Fondet e BE-së dhe (pa)aftësia jonë

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 6 tetor 2014

Arben-MalajKonferenca e Berlinit dhe vizita me paketë financiare e komisionerit Fyle e kanë rritur interesin për të njohur dhe përdorur me efektivitet e pa vonesa mundësitë e reja të fondeve të destinuara për Ballkanin.
Kontributet e BE-së ndaj vendeve të Europës Lindore bashkëshoqëruan procesin e ndryshimeve të mëdha politike. Bazuar në kriteret e Kopenhagës, një nga tri kriteret kryesore është ndërtimi i një ekonomie funksionale, në kushtet e ekonomisë së tregut dhe përballë konkurrencës në rritje.
Mbështetja financiare e BE-së fillimisht u fokusua në ndërtimin e shtetit të së drejtës, u financuan reforma të rëndësishme për të krijuar një kuadër ligjor sa më bashkëkohor. U financua ngritja e enteve rregullatore e mbikëqyrëse dhe i kapaciteteve profesionale në institucionet e rëndësishme të qeverisjes ekonomike të vendit.
Në dinamikën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit konstatohet se sa më shumë ecim drejt anëtarësimit, aq më e madhe është zhvendosja e mbështetjes financiare të BE-së, nga mbështetjet me asistencë teknike në mbështetjet për investime në ekonominë reale.
Bazuar në analizën dinamike të indeksit të tranzicionit 1989-2014 të BERZH, konstatohet se vendi ynë trashëgoi një prapambetje të theksuar në infrastrukturën fizike. U përballem me probleme të mprehta me energjinë, me furnizimin më ujë, me përpunimin e mbetjeve, me sistemin e ujitjes dhe mirëmbajtjes së rrjeteve kulluese.
Problemet u bënë më të mprehta dhe të kushtueshme për shkak të zhvendosjeve të mëdha të popullsisë drejt zonave informale rreth qyteteve më të mëdha të vendit, ku mungonte (në disa zona informale si ajo e Vlorës mungon akoma) infrastruktura minimale për jetesë dhe aktivitet ekonomik.
Po kështu, krijimi i një bujqësie moderne për tregje të reja dhe krijimi i një cikli të plotë të prodhimit dhe përpunimit bujqësor, kërkon fonde të mëdha buxhetore. Edhe pse bujqësia jep 16-20% të GDP-së, ajo vazhdon të ketë mbështetje buxhetore jo më shumë se 0.7% të GDP-së. Vazhdon të jetë e pamundur që investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural të financohen nga taksat tona dhe aq më pak nga kreditë me kushte tregtare. Bujqësia jonë ka jo vetëm një shkallë të ulët të kooperimit, të mekanizimit dhe agropërpunimit, por përjeton dhe konkurrencën e ashpër të eksportuesve nga vendet e BE-së që përfitojnë nga politikat rishpërndarëse të saj.
BE historikisht ka adresuar rreth 70% të buxhetit të saj vjetor (prej rreth 127 mld euro) për politikat e përbashkëta bujqësore dhe politikat e kohezionit social, duke rishpërndarë këtë pjesë të buxhetit të saj për vendet dhe rajonet më të varfra.
Vendet e Ballkanit, sa më shumë i afrohen BE-së, aq më shumë duhet të reduktojmë diferencat në infrastrukturën e zhvillimit dhe në të ardhurat për frymë me BE-në.
Jo për të “ngushëlluar” mbylljen për 5 vjet të dyerve te saj për anëtarësime të reja, por për të mbështetur edhe financiarisht reduktimin e pengesave, BE ka prezantuar një paketë financiare për vendet e Ballkanit.
Për vendin tonë këto fonde dhe përdorimi sa më efektiv i tyre janë shumë të rëndësishme për disa arsye. Ndodhemi nën një program bashkëpunimi të kushtëzuar jo vetëm me FMN (edhe BE do të na mbikëqyrë më nga afër dhe më rreptë) për të kthyer rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Kjo nënkupton që deficiti dhe borxhi publik duhet të ulen. Synohet rritje e të ardhurave jo vetëm apo kryesisht nga rritja e taksave, si edhe shkurtim i shpenzimeve, të cilat për disa sektorë të rëndësishëm në cilësinë e rritjes ekonomike afatgjatë janë nën nivelin minimal të domosdoshëm, arsimi rreth 3.2% e GDP-së dhe shëndetësia më pak se 3%.
Të dyja elementet e një pakete me fokus stabilitetin e financave publike, në këndvështrim afatshkurtër, janë kundërciklike në raport me rritjen e dobët ekonomike dhe papunësinë e lartë. Efekti tyre duhet kompensuar me rritjen e konsumit dhe investimit privat si dhe me rritjen “pa borxhe/me grante” të investimeve publike.
Në marrëveshjen me FMN investimet publike deri në vitin 2019 janë “ngrirë” në nivelin 5% të GDP-së. Për shkak të cilësisë së dobët të identifikimit, planifikimit, koordinimit dhe implementimit të tyre, mosrealizimi mund të jetë i ndjeshëm duke tkurrur efektin pozitiv në ekonomi.
Këtu del më mirë në pah efekti pozitiv i paketës mbështetëse të BE-së, e cila deri në vitin 2020 do të jetë rreth 649 milionë euro, ose rreth 93 milionë në vit.
Këto fonde janë grante, çka lehtëson koston e financimit të ekonomisë. Ne mbetemi përfitues neto për aq kohë sa nuk jemi vend anëtar i BE-së dhe nuk paguajmë pjesën tonë në buxhetin e saj, i cili është rreth 1.07% e GNI-së.
Fondet grante përfshihen në të ardhurat e një vendi, ndërsa kreditë në burimet e financimit. Ky është një ndryshim i rëndësishëm. Kur ne rrisim të ardhurat nga rritja e absorbimit të fondeve të BE-së ne mund të rrisim investimet pa rritur deficitin dhe borxhin. Ndërsa në rastet e kredive – ne nuk mund të rrisim investimet në total pa rritur borxhin, ose ndryshojmë strukturën e tyre të financimit.
Rritja e investimeve duke rritur borxhet nuk është një strategji e qëndrueshme dhe në disa raste në varësi nga shuma dhe kostoja e kredive tregtare, ky model rritjeje ushqen një krizë më të rëndë dhe më të gjatë të financave dhe ekonomisë.
Prandaj ne duhet të kemi parasysh sa realisht është e mundshme të rrisim absorbimin/thithjen e fondeve të BE-së? Cila është historia jonë në absorbimin e fondeve nga donatorët në përgjithësi? Duhet të studiojmë përvojat e suksesshme dhe dështimet e vendeve të reja të BE-së. Kjo është një sfidë jo e lehtë dhe çdo parashikim apo pritshmëri jorealiste mund të përkeqësojë hartimin dhe implementimin e buxhetit. Kjo ndodh sepse, n.q.s. bazohemi në fondet e premtuara dhe jo në mesataret e fondeve të tërhequra/paguara, parashikojmë investime publike në nivele jo reale. Projektet ku BE është bashkëfinancuese mund të zvarriten shumë, dhe kjo i bën joefektive edhe investimet e financuara nga taksat tona dhe donatorë të tjerë.
Bazuar në analizën e fondeve të BE-së për ekonominë tonë nga viti 1992-2013, niveli i nënshkrimit të kontratave nuk është më shumë se 70% dhe mesatarja e thithjes së tyre është jo më e madhe se 39%. Disa vende të Ballkanit kanë tregues më të ulët, ndërsa disa vende të reja të BE-së akoma nuk arrijnë të tërheqin më shumë se 45% të këtyre fondeve.
Vendi ynë ka nevojë kritike për këto fonde zhvillimi. Një pjesë e tyre do të jenë të kushtëzuara me kritere strikte dhe mund të lehtësohen ose të rriten nga thellimi i bashkëpunimit rajonal. Paketa re e BE-së ka objektiv kryesor – lehtësimin dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal si paratest i integrimit europian.
Historia e deritanishme me BE-në dhe me donator të tjerë është jo pozitive. Sfida jonë mbetet rritja e aftësisë për të thelluar integrimin rajonal; për të qartësuar e unifikuar projektet rajonale prioritare; për të rritur cilësinë e projekteve kombëtare dhe përmirësimin e aftësisë implementuese të tyre. Përballja midis paaftësisë dhe aftësisë do të përcaktojë përfitimet reale nga kjo paketë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi