Politikat Arsimore
Sistemi arsimor kombëtar shërben, si sektor shërbimi, që të pajisë qytetarët e ardhshëm shqiptarë me njohuritë e nevojshme, me aftësitë e shkathtësitë e mjaftueshme, të edukuar dhe të përkushtuar për të realizuar planin kombëtar ekonomik e zhvillimor të vendit. Ky sistem, duke synuar plotësimin e nevojave kombëtare të tregut të punës dhe aspiratat social-kulturore të popullit, paraqitet si kushtëzues për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Zhvillimi i çdo vendi kalon detyrimisht përmes vlerësimit të burimeve të tij njërzore. Përmbushja e objektivave afatmesme e afatgjata për rritjen e qëndrueshme ekonomike, reduktimin e varfërisë dhe zgjidhjen e problematikave sociale kërkon, në radhë të parë, reformimin e sistemit arsimor, si mbështetja reale për realizimin e nismave qeveritare. Në këtë kuadër hartimi i politikave arsimore dhe kryerja e reformave në këtë sektor jetësor të shoqërisë merr një rëndësi të veçantë për çdo qeveri.