Analiza / Opinione

» Shërbimet publike dhe shteti social

Sipas artikullit të Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 27 korrik 2017

…. Nga të gjitha teoritë e shtetformimit, ajo që mbizotëron është shteti si kontratë sociale. Sipas kësaj teorie që u përhap më së shumti nga liberalët e shekullit të 17-të dhe të 18-të, që iu kundërvunë shtetit absolut, arsyeja se përse shteti u formua ishte fakti se njerëzit në gjendjen natyrore të tyre, nuk kishin siguri për jetën dhe nuk kishte një arbitër që të jepte drejtësi në konfliktet e mundshme.

Kështu që, arsyeja e vetme për të cilën u formua dhe ekziston shteti si entitet, është sigurimi i jetës së qytetarëve dhe dhënia e drejtësisë. Me kalimin e kohës dhe hapjes ndërkombëtare të marrëdhënieve politike, shtetit iu shtua dhe një funksion tjetër, ai i diplomacisë. Andaj, për të gjithë ata që mendojnë se shërbime të tilla, si: uji, arsimi, energjia apo shëndetësia duhet të jenë vetëm shtetërore, është mirë të dinë se pjesë natyrore të shtetit janë vetëm drejtësia, rendi, ushtria dhe diplomacia. Çdo shërbim tjetër ndaj shoqërisë mund të vijë nga vetë qytetarët dhe iniciativat e lira.

Por, le ta lëmë mënjanë doktrinën dhe të kthehemi te pragmatizmi dhe debati i ditës.

Pikë së pari, uji, arsimi, energjia dhe shëndetësia nuk janë politika sociale, ato janë së pari tregje, politikat sociale janë tjetër gjë. Politikat sociale u lejojnë akses ndaj këtyre shërbimeve me ndihmën e shtetit disa shtresave që në pamundësi financiare nuk aksesojnë dot. Askush nuk tha që mos të ekzistojnë ato. Për këto shtresa ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë, bursat e studimit, kartat e shëndetësisë, subvencionet e ndryshme për energjinë dhe ujin. Por, që të kemi mundësinë që t’ua ofrojmë dhe atyre, më parë duhet t’i kemi këto shërbime. Dhe që t’i kemi duhet të ndërtojmë tregun e tyre në mënyrë sa më efikase.

Pikë së dyti, që në një shoqëri të caktuar të ketë shërbime të tilla cilësore si arsimi, shëndetësia, energjia apo uji ka një kosto të caktuar dhe, kjo kosto kërkon një çmim të caktuar. Buxheti i shtetit, aq më tepër në kohë krize ekonomike nuk i përballon dot këto kosto dhe nga ana tjetër, për arsye elektorale nuk guxon as të vendosë çmimin përkatës për këto shërbime, duke i lënë këto shërbime në këtë gjendje ku janë katandisur sot.

A nuk do të ishin të gatshme për të paguar çmimin real të tregut, ndoshta dhe më të lartë, ato familje që kanë mundësi për të patur një arsim më cilësor, një shëndetësi më të mirë, furnizim me energji dhe uji në çdo kohë?

Mendoj se po! Në këtë mënyrë jo vetëm që do të garantohej shërbimi, por pagesat e tyre do të kontribuonin për të ndihmuar dhe aksesin e shtresave në nevojë.

Mirëpo, të gjithë këtë sistem shërbimesh të bazuar në raportin e kosto-përfitimit, mund ta realizojë vetëm logjika e kërkesë-ofertës. Dhe, në këta sektorë shteti ndërhyn te kërkesa për të ndihmuar ata që kanë nevojë dhe jo te oferta.

Dikush mund të mendojë se në këtë mënyrë fare mirë mund të funksionojnë dhe ndërmarrjet shtetërore. Cilat ndërmarrje?

Ato që janë si një makinë e vjetër që harxhojnë vaj dhe karburant pafund dhe ecin ngadalë?!

Ato që kanë brenda tyre punonjës shtetërorë që nuk kanë asnjë përgjegjësi për cilësinë e shërbimeve pasi, rrogën e kanë të siguruar nga taksat tona edhe nëse punët shkojnë keq?

Ato ku abuzohet me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe që dalin çdo vit me humbje?

Nëse ka një arsye se përse ende këto shërbime vazhdojnë të jenë shtetërore është fakti se, ato duhet t’iu garantohen dhe shtresave të pamundura dhe, vetëm shteti mund ta bëjë këtë. Por, në këtë mënyrë, nëse vërtet ato i nënshtrohen logjikës së tregut do të mundësohet dhe cilësia e tyre dhe garantimi për atë pjesë të shoqërisë që nuk mundet. Vetëm në këtë mënyrë do të gjeneroheshin të ardhurat për cilësinë dhe të pamundurit.

John Rwals, një nga filozofët politikë më të spikatur gjatë shekullit të kaluar, në librin e tij “Teoria e Drejtësisë”, shpjegon se një shoqëri e drejtë mund të ndërtohet vetëm sipas dy parimeve bazë. E para, ishte liria dhe konkurrenca dhe e dyta, rishpërndarja. Nëse e majta di gjithmonë të rishpërndajë por nuk prodhon dot, e djathta prodhon por nuk rishpërndan dot. Andaj një shoqëri e drejtë sipas tij, ndërtohet vetëm duke kombinuar të dyja këto elemente. Kjo është shoqëria e drejtë dhe efikase. Të tjerat janë emocione, humanizma dhe populizma që nuk të çojnë asgjëkundi.

 

 

 

» Pse arsimi demokratik është i nevojshëm

Mendimi utopik: Përse nuk i vendosin fëmijët në qendër të shkollës? Ndërtimi i një sistemi arsimor ku, një ndër të drejtat e fëmijëve është edhe e drejta për të patur një rol në çështjet që i prekin ata, duhet respektuar vërtet.

Nga Eskja Vero*

Në një artikull të botuar në gazetën prestigjioze The Guardian, autorja e botimit Rachel Robert, është një mësuese me eksperiencë disavjeçare në arsimin fillor, e cila shqetësohet për të thënë se në ditët e sotme, theksi duhet të vihet ndjeshëm, tek aftësimi i fëmijëve tanë, lidhur me vendimmarrjen dhe organizimin brenda mjedisit edukativ.

E ardhmja është plot me të panjohura, ajo për të cilën ne duhet të bindemi tanimë, është se janë pikërisht fëmijët, gjenerata e re e brezave të cilët duhet të përballen me ndryshimet e mëdha dhe që duhen të marrin përgjegjësi dhe njohuri se si t’u qasen risive dhe risqeve që ato mbartin.

Atëherë cili e luan më së miri rolin e përgatitjes së fëmijëve, të cilët do të jenë po ata, që do të ndjekin një arsimin të caktuar dhe që duhet të përballen me barriera të ndryshme lidhur në ekspertizat e tyre të studimit? Janë institucionet edukative.

Këto institucione nuk priren vetëm në përgatitjen e liderëve të së ardhmes, sepse kjo është selektive në individë të ndryshëm, apo në fëmijë që kanë tipare të lindura ose aftësi për të qenë të tillë.

Artikulli i znj. Robert ka të bëjë me rolin që duhet të luajnë fëmijët duke filluar që në arsimin fillor për të ndërmarrë iniciativa angazhuese dhe gjithëpërfshirëse në aktivitetet edukative brenda shkollës, sepse pikërisht prej aty duhet filluar. Sipas saj, kjo konsiston në disa elemente të thjeshta të cilat i rendisim si më poshtë:

Shmangia e memorizimit në mësimdhënie

Së pari, duhet shmangur në mënyrë të menjëhershme memorizimi dhe ripërpunimi i informacionit në mësimdhënie. Robert, përshkruan se dukuria në fjalë edhe pse është përfolur për qindra herë në trajnime dhe kërkime të ndryshme shkencore edukative, ku mësimdhënia duhet të shmangë pasivitetin te nxënësit, dhe theksi duhet vënë te mësimdhënia me në qendër nxënësin, ajo sërish vazhdon të ndodhë brenda mjediseve tona akademike në atë që njihet programi mësimor formal i shkollës. Robert përngjason së tepërmi me idenë e një nga studiueseve të sotëm më të diskutueshëm Ivan Illich, i cili mbronte idenë e një shoqërie të deshkolluar por sigurisht në një aspekt më të moderuar të fjalës apo konceptit që ai përdor. Sipas pikëpamjes së Illich, i cili na thotë se përderisa shkollat nuk përkrahin barazinë dhe zhvillimin e aftësive krijuese individuale, atëherë përse mos të hiqet dorë prej tyre në atë formë që ato kanë tani? Me këtë nuk do të thotë që të zhduken të gjitha format e organizimit arsimor.

Arsimi, argumenton Illich, duhet t’i sigurojë kujtdo që dëshiron të mësojë, mundësinë për ta realizuar këtë në çdo moment të jetës së tij, e jo vetëm në vitet e fëmijërisë ose të adoleshencës. Një sistem i tillë do të bënte të mundur që dijet të ishin gjerësisht të përhapura dhe të shpërndara dhe jo të kufizuara vetëm për specialistët. Ata që mësojnë nuk do t’i nënshtroheshin një programi standard dhe do të zgjidhnin vetë atë çka do të studionin.

