Politikën mund ta (ri)themelojnë vetëm elitat

Nga Ndue Dedaj, botuar në Panorama, 28 shtator 2023

1. Në Shqipëri mund të ndodhë çdo gjë kur është fjala për politikën, pasi ajo është monopol vetëm i dy-tre individëve, krerëve të PS, PD, PL, të tjerët poshtë tyre s’pipëtijnë, vetëm presin nëse shefi përkatës do t’ua zgjasë dorën apo jo. Këta njerëz që kanë dalë në krye, kanë “reformuar” sa herë kanë dashur partinë e vet, duke ngrirë, shkrirë, shkarkuar, zëvendësuar krejt lidershipin, kongresin, kryesinë, sekretariatin etj. e krijuar në vend të tyre formacione politike fasadë me emra të rinj, si “KOP”, “Rilindje” etj.

Në të vërtetë asgjë e re nuk ka ndodhur, foletë e reja kanë qenë thjeshtë furriqe për të ngrohur vezët e vjetra udhëheqësit e pandërruar, të cilët askush nuk ka fuqi t’i shkulë nga froni partiak. Atëherë, pse duhet shkruar për politikën? Pse duhet folur për të? Populli kësaj i thotë me ironi: “Fol e rruej voe”!…

Ndaj çdo rresht që shkruajmë për politikën tashmë na duket humbje kohe, pasi askush nuk dëgjon askënd, të ashtuquajturit politikanë shqiptarë e kanë përvetësuar politikën, kush një parti e kush një tjetër, gjer ato partizat “kioska”, që shërbejnë sa për të pjekur “qofte” për vete dhe për një dorë myshterinjsh drejtuesit e tyre anonimë, duke ujdisur ca karriera të vockla pa elektorat, pa vota dhe pa histori.

Bëhen vazhdimisht ndryshime në qeveri, ikin dhe vijnë individë pa karrierë, pa emër publik dhe në politikë, të cilët harrohen sapo të largohen, pasi kanë lënë prapa veç zollume, me të cilat merret SPAK-u dhe asgjë tjetër. Apo lehtësisht një ministër që ka drejtuar për disa vite shëndetin publik, befas një mëngjes gdhihet në krye të dikasterit të arsimit, pa u thënë qoftë dhe një fjalë se pse bëhet ky emërim, për më tepër që zonja në fjalë nuk vjen nga ndonjë përvojë e mëparshme akademike.

Ajo çka duam të themi nuk është “fajësimi” i individit që pa pasur ndonjë kontribut politik katapultohet në qeverisje, por e sistemit të deformuar të emërimeve në hierarkinë shtetërore, si ekskluzivitet vetëm i një njeriu. Nëse do të kishte funksionuar një sistem tjetër emërimesh dhe meritash, zor se do të ishin ngjitur deri në majën më të lartë të pushtetit personazhe si ish – ministri i Brendshëm, ish-ministri i Rindërtimit, ish – ministri i Mjedisit, ish – ministri i Shëndetësisë, ish – ministrja e Bujqësisë, ishsekretarë të përgjithshëm ministrish, ish – deputetë, ish – kryebashkiakë, kush i dënuar, kush i akuzuar dhe kush i përfolur për korrupsion. Ka njerëz me integritet në partitë shqiptare dhe jo të gjithë e veshin “kostumin” e errët të korrupsionit, por ata janë mënjanuar.

Nga ana tjetër, përballë kësaj panorame të frikshme nga oborri qeveritar, çfarë alternative ndryshe sjell opozita si përballje me keqqeverisjen? Edhe këtu asgjë e re, përpos paradoksit të rikthimit të atyre kalorësve të lodhur që e kishin shirë lëmin si kishin dashur e sa kishin mundur për vite e vite; rikthehet pas shtatë vjetësh pushim lideri historik i të djathtës (se si mund të jetë i tillë një ish-komunist ec e merre vesh!), rikthehet po ashtu pasuesi i tij riosh në PD, pasi ka bërë dhe ai pushim për një vit, për të marrë vulën dhe kinse vazhduar aksionin opozitar.

Ku tjetër ndodh të “nusërojnë” pafund të dështuarit, që nuk fituan dot as bashkinë e Kukësit pas skandalit të kryebashkiakut të mazhorancës, duke e çuar opozitën nga njëri dështim spektakolar në tjetrin? Dhe a i keni dëgjuar politikanët si përbetohen? Çdo gjë e bëjmë për qytetarët! Përpiqen të krijojnë idenë se ata nuk dalin në punë për vete dhe familjet e tyre, por për qytetarët. Nuk e duan pushtetin për vete, po për qytetarët. Nuk bëjnë tendera për vete, por për qytetarët. Si dje parulla: “Ç’don populli, bën Partia”. Po si nuk bënë njëherë gjënë e duhur, largimin pa kushte nga politika? A mund të ketë demokraci pa dorëheqje? Në politikë nuk do të thotë si në shkencë a diku tjetër, se në qoftë se ke qenë njëherë i vlefshëm, mund të jesh përherë. Kjo është përvoja europiane, amerikane etj.

2 Problemi është se përtej këtyre aktorëve të tranzicionit nuk shihet asnjë shpresë, asnjë lëvizje e re motivuese politikë që të bindë njerëzit. Asnjë sinjal se elitat po lëvizin. Krejt ndryshe ishte në vitet ‘90, ku profesorati i universiteteve etj. u përfshi në lëvizjen politike të kohës, djathtas dhe majtas dhe në fillimet e ‘91-it prodhoi një Kuvend për t’u mbajtur mend, sidomos sa i përket opozitës, me personazhe të elitës si Sali Berisha, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj etj.

Në vigjilje të 33-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (më 23 dhjetor 1989) është publikuar lista e Këshillit Iniciues për themelimin e kësaj force politike, që bëri historinë moderne të Kosovës, 23 intelektualë të elitës së kohës, shkrimtarë si Ibrahim Rugova, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Ramiz Kelmendi, akademikë si Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, profesorë si Zekeria Cana, Fehmi Agani, Anton Çeta, gazetarë, juristë, ekonomistë, mjekë etj. Pak rëndësi ka sa u mor më vonë me politikë secili, por në çastin e duhur ata ishin bashkë për t’i shërbyer politikës, që nuk ishte qenë profesioni i tyre. Këtë bëjnë intelektualët, ky është misioni i tyre, të krijojnë vlera në shoqëri, aq më tepër në politikën e re pluraliste, demokratike të vendeve që dilnin nga diktaturat. Ata janë të vetmit që nuk e marrin më pas peng krijesën e vet, për të përfituar prej saj.

Edhe sot elitat mund t’i “dorëzohen” politikës, përderisa klasa politike e tranzicionit ka rënë. Mirëpo, kjo duket një gjë gati e pamundur, pasi intelektualët elitarë i druhen përdorjes nga politika. Ata shohin një elektorat tradicional që nuk shkon për kollaj nga e reja, iu është përshtatur dy-tri partive me militantizëm. Ky është vërtet një problem, pasi fundja është ai që e bën ndryshimin. Ai ka në dorë ta refuzoje këtë klasë politike, siç dhe e ka bërë jo pak, po të shohësh pjesëmarrjen e ulët në votime. Në thelb nuk është elektorati, por janë partiakët e tij, që e kanë ndarë atë në klane të fortësh, familjare etj. Ka një fanatizëm tridhjetëvjeçar mbizotërues në elektorat, që të kujton dogmatikët e Partisë së Punës, që kanë mbetur të tillë dhe sot, ashtu si dhe sivëllezërit e tyre të së djathtës, që nuk luajnë nga istakami kinse prej parimeve, por në të vërtetë për shkak të liderëve që kanë për zemër dhe pas të cilëve e kanë lidhur qerren, edhe kur e shohin se nuk ka dritë në fund të tunelit.

Elitat nuk janë një nocion abstrakt, por forca vetëvepruese, kur organizohen për kauza publike. Veçori e tyre themelore është se ato kanë parime dhe jo interesa. Vijnë në politikë për të shërbyer dhe jo për të mbushur “duçët” dhe kur i zë halli me ligjin, marrin avionin për në shtete ku nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Ka njerëz që përdorin të tjerët, siç ka njerëz që pranojnë të përdorën. Të dy palët e bëjnë me kënaqësi, përfshi dhe të dytët, pasi e kanë në dorë të largohen në çastin që shefat duan t’i përdorin. Nuk është se përdoremi vetëm ne, në këtë anë të Adriatikut, por dhe ata matanë Atlantikut. Për fat të keq kemi të bëjmë me një marramendje planetare, që shkon deri te kamikazët islamikë, apo paramilitarët serbë në Banjskë të Kosovës të dielën, mjerisht duke përdorur një manastir ortodoks, ku besimtarët kishin shkuar për t’u lutur.

Pa folur për gjeneralët e “padishahut” rus që urdhërojnë sulmet mbi Ukrainën, duke vrarë dhe civilët e paarmatosur, nuk mund të kuptosh se si militantë republikanë të Presidentit Trump i vënë flakën Shtëpisë së Bardhë në Amerikën e demokracisë!? Ata marrin mbi supe nga 11 vite a më shumë humbje të lirisë, kurse shefi i tyre vete deri te dera e burgut të Xhorxhias sa për një foto, ndërkohë që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale synon sërish tempullin që vetë e përdhosi. E përdorja nuk është vetëm te të mëdhenjtë e rruzullit, aq më shumë përdorën të vegjlit, të varfrit shpirtërisht, njerëzit pa parime, që shiten e blihen për “një thes miell”.

Siç shihet, këndej nga ne, udha postqeverisëse për disa ministra e funksionarë të tjerë të lartë shtetërorë po kalon gjithnjë e më shumë nga SPAK-u. A duhet më shumë se sa kaq për të mos u përdoruar, as nga halli e as nga qejfi?…

Elitat dhe politika! Është një temë që i rikthehemi pas dhjetë vitesh, po nëse atëherë gjenim ndonjë shembull se si politika përthithte dhe nga elita individë të shquar për t’i bërë ministra, si nga e djathta, ashtu dhe nga e majta, sot nuk e kemi as këtë mundësi. Prandaj elitat e reja politike, o sot o kurrë, mund ta rithemelojnë politikën shqiptare, ndryshe nga kjo e sotmja që kontrollohet nga të fortit e veshur me pushtet, oligarkët, nepotizmi dhe krimi gjithfarësh.

Veçse kjo mund të ngjasë vetëm nëse politika shihet si mision nga intelektualët, që dalin para njerëzve më programe vizionare, alternativa zhvillimi, aksione politike që e shkundin përgjumjen tonë endemike dhe jo me “fjalime” patetike opozitare nëpër televizione, kush i reciton më me pathos sloganet e demokracisë auro – atlantike etj. Shqiptarët janë zhsbesuar nga politika e tranzicionit, ndaj duhet një tjetër gravitet politik që t’i bëjë ata të besojnë. Politikanët tradicionalë nuk shporrën vetë, dhe pse marrin shuplaka sa herë votohet. Ata janë koha e shkuar. Po e ardhmja?..

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi