Analiza / Opinione

» Financat e turbullta të partive

Nga Fatos Çoçoli, botuar ne Sot, 18 shtator 2022

Përllogaritje jo zyrtare flasin për fonde të nivelit të 160-180 milionë eurove, të cilat kanë qarkulluar në duart e partive tona kryesore, në fushatat zgjedhore që nga viti 2002 e këtej, në masën mbi 80 përqind të pakontrolluara nga institucionet shtetërore përkatëse. Ligji për partitë politike është i vitit 2000 (https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200928110219Ligji%20p%C3%ABr%20partit%C3%AB%20politike.pdf, edhe pse amenduar disa herë, deri dhe dy vjet më parë. Ai përbën një dështim të plotë për t’i kontrolluar financiarisht këto grupime publike dhe një Vaterlo të mirëfilltë në luftën për moscënimin e interesit publik dhe qytetar, nga aktiviteti financiar i fshehtë (okult) i partive, megjithë disa ndërhyrje-arnime të viteve 2011, 2014 dhe e fundit më 2020(https://kqz.gov.al/wp-content/uploads/2021/03/ligji-per-partite-politike-2020.pdf ).

Ligji prapë ka nevojë urgjente të amendohet sërisht, me dispozita ligjore shtesë të detyrueshme për aktivitetet e partive politike, që kanë të bëjnë me vetë-publikimin e pasqyrave financiare, me informacione të detyrueshme në lidhje me anëtarët e tyre, për të përcaktuar nivelin e kuotizacioneve që derdhin. Shtesa ligjore duhet të përcaktojë qartë detyrimin kohor kur partitë duhet të dorëzojnë bilancet periodike, të ardhurat dhe shpenzimet, njëlloj sikurse sot ligji fiskal detyron çdo njësi ekonomike të paraqesë bilancin brenda datës 31 mars të vitit pasardhës. Ligji duhet të jetë shumë i qartë dhe i detajuar në lidhje me dhuruesit, donatorët e fushatave dhe ata që ofrohen gjatë viteve jo zgjedhore. Kjo nismë ligjore duhet po ashtu të përfshijë Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesit, Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve si dhe organet e tjera ligj-zbatuese të fushës, për hetim efektiv e gjithëpërfshirës në lidhje me rastet e financimit të dyshimtë të partive politike, duke zbuluar burimin e të ardhurave. Pak kush nga ne, për shembull, di që Ligji i vitit 2000 nuk lejon donacione nga subjekte juridike apo individë të huaj për partitë shqiptare. Lind pyetja: kush do ta ndërmarrë këtë nismë ligjore? Deputetë të partive të sotme politike parlamentare? Të partisë kryesore në opozitë, që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e fakton se ka marrë para nga lobim i turbullt rus? As që bëhet fjalë. Do të duhej një lëvizje spontane e shoqatave joqeveritare shqiptare për të mbledhur 20 mijë firma qytetarësh, por ato janë tepër të zëna me gjueti fondesh donatorësh. Ndërkohë, është e rrezikshme t’i lësh partitë tërësisht të lira në transaksionet e tyre financiare. Më e pakta, ndodh kthimi i “ndereve” biznesit donator me akordime tenderësh dhe mënjanim të konkurrencës së ndershme për paranë shtetërore.

Partitë duhet të detyrohen, me ligjin e ri, që të mbajnë regjistrat e tyre financiarë për një afat kohor ligjor të gjatë, për të ndaluar dukurinë e asgjësimit të këtyre regjistrave menjëherë, sikurse ka ndodhur rëndom në vitet e fundit. Mos parashikimi i kësaj norme ligjore në ndërhyrjet e viteve 2011, 2014 dhe madje edhe 2020 jo plotësisht, s’ka bërë të mundur që subjektet politike në rastet e financimeve të dyshimta, ta kenë të lehtë t’i shpëtojnë hetimeve të mëvonshme, që mund të zhvillohen për raste të tilla. Partitë politike në Shqipëri duhet të detyrohen me ligj t’i publikojnë vetë-deklarimet financiare për publikun e gjerë, si dhe për anëtarët e tyre. I vetmi informacion deri tani është ai i mundësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) dhe i publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ. Mungesa e transparencës në këtë aspekt është flagrante dhe nuk mundëson një akses publik të qytetarëve mbi partitë politike, duke i bërë këto të fundit krejtësisht të papërgjegjshme dhe jo llogaridhënëse përpara qytetarit dhe opinionit publik.

Në faqet zyrtare të internetit të partive politike në Shqipëri sot nuk gjen ekziston asnjë informacion i vlefshëm lidhur me financimet e partisë, donatorët, kuotizacionet financiare, etj. Në të gjitha partitë, anëtarët e konsiderojnë të vështirë sigurimin e informacionit mbi fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partia e tyre. Kjo është skandaloze dhe paradoksale, në një kohë kur me Ligjin mbi të drejtën e informimit, transparenca publike është bërë kriter vlerësimi dhe standard bazë për çdo institucion publik. Por ama deri më sot jo për partitë politike! Edhe pse vetë partitë ofrohen gjeneruese dhe monitoruese të këtij ligji, ato nuk kanë përmbushur asnjë nga standardet e kërkuara prej tij. Ligji i vitit 2000 është një dinozaur i pazbatueshëm gati në çdo dispozitë të tij. Sipas tij, ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij në rast se ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milion Lekë, ushtron veprimtari në fushën e medias, ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme, ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Praktika ka sjellë të paktën një mijë raste të shkeljes së kësaj dispozite ligjore. Ligji duhet amenduar sërish urgjentisht. Gjobat dhe sanksionet duhet të shtohen me herë. Po kush do ta marrë këtë nismë?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi