Aftësimi i Burimeve Njerëzore, kusht i domosdoshëm në suksesin e Reformës Territoriale
Nga Elena Kokthi, botuar në Mapo, 30 tetor 2018
Agjenda e zhvillimit të territorit dhe politikat publike, kanë si objektiv kryesor, shndërrimin e territoreve në hapësira atraktive dhe konkurruese. Sot ndeshemi me një tjetër qasje në konceptimin dhe organizimin e territorit, atë të valorizimit të burimeve, nëpërmjet zhvillimit endogjen dhe aktivizimit të resurseve në një logjikë të zhvillimit lokal e rajonal. Politikat e Bashkimit Europian dhe integrimi drejt tyre, si dhe decentralizimi luajnë një rol thelbësor duke nxjerrë në pah nevojën për një tjetër qeverisje apo guvernancë shumënivelëshe, që i tejkalon kufijtë, instrumentet, principet dhe politikat territoriale. Në këtë kontekst, një rëndësi të madhe marrin institucionet dhe aktorët që do të hartojnë dhe zbatojnë projekte të zhvillimit territorial.
Reforma e re në menaxhimin e territorit e cila u shoqërua me reduktimin e njësive administrative nga 400 në 70 njësi duke shkrirë zonat urbane me zonat rurale, krijoi nevojën për qasje dhe instrumente të reja në menaxhimin e territorit. Çështjet e zhvillimit dhe menaxhimit të territorit, shkrimit, menaxhimit dhe vlerësimit të projekteve në hapësirat urbane dhe rurale, kërkojnë një vëmendje të veçantë në arritjen e objektivave të vendosur për zhvillimin e vendit, si dhe në drejtim të arritjes së standardeve dhe përpjekjeve që po bën vendi për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Universiteti Europian i Tiranës në kuadër të projektit Smart-AL(Master in European Innovations for a Sustainable Management of Albanian Territories, Rural Areas and Agriculture: Instruments, Policies, Strategies/ SmartAL) financuar nga Komisioni Europian në linjën e Erasmus+ për rritjen e kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë, evidentoi, nëpërmjet kërkimit të tregut, një sërë kompetencash dhe aftësish të cilat janë të nevojshme për kryerjen e aktiviteteve me cilësi në fushën e administrimit të territorit.
Ndër kompetencat e evidentuara si shumë të rëndësishme në të gjitha nivelet drejtuese, si në nivel qendror dhe lokal, janë ndër të tjera shkrimi dhe vlerësimi i projekteve. Por jo vetëm, sot të punësuarit në sektorin publik kanë më shumë nevojë për informacione rreth hartimit dhe menaxhimit të projektit, rreth aktorëve territorialë apo metodave të vlerësimit të politikave publike.
Qasja e projektit është shndërruar në një “Modus Operandus”, 60% e individëve të intervistuar, e cilësuan këtë kompetencë si shumë të rëndësishme për realizimin me sukses të aktiviteteve, si në sektorin publik dhe atë privat. Shkrimi i projektit paraqet rëndësi veçanërisht në nivel lokal, shumica e punonjësve të bashkive shfaqin nevoja për trajnim në këtë drejtim. Ndërsa vlerësimi i projekteve dhe politikave shfaq më shumë interes për profesionistë në nivelin qendror.
Po kështu, këto kompetenca marrin një rëndësi të veçantë në procesin e para aderimit të vendit në Bashkimin Europian sepse mundësia e përthithjes së fondeve është ngushtësisht e lidhur me metodologjinë e projektit. Natyra komplekse e raportimit dhe vështirësitë që hasen në përgatitjen e raporteve kërkon domosdoshmërisht pajisjen me këto kompetenca. Nga ana tjetër, reforma e re territoriale e cila rezultoi në krijimin e zonave mikse urbane-rurale, kërkon gjithashtu pajisjen me kompetenca të reja në drejtim të menaxhimit të territorit.
Teoritë ekonomike mbi konceptin e zhvillimit kanë evoluar në dekadat e fundit duke vënë gjithmonë e më shumë theksin te territori si njësi bazë për menaxhimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Në këtë kontekst institucionet dhe aktorët lokalë luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e territorit qoftë ai hapësirë urbane apo rurale, zhvillim i cili lidhet ngushtësisht me kapitalin social. Institucionet dhe aktorët në territor shfaqin rëndësinë e tyre në shumë plane, në mundësinë për të inovuar, për të gjeneruar rentë, për zhvillim rajonal, multifunksionalitet etj. Rëndësi që nuk mund të shpaloset pa zhvillimin e kapitalit social.
Universiteti është një institucion që ka për detyrë të krijojë kapital social dhe të rrisë stokun e tij nëpërmjet ofrimit të programeve të studimit që mbështesin institucionet formale dhe jo- formale në procesin e zhvillimit. Krijimi i strategjive që synojnë zhvillimin territorial nëpërmjet shndërrimit të hapësirave urbane dhe rurale, në territore atraktive dhe konkurruese, kërkon një lidership cilësor që kooperon vazhdimisht me autoritetet lokale dhe qendrore.
Për të qenë në përputhje me këto nevoja, Universiteti Europian i Tiranës, ofron me profilet e reja një mundësi të mirë për të rritur kapacitetet në fushën e administrimit të territorit. Profili i Administrimit të Territorit dhe profile të tjera si Administrimi Publik, Menaxhim Vlerësim Projektesh, Menaxhim Burimesh Njerëzore, do të aftësojnë studentët dhe profesionistët, me instrumente dhe qasje shumë të nevojshme për arritjen e objektivave profesionalë.
Lektore në UET, Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut, Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit