Evropa e së nesërmes

Nga Havier Solana, botuar në Bota sot, 26 maj 2019

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Çdo 5 vjet, Bashkimi Evropian angazhohet në një ushtrim vetëdijësimi. Zgjedhjet e Parlamentit Europian, na lejojnë ta shohim veten në pasqyrë, dhe të analizojmë kalimin e kohës. Por zgjedhjet e 23-26 majit janë të veçanta: ato do të jenë të parat që nga kriza e refugjatëve, referendumi Brexit dhe zgjedhja e Trumpit president i SHBA-së.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian, quhen zakonisht “zgjedhje të dorës së dytë”. Pjesëmarrja e ulët e votuesve, që ka rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga zgjedhjet e para të vitit 1979, tregon se evropianët nuk i kushtojnë shumë rëndësi atyre.

Tre muaj përpara zgjedhjeve të këtij viti, vetëm 33 për qind e qytetarëve evropianë, e dinin se ato do të mbahen në fund të këtij muaji, dhe vetëm 5 për qind i dinin datat e sakta. Një muaj më parë, vetëm 26 për qind e gjermanëve e njihnin bashkatdhetarin e tyre Manfred Veber, kandidatin e Partisë Popullore Evropiane për presidencën e Komisionit Evropian.

Ndërkohë sondazhi më i fundit i Eurobarometrit, tregon se gati 7 në 10 europianë, duke përjashtuar britanikët, besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga integrimi. Megjithatë, një lloj turbullire politike ka prekur të gjithë Evropën, dhe të gjitha nivelet e qeverisjes.

Problemi është veçanërisht i theksuar në vendet që iu bashkuan BE-së në këtë shekull. Evropiano-lindorët, kanë tendencë ta besojnë më pak se evropiano-perëndimorët sistemin politik. Ndaj nuk është për t’u habitur që ata dalin në këto lloj votimesh në një numër edhe më të vogël.

Pakënaqësia institucionale dhe pjesëmarrja e ulët, është e përhapur edhe tek evropianët e rinj në përgjithësi, edhe pse ata janë më pro-evropianë sesa mesatarja. Për më tepër, për brezat që shihnin me shpresë evoluimin e projektit evropian, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të, muaji i mjaltit ka mbaruar.

Politologu bullgar Ivan Krastev ka argumentuar se në vend se të shihnim “fundin e historisë” që e predikoi Frensis Fukujama që në vitin 1989, ne duket se kemi arritur në fund të interesit të shumicës së njerëzve ndaj historisë.

Sikurse janë shprehur Krastev, bashku me Mark Leonard dhe Suzi Denizon “BE-ja u krijua nga shoqëritë, që kishin frikë nga e kaluara e tyre. Tani evropianët kanë frikë nga e ardhmja”.

Megjithëse mbetet thelbësor vënia e theksit tek roli i integrimit evropian, si garant i paqes pas Luftës së Dytë Botërore, BE ka nevojë për burime shtesë

të legjitimitetit të saj. Mjerisht, sfidat e viteve të fundit, të lidhura me ekonominë dhe emigracionin – dhe të menaxhuara shumë keq nga BE dhe shtetet anëtare – patën efektin e kundërt.

Kjo u dha hapësirë partive nacionalisto-populiste që të fitonin mbështetje popullore, duke premtuar të përballen me sfidat aktuale dhe të ardhshme, si kriza demografike në rritje, me strategjinë e një të kaluare të idealizuar, si izolimi kombëtar.

Por kaosi i Brexit, dërgoi mesazhin e fuqishëm, se erërat jashtë BE-së janë shumë të acarta. Mbretëria e Bashkuar po dridhet që tani, dhe sapo ka hapur derën. Distancat gjeografike, lidhjet e ngushta ekonomike, dhe pesha relativisht e vogël ekonomike e vendeve evropiane, janë të gjitha realitete të pashmangshme.

Qytetarët evropianë e kanë marrë parasysh këtë, dhe nuk është çudi pse partitë nacionalisto-populiste, nuk po flasin më për nxjerrjen e vendit të tyre nga BE. Këto parti nuk bien dakord mbi shumë çështje, por kanë të përbashkët ligjërimin e tyre ksenofobik kundër emigracionit.

E drejta e azilit është e njohur ndërkombëtarisht, dhe emigrimi në përgjithësi mund të ndihmojë rënien tonë demografike. Kundërvënia ndaj emigrimit të pakontrolluar është e arsyeshme; por jo kthimi i shpinës ndaj fqinjëve.

Gjithsesi, çështja që më së shumti shqetëson sot evropianët, nuk është emigracioni por ekonomia. Një nga sfidat më të mëdha sot është pabarazia, e cila është rritur në thuajse të gjitha vendet e OECD.

Ndërkohë, ndarja evropiane veri-jug, është zgjeruar si pasojë e krizës ekonomike. Megjithëse vendet anëtare, nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë së tyre, institucionet evropiane duhet të bëjnë më shumë për të nxitur kohezionin nëpërmjet një kontrate të re shoqërore, e cila duhet të adresojë gjithçka, nga problemet në tregun e punës të orientuar nga teknologjia, tek qëndrueshmëria mjedisore.

Sado paradoksale mund të duket, fakt është se edhe sikur besimi tek BE të jetë tronditur shumë, integrimi evropian ka vazhduar pa ndërprerje gjatë dekadës së fundit. Natyrisht, ai ka një rrugë të gjatë përpara. Por BE nuk ka pasur më parë mjete më efektive, për të adresuar sfidat ekonomike dhe financiare që mund të lindin. Partitë pro-BE, duhet të krijojnë një narrativë transformuese për të ardhmen. Ashtu si shkrimtari austriak Stefan Cvajg, ndonjëherë mund të kënaqemi me nostalgjinë për “botën e djeshme”. Por ashtu si Cvajg, ne duhet të mbetemi të angazhuar tek projektet e ardhshme, si një Evropë e paqtë dhe e integruar, të cilën ai nuk jetoi dot për ta parë.

Homazhi më i mirë ndaj apostujve të bashkimit të Evropës, do të ishte të shmangia e paralizimit nga nostalgjia, dhe angazhimi për ndërtimin e Evropës së nesërmes./ “Project Syndicate” – Bota.al

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi