KE miratoi sot rekomandimin për të hapur negociatat për Kosovën dhe Serbinë
BRUKSEL, 22 prill 2013. Komisioni Evropian miratoi sot rekomandimin për vendet anëtare për hapjen e negociatave për Marrëveshjen për MSA-në me Kosovën, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule sot prezantuan para ministrave të jashtëm të BE-së, rekomandimet pozitive për Kosovën dhe Serbinë, si dhe marrëveshjen e arritur në dialogun e Brukselit.
“Duke parë progresin e arritur, Komisioni i rekomandoi vendeve anëtare të BE-së çështjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe me Serbinë për anëtarësimin në BE. Kosova dhe Serbia dëshmuan se mund të fokusohen tek e ardhmja në vend që të mbeten në kurthin e së kaluarës dhe rekomandimet e sotme janë të qarta: të dyja Serbia dhe Kosova, meritojnë të lëvizin vendosmërisht drejt prespektivës evropiane”,- tha Stefan Fule.
Në raportin e KE-së, për Serbinë vlerësohen hapat e dukshme që qeveria ka bërë në marrëdhëniet me Kosovën. “Serbia ka bërë hapa konkrete në lehtësimin e dialogut me Kosovën si dhe ka përmbushur kriteret politike dhe kushtet e MSA. Do vijojmë të monitorojmë zhvillimet në Serbi”, thuhet ndër të tjerra në raport. Ndërkohë, sa i takon Kosovës, raporti i Komisionit Evropian nënvizon hapat domethënëse dhe konstruktive që vendi ka bërë në lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimi i mirë me EULEX. “Kosova dëshmoi përpjekjet e saj kundër krimit e korrupsionit dhe bashkëpunim të mirë me EULEX. Kosova hapa domethënëse në marrëdhëniet me Serbinë dhe në lehtësimin e dialogut”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se marrëveshja e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovès dhe Serbisë duhet të zbatohet nga të dyja palët. Kuvendi i Kosovës mbrëmë miratoi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, që ishte një nga kushtet për të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave për MSA-së. Qeveria serbe, në një mbledhje të saj me dyer të mbyllura, i hapi sot dritën jeshile marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Qeveria e Serbisë dhe e Kosovës më 19 prill nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian arritën marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve 14 vjet pas përfundimit të luftës dhe pesë vjet pas pavarësisë së shpallur nga Kosova.