Enrico Letta: Evropa duhet të zgjerohet, pa të drejtën e vetos!
Intervistë me Enrico Letta, ish kryeministër i Italisë. Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”, 17 shtator 2024
Zgjerimi i unionit është një domosdoshmëri. Por është e pa mendueshme që të shtrihet e drejta e vetos për çdo vend të ri që hyn. Ndaj do të kemi nevojë për një fond shtesë që do të shoqërojë procesin e zgjerimit. 27 vendet anëtare nuk mund të përjetojnë reduktim të fondeve që marrin aktualisht. Por e përsëris: zgjerimi është thelbësor.
Një libër fryt i një udhëtimi 140-ditor. Vizita në 65 qytete evropiane dhe 400 takime, për të hartuar një raport mbi të ardhmen e tregut të përbashkët, me kërkesë zyrtare të Bashkimit Evropian, siç kishte bërë tashmë Mario Monti në vitin 2010. Librin mban titullin “Shumë më tepër sesa një treg. Udhëtim në Evropën e re”.
Autori është Enrico Letta, 58 vjeç, ish-kryeministër i Italisë sot president i institutit Jacques Delors, pra të burrit të shtetit që pati më shumë se të tjerët një rol në formimin e BE-së, dhe që me idetë e tij i hapi rrugën një rrugëtimi të përbashkët të kontinentit.
Njeriu që tha se “s’mund të dashurohesh me një treg të përbashkët”, një frazë që në atë kohë Letta-s i dukej jo bujare përballë një projekti madhështor, por me të cilën ai ndan thelbin: nevojën për të ecur përpara, dhe për të zbuluar se Evropa mund dhe duhet të bëhet shumë më tepër sesa një treg.
Në libër, ju flisni për një BE absolutisht të pazëvendësueshme. Megjithatë, ka dy qasje: Evropa si një tramvaj, në të cilin mund të hipet dhe zbritet sipas dëshirës, apo si një tren që ecën pa ndalesa…
Mendoj se kombinimi i Brexit, pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, e kanë bërë të qartë se Evropa është absolutisht e pazëvendësueshme. Brexit ishte një dështim, një përjashtim shpërdorues, vetë-shkatërrues dhe fatkeq. Para disa vitesh ishte thuajse një tendencë, edhe këtu
e kam fjalën për rrezikun e Italexit. Tani askush nuk mendon më për të. Përfshirë një vend si Suedia. Në takimet e mia atje, ma thanë shumë qartë se Suexit nuk është më një opsion. Dhe një Evropë e bashkuar nuk është vetëm e përshtatshme, por mbetet një projekt i jashtëzakonshëm që duhet ndjekur me pasion.
Nacionalizmat ushqehen nga e drejta e vetos, të cilën mund ta imponojë çdo vend. Ju propozoni ta dobësoni në një veto kolektive të të paktën 3 shteteve. A mund të miratohet ide e tillë?
Takimet që kam pasur nuk kanë qenë vetëm zyrtare. Unë kam biseduar me studentë, qytetarë, aktorë socialë. Ka një interes të madh, i cili nuk është thjesht tregtar, siç ndodh shpesh në Bruksel. Evropa konsiderohet si një mundësi e madhe. Si shansi për të mos qenë një koloni amerikane apo kineze.
Sigurisht, unë nuk i vendos në të njëjtin nivel këto 2 fuqi të mëdha. Ne kemi një aleancë të qëndrueshme me SHBA-në, por është e qartë se edhe atje ka një problem me konkurrencën. Dhe ne kemi nevojë për një vetëdije se sa vlen realisht kontinenti ynë. Po ju jap një shembull: Në Lojërat Olimpike të Parisit, SHBA-ja dhe Kina garuan për medaljet e arta më të mira.
Por le të përpiqemi të numërojmë të gjitha medaljet e Evropës: nuk ka konkurrencë. Ndaj s’ka arsye të jemi të pamëshirshëm me veten: brenda pak vitesh jemi detyruar të përballemi me një përmbysje shumë të shpejtë. Në skenë hyri Kina, me një miliard e gjysmë njerëz, gati 3 herë më e madhe se Evropa. Sërish një shembull nga Olimpiada: Në vitin 1988 Pekini fitoi vetëm 5 medalje ari, në Paris mori 40 të tilla. Dhe së shpejti në skenën globale do të imponohet India, e cila do të jetë një Kinë e dytë.
