Sistemi zgjedhor, pjesëmarrja dhe përzgjedhja

Prof. Dr. Kastriot Islami, shtator 2008

kislamiA duhet të ndryshojë sistemi elektoral aktual në Shqipëri? Në rastin e një përgjigje pozitive, do të shtohej pyetja se çfarë sistemi do t’i përshtatej më mirë vendit aktualisht. Përse duhet të mosndryshojë apo përse duhet të ndryshojë sistemi elektoral? Kjo çështje është komplekse dhe duket e vështirë në pamje të parë për të dhënë kontribut cilido. Por nga ana tjetër, nisur nga rëndësia e konsiderueshme që ka sistemi elektoral, çdo kontribut do të ishte i nevojshëm dhe i mirëpritur. Shqipëria i ka provuar pothuajse të gjithë sistemet kryesore zgjedhore gjatë 16 vjetëve demokraci. Frekuenca e ndryshimit të tyre mund të thuhet pa hezitim ka qenë relativisht e lartë. Nga një vështrim i shpejtë duket sikur tipi i sistemit elektoral nuk ka ndikuar as në cilësinë e zgjedhjeve, as në formimin e maxhorancave, as në sjelljen e sistemit politik dhe as në qeverisjet e raportet maxhorancë-opozitë. Dihet nga teoria dhe eksperienca e vendeve të tjera se sistemi elektoral ndikon në sistemin politik por natyrisht nuk mund të arrijë t’i shërojë të gjithë sëmundjet e tij. Ka sisteme që mundësojnë bipolarizmin dhe disa të tjerë përfaqësimin shumëpartiak, por nuk i diktojnë ato. Ka sisteme që prodhojnë deputetë të «popullit» dhe disa të tjerë që prodhojnë «deputetë të listës partiake», me avantazhet dhe dizavantazhet përkatëse. Ka sisteme elektorale që janë më të ndjeshëm ndaj manipulimeve por nuk ka asnjë sistem që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, në rast se nuk ekziston vullneti për të arritur standardet e zgjedhjeve demokratike. Sistemet zgjedhorë kanë shumë elementë të komplikuar teknikë por përzgjedhja e sistemit politik mbetet një akt i rëndësishëm politik, i cili duhet të gëzojë konsensus sa më të gjerë. Ndonëse përgjithësisht jo me unanimitet…

I. Rëndësia e sistemit elektoral…

Të votosh është element fondamental i demokracisë. Sistemi elektoral përcakton bashkësinë e rregullave sesi votohet dhe të mënyrave sesi votat e zgjedhësve përkthehen në vende në Parlament. Pra zgjedhja e sistemit elektoral është e një rëndësie të konsiderueshme në sistemin demokratik të përfaqësimit. Sistemi përcakton se cili do të zgjidhet për të përfaqësuar zgjedhësit, cilat do të jenë partitë që do të formojnë qeverinë, cilat do të jenë partitë që do të formojnë opozitën. Pra përcaktimi i qeverisjes së shtetasve kalon përmes zgjedhjeve, në themel të të cilave qëndron sistemi zgjedhor. Ekzistojnë shumë sisteme elektoralë, që shpesh kanë edhe nënvariantet e tyre, madje edhe nëvariantet bazohen në formula të ndryshme të llogaritjes së rezultateve. Të gjithë sistemet, ndonëse vlerësohen demokratikë, ato funksionojnë në mënyra tejet të ndryshme dhe mund të prodhojnë efekte të ndryshme mbi sistemin politik. Pasojat e tyre mbi qeverisjen e vendit por edhe mbi të ardhmen e sistemit politik janë tejet të ndryshme. Impakti i tyre është fuqishëm edhe mbi sistemin e partive, mbi mënyrat e ndërtimit të qeverive apo të koalicioneve qeverisëse. Shtrohet pyetja sesi vlerësohen e analizohen sistemet e ndryshme elektoralë për të zgjedhur një prej tyre në kushtet konkrete të një vendi. Bile eksperienca ka treguar se edhe në vendet demokratike më të hershme çështja e ndryshimit të sistemit elektoral ka qenë pjesë e debateve dhe vendimmarrjeve politike, deri edhe të referendumeve popullore. Janë përpjekur historikisht për të zgjedhur «sistemin më të mirë» por kanë arritur në përfundimin se realisht ai nuk ekziston. Në fakt detyra që shtrohet lidhet me zgjedhjen e sistemit më të përshtatshëm për realitetin konkret të vendit, por që merr në konsideratë gjithashtu traditat dhe objektivat. Natyrisht kjo çështje është shumë komplekse. Kërkon natyrisht profesionalizëm por së fundmi vendimi mbetet kryesisht me natyrë politike, që vështirësh do t’i kënaqte të gjithë unanimisht. Në mjaft vende, për të realizuar përzgjedhjen më të suksesshme synohet paraprakisht të përcaktohet një listë parimesh, të paraqitura në formë çështjesh apo pyetjesh, përgjigjet ndaj të cilave do të ndihmonin për të optimizuar përzgjedhjen e sistemit elektoral.

II. Çështjet parimore në ndihmë të zgjedhjes së sistemit…

Një listë me disa çështje apo pyetje bazuar në disa parime apo karakteristika, paraqitur më poshtë, do të ndihmonin në përzgjedhjen e sistemit elektoral. Përgjigjet ndaj tyre mund të vinin nga të zgjedhurit-deputetë e të zgjedhur-vendorë, nga ekspertët, nga qarqet akademike, nga studentët, nga forumet qytetare, nga shoqëria civile…. Një asistencë e specializuar nga ekspertë të huaj do të ishte e nevojshme. Natyrisht krahas përgjigjeve për çështjet parimore mund të shtoheshin edhe pyetje apo çështje të tjera. Më poshtë detajohen tetë parime mbi të cilat ngrihen pyetje që kërkojnë përgjigje. Renditja e mëposhtme nuk është prioritare, sepse edhe prioriteti i renditjes së tyre është pjesë e analizës dhe vendimmarrjes.

            1. Legjitimiteti

Shqiptarët duhet të zgjedhin një sistem elektoral, te i cili kanë besim dhe që reflekton kapacitetet e vlerat e tyre. Besueshmëria e lartë te sistemi është element i rëndësishëm i suksesit të përzgjedhjes së sistemit elektoral dhe i jetëgjatësisë së tij.

            2. Përfaqësueshmëria

Shqiptarët do të duhet të zgjedhin një sistem që ju garanton një Parlament përfaqësues. Në kuptimin që Parlamenti duhet të jetë pasqyrë sa më e saktë e përfaqësimit të popullsisë sipas të gjithë përbërëseve të tij demografike dhe mundësisht në mënyrë të balancuar e sa më proporcionalisht.

            3. Mundësi zgjedhjeje për votuesit

Sistemi elektoral duhet t’i ofrojë votuesve një numër sa më madh zgjedhjesh dhe mundësinë për të realizuar zgjedhjen më të mirë. Pra në varësi të thjeshtësisë së sistemit, votuesit duhet t’i krijohen mundësitë për zgjedhjen e partisë dhe/ose kandidatit të preferuar.

            4. Sistem efikas i partive politike

Votuesi shqiptar do të duhet të zgjedhë një sistem elektoral që nxit demokracinë. Në kuptimin që partitë politike të jenë në gjendje të strukturojnë debatin publik, të mobilizojnë dhe angazhojnë elektoratin dhe të përpunojnë politikat e ndryshimit e të progresit. Demokratizmi i partive dhe zhvillimi i sistemit të partive janë të ndërlidhura me përzgjedhjen e sistemit elektoral.

            5. Qeverisje e qëndrueshme dhe efikase

Sistemi elektoral duhet të kontribuojë në ndërtimin e qeverisjes së mirë e të qëndrueshme. Por edhe të vazhdimësisë së saj, natyrisht duke u shkëputur nga keqqeverisja. Qeveritë e ndërtuara mbi bazën e rezultateve zgjedhore duhet të jenë të afta të hartojnë e zbatojnë programet dhe planet e tyre të veprimit në funksion të plotësimit të nevojave, interesave dhe qëllimeve të votuesve.

            6. Parlament efikas

Sistemi zgjedhor duhet të çojë në formësimin e një Parlamenti që gjeneron një qeveri të qëndrueshme e funksionale, e një opozitë alternative. Parlamenti duhet të jetë i aftë dhe efikas në ushtrimin e të gjithë funksioneve parlamentare, natyrisht në funksionin primar të ligjvënësit, por edhe në funksionin e konsultimit me votuesit dhe të kontrollit të qeverisjes.

            7. Pjesëmarrje aktive dhe masive në zgjedhje

Sistemi elektoral duhet t’i nxisë votuesit shqiptarë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të angazhohen në aspekte të ndryshme të proceseve demokratike.

            8. Përgjegjshmëri

Sistemi elektoral duhet të krijojë mundësitë që votuesi shqiptarë të identifikojë vendimmarrësit, të bashkëveprojë me to dhe të monitorojë përgjegjshmërinë e tyre.

III. Në pritje për pjesëmarrje…

Gjatë analizës së sistemeve elektorale duhet të mbahet parasysh edhe thjeshtësia e sistemit dhe aspekte teknike. Publiku duhet të zotërojë aftësitë dhe nivelin arsimor për të kuptuar dhe zbatuar sistemin e tij elektoral. Thjeshtësia lidhet me lehtësinë për të mbushur fletën e votimit dhe për të kuptuar rezultatin e zgjedhjeve. Aspekte teknike lidhen me kohëzgjatjen e zgjedhjeve, e nxjerrjes së rezultateve, koston financiare të zgjedhjeve, e tjerë. Pa dyshim, krahas vërejtjeve e sugjerimeve, do të ishin të mirëpritura analizat, komentet pro e kundër secilit kriter apo edhe më gjerë për sistemin aktual apo eventualisht sisteme të tjerë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi