Vdekshmëria foshnjore, Banka Botërore: Shqipëria e dyta në Ballkan
Sipas Monitor, 20 shtator 2018
Sipas një artikulli të fundit të Bankës Botërore dhe shifrave të vëna në dispozicion, Shqipëria vitin e shkuar e ka pasur vdekshmërinë foshnjore (humbje jete të fëmijëve nën 5 vjeç) në shifrën e 8.8 vdekje për 1 mijë fëmijë. Shifrat sugjerojnë që më problematike në këtë drejtim është Maqedonia me 13.7 vdekje për 1 mijë fëmijë, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina 5.7 vdekje për 1 mijë fëmijë, Mali i Zi ka nivelin më të ulët të vdekshmërisë në rajon, me 3.5 / 1000 fëmijë.
Sipas Bankës, ka pasur përparim të dukshëm në reduktimin e vdekshmërisë tek fëmijët dhe adoleshentët e rinj në dekadat e fundit, në të gjithë botën. Sipas një raporti të fundit, mes viteve 1990 dhe 2017, niveli i vdekshmërisë nën pesë vjeç u ul me 58 për qind nga 93 vdekje për 1,000 lindje të gjalla deri në 39 vdekje për 1,000 lindje të gjalla. Gjatë 17 viteve të fundit, reduktimi i nivelit të vdekshmërisë nën pesë vjeç u përshpejtua në një reduktim vjetor prej 4% në krahasim me një reduktim vjetor prej 1.9% mes viteve 1990 dhe 2000.
Megjithatë, ndërsa një reduktim i konsiderueshëm nga 14.3 milionë në vitin 1990, rreth 6.3 milion fëmijë nën moshën 15 vjeç humbën jetën në vitin 2017, kryesisht nga shkaqe të parandalueshme. Shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve – 5.4 milion – ndodhën në pesë vitet e para të jetës. Pothuajse gjysma e vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeçare u llogaritën nga vdekjet neonatale (2.5 milion). Muaji i parë i jetës është periudha më e prekshme për fëmijët.
Progresi drejt reduktimit të vdekshmërisë neonatale ndërmjet viteve 2000 dhe 2017 ka qenë 1.5 herë më i ngadalshëm se sa për fëmijët më të mëdhenj (nën 5 vdekje pas muajit të parë të jetës) për të njëjtën periudhë.
Baza e të dhënave të Treguesve të Zhvillimit Botëror të Bankës Botërore tregon gati gjysmën e lindjeve në Afrikën Subsahariane dhe më shumë se një e katërta e lindjeve në Azinë Jugore nuk u ndoq nga personeli i kualifikuar shëndetësor. Për të ulur më tej vdekjet e fëmijëve, qasja universale në shërbime shëndetësore cilësore dhe të përballueshme është kritike, veçanërisht gjatë kohës së lindjes dhe gjatë viteve të hershme. Kjo përfshin aksesin në sigurimin e përkujdesjes cilësore dhe të përballueshme obstetrike, anestezike dhe kujdes kirurgjik, në rastet që nevojitet.
Raporti thotë në 2017, 118 vende tashmë kishin një normë të vdekshmërisë nën pesë vjeç nën synimin e SDG (jo më shumë se 25 vdekje për 1,000 lindje të gjalla). Ndër 77 vendet e mbetura, përparimi do të duhet të përshpejtohet në rreth 50 vende për të arritur objektivin e SDG deri në vitin 2030.
Shanset për mbijetesë varen shumë se ku lindin fëmijët. Nga shtetet e marra në studim, Somalia ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë nën moshën pesë vjeçare, në 127 për 1,000 (1 në 8 fëmijë vdes), ndërsa Islanda dhe Sllovenia kanë raportin më të ulët, me 2.1 për 1,000 (1 në 476 fëmijë vdes). Fëmijët në Somali kanë 60 herë më shumë gjasa të vdesin në pesë vitet e para të jetës sesa ato në Islandë dhe Slloveni.