Banka Botërore 32 milion dollarë për sistemin shëndetësor
Sipas mediave, 28 shkurt 2015
Bordi Ekzekutiv i kësaj Banke miratoi dhënien e një mbështetjeje financiare prej 32.1 milionë euro për projektin e përmirësimit të shërbimit shëndetësor. Përmirësimi i efikasitetit për kujdesin shëndetësor dhe rritja e aksesit financiar për shërbimet në këtë sistem, janë dy kolonat që do të gjejnë mbështetje në projektin e fundit të mbështetur nga Banka Botërore.
Ky i fundit, ka një kosto totale prej 36.1 milionë eurosh, por diferenca do të financohet nga vetë qeveria shqiptare. Projekti vjen pas të dhënave të mbledhura për situatën në sistemin shëndetësor në vend ku më të prekurit janë të varfrit. Një raport i Bankës Botërore, shpenzimet nga xhepi i pacientëve përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve në shëndetësi dhe vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore.
Po kështu, shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë kurse pagesat nën dorë mbeten akoma një problem.
Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor pritet të ketë disa ndikime kyçe lidhur me mundësinë që iu ofrohet qytetarëve për të marrë këtë shërbimin. Kjo, në fakt është e integruar edhe me projekte të tjera që në thelb përbëjnë reformën në sistemin shëndetësor.
“Qeveria ka treguar angazhim të madh për të ndërmarrë reforma në disa fusha kyçe duke përfshirë këtu përmirësimin e sistemeve të financimit të shëndetësisë dhe shërbimeve spitalore, reformën në sektorin farmaceutik dhe zgjerimin e mbulimit nga sigurimet shëndetësore. Projekti i ri do të mbështesë reformat në sektorin shëndetësor, duke synuar përmirësimin e aksesit dhe të efikasitetit në shërbimet e kujdesit shëndetësor” tha Tahseen Sayed, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Shqipërinë, pas miratimit të kredisë nga Bordi Ekzekutiv i bankës Botërore.
Drejtuesja e projektit, Lorena Kostallari, e ka cilësuar këtë “sipërmarrje” si vijim të projekteve të tjera që do ecin paralelisht dhe do të kenë impakt direkt te qytetarët.
“Projekti synon të rrisë mbulimin e të varfërve me sigurime nga 50 në 65 për qind, të rrisë numrin e shtretërve në spitalet e vogla të rretheve dhe të mundësojë barna më të lira për pacientët.Nga fundi i projektit pritet të racionalizohet me 800 numri total i shtretërve në spitale të vogla në rrethe, sipas Masterplanit Spitalor, duke përmirësuar paralelisht shërbimet në spitalet kryesore rajonale. Grupe specifike të popullsisë, si ata me sëmundje kronike prioritare do të përfitojnë nga përmirësimi i kujdesit parësor dhe nga pagesat e ulura me bashkëfinancim për barna kryesore. Kjo do të ulë shpenzimet për pagesat nga xhepi për pacientët. Si rezultat i reformës në sektorin farmaceutik, parashikohet një ulje prej 25 për qind e çmimit mesatar për 10 barnat më të përdorura me recetë dhe për 10 barnat më të shtrenjta spitalore. Kjo do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen financiare nga shpenzimet për kujdesin shëndetësor” tha Kostallari. Edhe aktorë të tjerë të sektorit shëndetësor do të përfitojnë nga përmirësimi i kapaciteteve: rreth 700 punonjës të institucioneve të kujdesit shëndetësor, përfshirë këtu edhe Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) dhe spitalet rajonale do të përfitojnë nga trajnime dhe veprimtari për ngritjen e kapaciteteve.
Që prej antarësimit të Shqipërisë në Bankën Botërore në vitin 1991, vendi ka përfituar 84 projekte me vlerë mbi 2.1 miliardë USD në kredite të IDA-s dhe grante e hua të IBRD-së.