Por le të kthehemi tek e drejta e vetos…
Në të kaluarën çdo vend e konsideronte veten më të fortë. Por sot kemi nevojë për unitet. Unë do të doja të hiqej plotësisht e drejtën e vetos. Pasja e një vetoje kolektive, nga të paktën 3 vende, do të ishte një kompromis i mirë. Pra nuk do ketë më veto si ato të Viktor Orban.
BE po hap dyert edhe për vende si Ukraina, që kanë probleme me pavarësinë dhe sigurinë e tyre. Por nga ana tjetër, ka shumë shqetësime për konkurrencën e pakontrolluar…
Zgjerimi i unionit është një domosdoshmëri. Por është e pa mendueshme që të shtrihet e drejta e vetos për çdo vend të ri që hyn. Ndaj do të kemi nevojë për një fond shtesë që do të shoqërojë procesin e zgjerimit. 27 vendet anëtare nuk mund të përjetojnë reduktim të fondeve që marrin aktualisht. Por e përsëris: zgjerimi është thelbësor. Le të marrim rastin e Turqisë. U afrua me BE-në, por ne e menaxhuam lojën keq, dhe ajo ka kthyer kokën gjetiu. Për këtë po paguajmë një kosto të lartë. Le të mos e bëjmë të njëjtin gabim me Ukrainën dhe Serbinë.
Tani flitet për mbrojtjen e përbashkët, a po ndryshon Evropa realisht qasje?
Kjo duhet të bëhet në mënyrë strukturore. Sot çdo vend ka sistemin e vet të mbrojtjes, çka sjell kosto të larta. Ne investuam 140 miliardë ero për të ndihmuar Ukrainën. 80 për qind e kësaj shume të paguar nga taksapaguesit evropianë, përfundoi në sektorin e prodhimin e Shteteve të Bashkuara, Turqisë dhe Koresë së Jugut, dhe jo këtu.
Ky paradoks shkaktohet direkt nga fragmentimi i mbrojtjes së Evropës në 27 sisteme, të cilat janë shumë të vogla. Le të jemi të qartë: Evropa është një ide e paqes. Por ne e dimë se në kufijtë tanë luftërat nuk kanë reshtur ndonjëherë. Duhet ta kapërcejmë këtë fragmentim.
Po ashtu, çdo vit deri në 300 miliardë nga trilionat e kursimeve të evropianëve shkojnë në Wall Street, sërish për shkak të fragmentimit tonë në 27 tregje financiare. Po të ishim më të bashkuar, ato para do të qëndronin këtu dhe do të financonin ekonominë evropiane. Vetëm Nasdaq vlen dy herë më shumë se bursat e BE-së.
Tregjet e energjisë, telekomunikacionit dhe ato financiare ndahen sërish në 27 pjesë, ndaj duhet të integrohen. Për ta arritur këtë nevojitet guxim në inovacion dhe kërkime. Evropa u themelua mbi katër liri:të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Ajo është një ide analoge që daton në shekullin XX.
Prandaj në planin tim unë propozoj një liri të pestë: atë të inovacionit, kompetencës dhe kërkimit. Një temë kryesore: Inteligjenca Artificiale. Nuk mund të përpiqemi ta rregullojmë tani këtë sektor. Duhet të investojmë para publike dhe private në kërkimet mbi Inteligjencën Artificiale.
Pastaj është problemi i emigrantëve, ku Evropa nuk ka ende një qasje të qartë…
Unë jam dakord me guvernatorin e Bankës së Italisë, Fabio Panetta, kur thotë se kemi nevojë për më shumë Evropë dhe më shumë emigrantë të rregullt për zhvillimin ekonomik. Kjo është një çështje e madhe epokale, e cila do të shqetësojë të gjithë për dekadat që vijnë. Integrimi i emigrantëve është thelbësor për të ardhmen tonë.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë shumë pranë. Çfarë shpresoni dhe ai i frikësohet Evropa rezultatit të tyre?
Shtetet e Bashkuara përballen me një proces që mund të sjellë pasoja dramatike. Donald Trump nuk është i njëjti i 8 viteve më parë. Është shumë më i keq. Unë jam i lehtësuar nga gjesti bujar i Joe Biden, që u tërhoq edhe e lejoi Kamala Harris të garonte për presidencën. Ne kemi nevojë për një Evropë akoma më të bashkuar, jo vetëm për të konkurruar, por edhe për të mbrojtur veten./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”