Zgjerimi i BE si dilemë midis politikës dhe gjeopolitikës
Nga Kristaq Xharo, botuar në Tema, 3 qershor 2022
‘Ngrirja’ e procesit të zgjerimit të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor gjithmonë e më tepër po bind se procesi po kthehet në politikë. Pa mohuar rolin e vet vendeve të vegjël të BP në problemet e tyre të brendshme, nuk mohohet as pamundësia e tyre për tu ndjerë të përdorur në ligjërimet e orekseve populiste e nacionaliste të fushatave elektorale në perëndim.
Sipas mjaft analistëve, BE, në kontekstin e zgjerimit duket se ndodhet në dilemën midis politikës dhe gjeopolitikës dhe më tepër nën peshën e së parës. Dhe, për aq kohë sa axhenda e saj do të dominohet nga vektorë politikë, interesi për Ballkanin Perëndimor do të lëkundet midis humorit të përplasjeve elektorale të vendeve anëtare, të cilët, qoftë edhe për këtë shkak zgjerimin, realisht, nuk e shohin si objektiv strategjik i unionit, pavarësisht deklarimeve. .
Ndryshe do të ndodhte nëse EU do të dominohej nga axhendë gjeopolitike. Më së paku do të realizonte atë që arriti NATO, qoftë edhe vite më vonë. Edhe pse në Bruksel ligjërojnë me terma gjeopolitikë, kujtojmë Makron, Sholtz, më parë Merkel, apo edhe funksionarë të lartë të unionit Ursula von der Leyen që shkon edhe më tej, kur dëshiron të udhëheqë një “Komision gjeopolitik” ndërsa Josep Borrell, argumenton se BE duhet të mësojë “gjuhën e fuqisë”. Ata të gjithë duket se e ndjejnë se Evropa duhet të jetë një “aktor gjeopolitik” për të shmangur të qenit “i ngjeshur’ midis të fuqishmëve. Dhe nëse axhenda do të ishte gjeopolitike zgjerimi do të kthehej në një objektiv primar strategjik dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në kohë nuk do të prisnin përpara dyerve të Brukselit…
Por a mund të jetë BE një aktor politik? – Në të vërtetë, BE u projektua dhe u implementua si një komponent tregtar dhe fuqi ekonomike e kohë më vonë edhe politike. Por, vetëm pas viteve të fundit, me shfaqjen e fenomenit ‘trump’, më pas të pandemisë dhe së fundi të luftës ajo e pa veten të sfiduar në mes të fuqive më të mëdha. Duke shpresuar në një zgjim nga lufta, pranë oborrit të saj të përparmë, në Ukrainë, dhe një rol gjeopolitik, ambicia e saj. Të gjithë e pranojnë se gjeopolitika është mbi të gjitha një politikë fuqie dhe të jesh aktor me peshë më së paku kërkohen katër kushte: fuqi, territor, vizion të përbashkët (narrative), dhe lidership, ku secili prej tyre shfaq element themelor dhe periferik.
Fuqia. Aktorët gjeopolitikë përdorin fuqinë për të arritur objektivat e tyre. Morgenthau na kujton se fuqia është e vetmja monedhë e këmbyeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një fuqi formësohet me komponentë ekonomik, ushtarak, politik/diplomatik. Prioritetet e përdorimit të tyre varen nga situata. Mungesa e të paktën një prej këtyre komponentëve sfidon ambicien gjeopolitike. Një aktor gjeopolitik luan në pozicionin e tij me ambicie dhe pjesërisht duke dobësuar rivalët e tij ose duke minuar një aleancë rivale. BE, gjeopolitikisht është e sfiduar më së paku dy prej komponentëve kryesorë: fuqia ushtarake dhe lidershipi. Pa rikuperimin e tyre ajo mbet thjesht një fuqi politike dhe ekonomike, por jo gjeopolitike.
Së dyti, territori. Gjeopolitika është më shumë se politika e fuqisë, pasi ajo skicon gjeografinë. Bëhet fjalë për avantazhet ose dobësitë strategjike të një vendi në lidhje me hapësirën e gjeografisë. Robert Kaplan te Hakmarrja e Gjeografisë beson se asnjë aktor me ambicie gjeopolitike nuk do të gabonte të neglizhonte me gjeografinë. Në rastin e BE, askush nuk do të ndjehej i sigurte të lejonte një hapësirë boshe, një ishull të rrethuar brenda vetes, si Ballkani Perëndimor. Prandaj, qasja gjeopolitike kërkon një imazh të vetes, vullnet për një territor të përbashkët dhe për të vendosur një strategji të hapësirës (tokës) në raport me aktorë të tjerë. NATO, si një aktor i pazëvendësueshëm gjeopolitik ja ka përgatitur këtë truall BE, por për aq kohë sa politika do të ndrydh gjeopolitikën, BE i mbetet që të bëj rrathë uji përqark vetes.
Dhe pak gjeografi. Së bashku, popullsia e vendeve të BP është më pak se 20 milionë banorë krahasuar me BE mbi 520 milionë, ose më pak se 3 për qind. Sipërfaqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor shkon deri në 182 mijë km katror krahasuar me 4 milion 422 mijë kilometër katror ose më pak se 4 për qind. GDP vjetore e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është 50 miliard dollarë në vit krahasuar me 15.3 trilion dollar të BE ose më pak se 1 për qind (0.003). Statistikat ndonjëherë vlejnë për të trembur ‘frikën e pushtimit’ nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Së treti, është vizioni i përbashkët (narrative) . Përderisa parashtesa “gjeo” e vë politikën e fuqisë ballë për ballë me hapësirën gjeografike, qoftë edhe të brendshme, kjo zonë nuk mund të konceptohet pa kontekstin e ndjenjës së unitetit gjeografik të unionit. Qoftë edhe si një ndjesi e dobët, narrativja (vizioni) lidhet me interesa të përbashkëta apo një komunitet real të bashkuar rreth vlerave, normave dhe traditave. Aktorët gjeopolitikë janë më të fuqishëm kur flasin në emër të një tërësie kolektive. Prandaj, ata kanë interes në menaxhim, modelim dhe perceptimin e një kujtese kolektive, një histori që mund të quhet e ‘tyre’. Dhe konteksti është i tillë se vendet e B. Perëndimor mbartin të njëjtën narrativë si edhe pjesë tjetër e unionit dhe ndoshta është e vetmja mënyrë për të plotësuar atë që mund të quhet narrativë europiane.
Së katërti, lidershipi. Ndoshta asnjë prej komponentëve të mësipërm vështirë se mund të bëheshin më funksional pa një lidership të fortë politik. BE mund ta ketë kaluar periudhën kur Kisinger e kujtonte si ‘një telefon pa numër’. Por nga ana tjetër stafi teknik nuk mund ta zëvendësoj lidershipin politik që i mbërthyer midis më të mëdhenjve vështirë se harmonizohet. Aq i çoroditur gjeopolitikisht duket shpesh herë BE, sa edhe anëtarë pa peshë të unionit, nxitur nga politika populiste, janë në gjendje të ulin velat e anijes europiane edhe në kapërcimin e çështjeve më të thjeshta. Kush po e pengon tashmë B. Perëndimor drejt BE?
Në mbyllje, shumë studiues të gjeopolitikës besojnë se BE duhet të nisë procesin e një “kthesë topologjike” – nga një hapësirë e përkufizuar në një hapësirë konkrete – dhe të një “kthesë historike” – nga një kohë abstrakte në një realitet konkret dhe logjik. Dhe sa për zgjerimin ai do të vazhdojë të jetë në dilemën politikës dhe gjeopolitikës, që do të përcaktojë suksesin apo ngecjen… Ekuacioni i Bernulit për parimin e enëve komunikuese vlen edhe për integrimin.