KE rekomandoi sot që Këshilli Europian t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat
Bruksel, 10 tetor 2012
Komisioni Europian rekomandoi sot që Këshilli Europian t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, gjatë prezantimit që i bëri para mediave raportit të progresit për Shqipërinë vlerësoi se vendi ka bërë progres të dukshëm në përmbushjen e reformave themelore dhe se dialogu politik është përmirësuar në masë të konsiderueshme.
Por Komisioni rekomandon për Shqipërinë statusin e vendit kandidat, me kusht që të ketë reforma të tjera në Drejtësi dhe sa i përket Parlamentit. Komisioni beson se një pjesë e mirë e prioriteteve është zbatuar, por duhen përpjekje të tjera sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Rekomandimi i Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat shqyrtohet dhe miratohet nga organi më i lartë vendim-marrës i BE, Këshilli Europian, i përbërë nga krerët e qeverive apo shteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Takimi më i afërt i Këshillit Europian ështe ai i dhjetorit 2012. Duke qene se rekomandimi i Komisionit për dhënien e statusit është në varësi të përfundimit nga Shqipëria të disa masave si p.sh. rishikimi i rregullores së Kuvendit, Komisioni do t’i raportoje Këshillit sapo progresi i kërkuar të jetë arritur. Kësisoj vendimi përfundimtar i Këshillit për dhënien e statusit, pritet të merret kur Komisioni të ketë raportuar marrjen e masave të mbetura nga Shqipëria.