Politikat e Energjisë

Ky dossier përmban ..

szhe1Politikat e energjisë të një vendi shërbejnë për të rritur sigurinë e furnizimit me burime energjitike dhe optimizimin e burimeve për mbulimin e nevojave me synim kryesor zhvillimin e qëndrueshëm të mbarë ekonomisë për të ardhmen. Sektori energjitik përbën bazën e zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Ristrukturimi i sistemit energjitik kërkon marrjen e masave të rëndësishme, duke patur parasysh se ndryshimet në sektorin energjitik nuk ndodhin as spontanisht dhe as për periudha afat shkurtër. Strategjia e sektorit energjitik zhvillohet si një strategji kombëtare që ka në themel të saj interesat bazë të vendit dhe të qytetarëve/ konsumatorëve të saj. Asnjë prioritet privat (për individë apo kompani të veçanta) i plotë apo i pjesshëm nuk duhet të merret parasysh përpara interesit kombëtar. Kjo çështje me rëndësi themelore konkretizohet gjatë hartimit të koncept ideve për zhvillimin e tregjeve të energjisë elektrike, të naftës dhe nënprodukteve të saj, të gazit natyror, në të cilat funksioni publik, në mënyrë të qartë dhe të prerë, duhet të ndahet nga funksioni i ndërmarrjeve private duke pasur si objektiv bazë përmirësimin e tregjeve të energjisë. Për pasojë, mbetja e pronësisë shtetërore në infrastrukturën transmetuese të energjisë elektrike dhe të gazit natyror, mbështetur në parimin e mosdiskriminimit dhe të neutralitetit përkundrejt secilit që do të blej apo do të shes energji, mbështetet në dokumentin themelor të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.