbatohet nga organet e vjetra, që duhet të ishin suprimuar tashmë. Kushtetuta e ndryshuar parashikon krijimin nga e para të organeve që do të realizojnë procesin e vetingut. Për këtë proces është parashikuar të krijohet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit apo, thënë ndryshe, Gjykata e Shkallës së Parë disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorë, Kolegji i Apelimit, apo thënë ndryshe gjykata e apelit disiplinore, komisionerët publikë, thënë ndryshe prokurorët disiplinorë, dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (në vijim OMN), thënë ndryshe organi ndërkombëtar i monitorimit të procesit të vetingut.
Ligji i vetingut ka hyrë në fuqi më datë 07 tetor 2016 dhe, sipas afateve kushtetuese e ligjore, të gjitha organet e përmendura më lart do të duhet të ishin krijuar jo më larg se 145 ditë nga hyrja në fuqi. Sipas këtyre dispozitave, maksimumi më datë 01 mars 2017 duhet të kishin filluar veprimtarinë organet e vetingut. Sakaq konkludohet se edhe zotimi kushtetues edhe zotimi ligjor nuk është respektuar. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (në vijim KED) sipas Kushtetutës parashikohej të krijohej maksimumi deri më datë 26 Gusht 2016 dhe se anëtarët e parë do të kishin mandat deri më datë 31 dhjetor 2016.
Më tej, ndryshimet kushtetuese kanë parashikuar se anëtarët e KED do t’i nënshtrohen menjëherë procesit të vetingut. Fakt është që KED u krijua më datë 27.01.2017 dhe asnjë nga anëtarët e tij nuk i është nënshtruar prej më shumë se 4 muaj procesit të vetingut, pasi ende nuk është krijuar asnjë nga organet e vetingut. Edhe këto zotime kushtetuese dhe ligjore nuk janë respektuar. Kushtetuta e ndryshuar ka parashikuar që në vend të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të krijohet Këshilli i Lartë Gjyqësor (në vijim KLGJ).
Sipas Kushtetutës, KLGJ duhet të ishte krijuar brenda 8 muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, thënë ndryshe jo më larg se data 11 prill 2017. Kusht për krijimin e KLGJ është që anëtarët gjyqtarë dhe jogjyqtarë të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut. Zotimi kushtetues dhe ligjor nuk është respektuar. Kushtetuta e ndryshuar ka parashikuar se do të krijohet për herë të parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (në vijim KLP), organ i cili duhet të ishte krijuar brenda 8 muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë se jo më larg se data 11 prill 2017.
Kusht për krijimin e KLP është që anëtarët prokurorë dhe joprokurorë të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut. Zotimi kushtetues dhe ligjor nuk është respektuar. Kushtetuta e ndryshuar ka parashikuar se Inspektori i Lartë i Drejtësisë (në vijim ILD) do të emërohej brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të thotë se sipas kohës kushtetuese ky institucion i ri do të duhet të ishte konstituuar jo më larg se data 11.02.2017. Në dispozitat tranzitore të Kushtetutës është parashikuar se ILD, deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më datë 11.08.2016 dhe jo më larg sesa data 01.09.2017, do të zgjidhet me 2/3 e Kuvendit.
Më tej ky funksionar kushtetues do të zgjidhet me 3/5 e Kuvendit. Kjo mënyrë sezonale e hartimit të Kushtetutës erdhi si pasojë e një marrëveshjeje të vështirë të forcave politike, me qëllimin që konstituimi i këtij funksionari kushtetues me mandat 9- vjeçar të bëhej me gjithëpërfshirje. Edhe ky zotim kushtetues dhe ligjor është shkelur, duke u humbur me të edhe mundësia e konstituimit të ILD me gjithëpërfshirje prej 2/3 e deputetëve.
Ndryshimet kushtetuese kanë parashikuar se Gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda do të shkrihen dhe se në vendin e tyre do të krijohen gjykatat e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se në të njëjtën kohë dhe transferimi i çështjeve të tyre do të rregullohet me ligj. Këto ndryshime kushtetuese kanë parashikuar se Gjykata e posaçme e Shkallës së Parë te ajo e apelit do të krijohet dy muaj pas krijimit të KLGJ.
Duke pasur parasysh se KLGJ duhet të krijohej jo më larg se data 11.04.2017, konkludohet se gjykatat e posaçme duhet të krijoheshin jo më larg sesa data 11.06.2017. Edhe ky afat dhe zotim kushtetues është i destinuar të mos mbahet me sigurinë e shkeljes së të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore të lartrenditura. Ndryshimet kushtetuese kanë parashikuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pushojë së funksionuari kur të krijohet prokuroria e posaçme dhe se transferimi i çështjeve do të bëhet sipas ligjit. Këto ndryshime kushtetuese kanë parashikuar se prokuroria e posaçme do të krijohet dy muaj pas krijimit të KLP.
Duke pasur parasysh se KLP duhet të krijohej jo më larg se data 11.04.2017, konkludohet se prokuroria e posaçme duhet të krijohej jo më larg sesa data 11.06.2017. Edhe ky afat e zotim kushtetues është i destinuar të mos mbahet me sigurinë e shkeljes së të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore të lartrenditura. Në dispozitat tranzitore të Kushtetutës është parashikuar se Prokurori i Përgjithshëm, deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më datë 11.08.2016 dhe jo më larg sesa data 01.09.2017, do të zgjidhet me 2/3 e Kuvendit.
Më tej, ky institucion do të zgjidhet me 3/5 e Kuvendit. Kjo mënyrë sezonale e hartimit të Kushtetutës erdhi si pasojë e një marrëveshjeje të vështirë të forcave politike, me qëllimin që konstituimi i këtij funksionari kushtetues me mandat 7- vjeçar të bëhej me gjithëpërfshirje. Me siguri konkludohet se mundësia e konstituimit të Prokurorit të Përgjithshëm me gjithëpërfshirje prej 2/3 e deputetëve është humbur tashmë.
Kështu, bilanci i shtetformimit modern në shekullin XXI në Shqipëri është i tillë ku Kushtetuta dhe ligji shqiptar janë respektuar vetëm nga ndërkombëtarët, pasi i vetmi organ kushtetues i krijuar sipas afateve të kuadrit ligjor shqiptar është OMN, pikërisht i vetmi organ që nuk krijohet nga shqiptarët, por krijimin e tij shqiptarët ua kanë besuar ndërkombëtarëve. Asnjë institucion shqiptar i ri nuk është krijuar sipas afateve dhe se asnjë dispozitë kushtetuese e ligjore për krijimin e tyre nuk është respektuar nga shqiptarët.
Nga ky shembull duket se aftësia e formimit të shtetit të së drejtës për shqiptarët është një sfidë moderne e vështirë dhe e vetmja shpresë që të ndodhë diçka mbeten ndërkombëtarët. Në kushtet kur çdo afat kushtetues dhe ligjor është humbur e është shkelur tashmë, duket se reforma në sistemin e Drejtësisë, Kushtetuta e ndryshuar dhe ligjet e miratuara po jetojnë në kohën ideale, e cila është vrarë, dhe në kohën fizike, e cila po i vret dita-ditës. Asnjë nga dispozitat e Kushtetutës dhe të ligjeve të miratuara rishtazi nuk është zbatuar ashtu sikurse është shkruar. Ky bilanc nuk është ogur i mirë i reformës në sistemin e Drejtësisë.
E kur koha kushtetuese dhe ligjore dyzohet dhe nuk përputhet më me kohën fizike, atëherë askush nuk di më të parashikojë me siguri se çfarë do të ndodhë me reformën në sistemin e Drejtësisë në të ardhmen. Askush nuk mundet të parashikojë më se kur do të zbatohet reforma në sistemin e Drejtësisë, në kushtet kur Kushtetuta dhe ligji dështuan me parashikimet e tyre. E kur as Kushtetuta dhe as ligji nuk mjafton për të detyruar funksionarët shtetërorë të binden, kush mundet t’i bindë ato? Në shtetin e së drejtës nuk mund të ketë asnjë mekanizëm tjetër bindjeje.
Ndërkohë që në shtetin tonë duket se ka e se mekanizma të tillë bindjeje tregojnë çdo ditë që janë edhe mbi Kushtetutën, edhe mbi ligjin. Sot bilanci i reformës në Drejtësi, i afateve kushtetuese dhe ligjore ngjan me një bilanc lufte, ku të vrarët janë të gjitha dispozitat që parashikonin afate dhe detyronin vendimmarrësit më të lartë të Republikës të zbatonin ato çka ato vetë vendosën.
Nesër, pa forcën e dispozitave kushtetuese dhe ligjore tashmë të vdekura, presim të gjithë që të nisë zbatimin reforma në sistemin e Drejtësisë. Sytë dhe shpresa e të gjithëve tashmë nuk mbështetet në Kushtetutë dhe ligj, por në vullnetin e atyre që janë mbi to dhe që si të tillë bëjnë të mundur lëvizjen e ingranazheve të shtetit.