Kjo sipas Ilich do të nxiste më shumë kreativitetin dhe mendimin kritik te fëmijët. Duke bërë një analogji mes tyre në dallim me Illich, Robert thekson se ideja e deshkollizimit (aty prej ku ngjasojnë) duhet të nisë që në shkollë dhe pikërisht në vitet e fëmijërisë. Fëmijët nën një teknologji lehtësisht përcjellëse e posedojnë atë në gishtat e tyre, duke i bërë pjesëmarrës aktivë në shoqërinë e të rriturve. Mirëpo nuk mjafton me kaq. Përpos marrjes së informacionit ata duhen inkurajuar në përpunimin e tij dhe është detyrë e vetë shkollës, duke nisur që në arsimin fillor që fëmijët të aftësohen me të kuptuarit e materialit që ndeshin.

Përballja me të panjohurën

Së dyti, “iu duhet treguar gjithmonë se ç’duhet të bëjnë. Gjithmonë mësuesit duhet t’i ballafaqojnë me zgjidhje problemesh të cilat nuk  i kanë ndeshur më parë, kjo i bën që të nxisin aftësinë kreative të vetës së tyre, dhe jo të ndjekin rregullat standardë të të vepruarit”.

Përballja me të panjohurën fëmijëve iu nxit vënien në punë të mendimit, dhe i ndihmon të gjenerojnë aspekte të reja. Si për shembull, një rast konkret janë detyrat e shtëpisë që iu jepen fëmijëve, ku mësuesit shpeshherë iu thonë, se bazuar në atë çfarë kanë mësuar nga libri apo tema e ditës, për të nesërmen iu duhet të përgatisin një detyrë, që i përngjan më së shumti një riprodhimi direkt të materialit të dhënë në klasë. Kjo nuk shkakton asgjë më shumë, se atë që sapo përmendëm më sipër, pasivitetin formal shkollor. Shkollat duhet ta shmangin absolutisht këtë dukuri. Këto teknika nuk i vendosin fëmijët në qendër të studimit, materialit dhe iu shmangin atyre kreativitetin dhe të menduarit kritik, pasoja e së cilës do të lërë me patjetër gjurmë të thella në hallkat e tjera arsimore.

Fëmijët si ekspertë

Dhe së fundmi, “fëmijët nuk duhet të jenë vartës të strukturave të autoritetit shkollor, që i përgatit ata thjesht të binden pavarësisht urdhrave që jepen – ata duhet të konsiderohen si ekspertë siç do të bëhen në të ardhmen”.

 Është gabimisht i kuptuar fakti se, në arsimin fillor, fëmijët janë në fazën e përvetësimit dhe mësimit të vlerave, normave, rregullave standardë të shoqërisë, pasi kështu një grumbull i stërmadh informacioni i mbingarkon me asnjë vlerë reflektive ndaj tyre. Fëmija pa diskutim që duhet t’i njohë rregullat e organizimit shoqëror, por nuk mjafton vetëm të njohurit por dhe pritshmëritë ndaj tyre. Sërish një shembull nga jeta e përditshme, nëse fëmijët e kanë të detyruar uniformën shkollore dhe ndodh që ndonjëherë u pëlqen të vishen edhe pa uniformë por me një bluzë të bukur, atëherë këtu rregulli shkollor (apo kodi i etikës së të veshurit) nuk duhet të jetë aq strikt dhe ndëshkues nga ana e mësuesit, sepse në këtë rast fëmija nuk ka thyer Kodin Etik të të veshurit, por thjesht ka shfaqur një anë kreative që shpalos personalitetin e tij dhe që në një moment të caktuar i ka dhënë një kënaqësi për një ditë të re. Në këtë rast, vendosja në qendër të sistemit shkollor që propozon Roberts është, që të gjithë fëmijëve, e përcaktuar në ditë të veçanta, t’iu mundësohet që mos ta veshin uniformën, por të vishen ashtu siç i pëlqen për të nxitur kështu moskonformitetin tradicional, por edhe nevojën për një ndryshim cilësor, ndjesor, kreativ që në fund të fundit është njerëzore. Por jo vetëm kaq. Shkolla duhet t’ju ofrojë mundësi të jenë pjesë e hartimit të silabuseve, të lëndëve që ata pëlqejnë më shumë ose më pak, përcaktimit të orëve të lira sipas dëshirave që ata kanë, organizimit të aktiviteteve që parapëlqejnë më shumë etj. Me një fjalë, raporti i ndërsjellë bashkëpunim–komunikim midis trinomit fëmijë–mësues–institucion arsimor (shkolla).

Cila është përgjigjja e të gjitha këtyre që shtjelluam?

Përgjigja na këshillon Roberts është: “Vini fëmijët në qendër të shkollave. Lejojini ata të vendosin se kur, ku, çfarë, si dhe me cilët ata mësojnë. Vetëm ata e kanë zgjidhjen e problemeve reale ditë pas dite. Arsimi demokratik është i nevojshëm”.

Ndërtimi i një sistemi arsimor ku, një ndër të drejtat e fëmijëve është edhe e drejta për të patur një rol në çështjet që i prekin ata, duhet respektuar vërtet.

*Pedagoge, Shkencat e Edukimit, UET.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi