Digjitalizimi i shërbimeve publike

Shërbimet digjitale publike përkufizohen si dhënie shërbimesh brenda administratës shtetërore dhe midis kësaj të fundit dhe publikut, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë

Shërbimet digjitale publike përkufizohen si dhënie shërbimesh brenda administratës shtetërore dhe midis kësaj të fundit dhe publikut, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë

Shërbimet digjitale publike (të quajtura edhe “e-government”) përkufizohen si dhënie shërbimesh brenda administratës shtetërore dhe midis kësaj të fundit dhe publikut, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Shembuj të shërbimeve digjitale publike përfshijnë, pa u kufizuar: dorëzimin e deklaratave tatimore, aplikimin për përditësime, deklarime veprimesh juridike përkatëse (qira, etj.), rifreskim kartelash, etj., në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme, etj., marrja e lejeve të punës e qëndrimit, etj., nëpërmjet mediumit virtual.

Shumica e përftimeve të publikut dhe të qeverisë qendrore e vendore / administratave publike nga shërbimet publike digjitale tashmë janë të njohura: akses më të mirë të publikut në shërbimet publike, në të dhëna publike dhe informacion zyrtar, etj., si dhe ulje të kostove administrative, promovimi i shërbimeve të personalizuara, rritja e transparencës ndaj publikut, përmirësimi i eficiencës së mirëfunksionimit të administratës publike, etj.

Ne po përjetojmë një kohë kur shumë vende e kanë prioritet digjitalizimin e shërbimeve publike. Vendet nordike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendet më të digjitalizuara në botë, ndërkohë që Koreja e Jugut dhe Danimarka janë vendet më të digjitalizuara në shërbimet publike (2023 OECD Digital Government Index).

Edhe në Shqipëri duket se është prioritet i Qeverisë Shqiptare rritja dhe përmirësimi i digjitalizimit të shërbimeve publike.

Por, krahas rritjes dhe përmirësimit të digjitalizimit të shërbimeve publike, aktorët, përdoruesit / përfituesit, etj., të përfshirë duhet të kenë kuptim të qartë mbi raportin e shërbimeve publike të digjitalizuara me legjislacionin e zbatueshëm në tërësi e, në veçanti, me legjislacionin administrativ procedural.

Legjislacioni

Të gjithë duhet të kuptojmë se ligjet e posaçme që parashikojnë shprehimisht mbi opsionin e përdorimit të sistemeve, regjistrave, etj., online të të dhënave, platformave online, etj., janë ligje me shumë elemente procedurale dhe, si të tilla, duhet të mundësojnë që zbatimi i përdorimit të këtyre sistemeve digjitale të mundësojë shërbimin publik e procedurat përkatëse, brenda standardeve, afateve, etj., siç do të mundësohej e siç kërkohet ligjërisht nëpërmjet procedurës klasike të komunikimit formal zyrtar me “letër” të përdoruesit të administratës publike dhe kësaj të fundit, duke shmangur kështu që vendimet administrative, etj., përkatëse të komunikuara online te përfituesi të jenë të cenueshme e subjekt i pavlefshmërisë, për shkak të mungesës së zbatimit të procedurës ligjore, etj.

Në lidhje me këtë, çdo përdorues i sistemeve online, duhet të mbajë në vëmendje që procedurat e ndjekura online, ose aktet administrative të marra online, etj., duhet t’i krahasojë me dispozitat ligjore përkatëse, për të siguruar që një miratim, akt, etj., administrativ është i ligjshëm dhe nuk ka defekte që e bëjnë të cenueshëm.

Përgjigje të tilla, si për shembull “është print nga sistemi”, etj., ndërkohë që ka mospërputhje midis asaj që siguron një sistem online me atë që shkruhet në legjislacion, nuk duhen pranuar si të ligjshme dhe të pacenueshme nëse nuk është bërë testi me dispozitat ligjore e procedurat përkatëse siç shkruaj në këtë paragraf.

Rekomandimet

Për të siguruar që të mos këtë mospërputhje midis sistemeve digjitale që mundësojnë procedura e shërbime publike dhe legjislacionit përkatës e, në fund të fundit, të përfitojmë efektivisht nga të mirat e e-government, duhet të sigurohen të paktën si më poshtë:

Së pari, të gjitha platformat, sistemet, etj., digjitale duhet të ndërtohen në përputhje të plotë me legjislacionin, në mënyrë që të realizohet zbatimi efektiv i ligjit dhe përfitimi nga digjitalizimi i shërbimeve publike përkatëse.

Për ta ilustruar, nëse legjislacioni parashikon disa regjime ligjore mbi posedimin e tokës, të gjitha këto regjime ligjore duhet të jenë të pasqyruara të gjitha në mënyrë të shprehur dhe në vendin e duhur (në qelizat e duhura) në regjistrin përkatës publik online (në këtë rast të ASHK), në mënyrë që regjistrimi i kërkuar nga dispozitat përkatëse ligjore të jetë i plotë dhe regjistrimi i kryer të mos jetojë me defekte që do të përbënin potencial për pavlefshmërinë e regjistrimit përkatës në regjistrin publik.

Së dyti, platformat, sistemet, etj., digjitale duhet të përditësohen sipas kërkesave ligjore përkatëse, siç parashikohet në legjislacion për efekte të periodicitetit të përditësimit, apo për informacione të caktuara që duhen përditësuar, etj., në mënyrë që të mos kemi abuzime / detyrime të panevojshme mbi përdoruesit e sistemeve apo humbje për shtetin shqiptar (siç mund të këtë pasojë rasti).

Si shembull, në këtë rast, vlen të përmendet që, nëse legjislacioni parashikon shprehimisht detyrimin për publikimin dhe përditësimin e normës së interesit që aplikohet për llogaritjen e kamatëvonesës që zbatohet mbi detyrimet tatimore, atëherë kryerja e këtij përditësimi është shumë i rëndësishëm pasi moskryerja e këtij përditësimi mund të shoqërohet me detyrime të tepërta të jashtëligjshme për tatimpaguesin, ose me humbje për administratën tatimore.

Së treti, platformat, sistemet, etj., digjitale duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që të lënë gjurmë për çdo veprim të kryer në sistem (si ngarkime në apo heqje të dokumenteve nga sistemet online, etj.) me kohën e saktë të kryerjes së tyre (datë, orë dhe minutë) dhe çdo veprim i kryer në sistem duhet të ketë mundësinë të dokumentohet sa herë që mund të kërkohet (të sigurohen printime të besueshme.

Nëse nuk krijohet ky tipar në sistemet online, kjo lë vend për abuzime të administratës ndaj përfituesve të shërbimeve publike (shtetas e persona juridikë).

Tashmë, defektet ekzistuese zgjidhen nëpërmjet përdorimit të shërbimeve noteriale, por ky shërbim është i kushtueshëm dhe do të ishte i panevojshëm, nëse vetë sistemet ndërtohen me besueshmëri ligjore siç shkruhet më sipër e siç kërkohet nga standardet ligjore.

Së katërti, përdorimi i platformave, etj., për të siguruar shërbime publike duhet të jetë alternativa kryesore dhe të bëhen përpjekje maksimale e investime teknike, që të mundësohet mirëfunksionimi i tyre pa ndërprerje.

Krahas kësaj, duhet të mundësohet nga pikëpamja ligjore që, në rast se kemi mosfunksionim të sistemeve, platformave, etj., online, procedura të vazhdojë nëpërmjet procedurave zyrtare “në letër” që publiku (hedhjet në sistemet digjitale përkatëse të bëhen pas rregullimeve teknike nga vetë administrata përkatëse) të mos këtë asnjë humbje nga defektet apo mosfunksionimet e sistemeve digjitale e që procedurat administrative të mos pezullohen, pasi çdo pezullim është me kosto për këdo që kërkon shërbim publik (pa kundërshtuar sa më sipër, edhe pezullimet administrative nga mosfunksionimet e sistemeve digjitale duhet të parashikohen shprehimisht në ligj).

Të gjitha në këtë shkrim, e të tjera përkatëse të pashkruara këtu, shpresoj të vlejnë si sugjerime për përmirësimin e shërbimeve publike digjitale, për të marrë efektivisht përfitimet nga e-government, për përmirësimin e parametrave të zbatimit të ligjit dhe rritjen e sigurisë juridike të përdoruesve të sistemeve digjitale në Shqipëri, përfshirë shtetas individë dhe persona juridikë / biznese./ Revista “Monitor”

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi