Të mbrosh shtetin nga dhuna nuk do të thotë të mbrosh qeverinë nga protesta

Nga Ylli Manjani, 18 tetor 2026,

“Kam thënë që në fillim se revolucionet janë fabrika dhune. Dhe ja ku jemi!”

Kjo është përgjigjja ime për të gjitha ftesat që më vijnë nga televizionet për të komentuar situatën e përplasjeve të dhunshme.

Do të kisha preferuar shumë më tepër të dëgjoheshim e të kuptoheshim që ditën e parë, kur u shpall ideja e një revolucioni. Kur filluan sharjet dhe linçimet online. Kur u vendos arkivoli përpara Kryeministrisë. Kur rrjetet sociale u bënë nukle terrori nga gjuha linçuese, sharëse, shpifëse dhe e mbushur me urrejtje të njeriut për njeriun. Nga ky realitet virtual u ndava dhe shpëtova.

Kur filluan vezët, përndjekjet dhe intimidimet, thashë se edhe kjo është dhunë. Por përballë kisha murin e moralistëve që, në kor, bërtisnin: “S’është dhunë kjo!”.

Sot nuk jam, siç nuk kam qenë kurrë, në garë me askënd për të imponuar leximin tim të ngjarjeve. Aq më pak në një mjedis mediatik ku dhunës i jepet më shumë hapësirë, më shumë justifikim dhe shpesh më shumë të drejtë sesa logjikës.

Po përse duhet ta harxhoj unë mbrëmjen time duke bërë balancën mediatike të dhunës?!

Unë vetë kam vite që kam zgjedhur të mos informohem nga media audiovizive, që emeton më shumë emocion dhune sesa vetë dhuna.

Përse duhet të shkoj në studio, kur vetë nuk i shoh në kushte normale, për të debatuar nëse dhuna është apo nuk është dhunë? Përse duhet të përsëris sot atë që kam thënë në kohë normale, kur dhuna ende mund të parandalohej?

Nuk kam asnjë arsye ta bëj.

Tani është koha të pres përfundimin e kësaj përplasjeje. Dhe kam vetëm një dëshirë: të fitojë shteti!

Sepse, nëse fiton dhuna e rrugës, kemi humbur të gjithë.

Sado i keq të jetë shteti, ushtrimi i ligjshëm i forcës prej tij është gjithmonë më i pranueshëm sesa dhuna e rrugës apo ajo e revolucioneve. Jo sepse shtetit i lejohet gjithçka, por sepse vetëm shteti ka monopolin ligjor të përdorimit të forcës dhe detyrimin ta ushtrojë atë brenda ligjit.

Ky ka qenë mendimi im që nga përplasjet e vitit 1990 e deri më sot.

Nëse doni të debatojmë për shtetin, ligjin, demokracinë, kufijtë e pushtetit apo përgjegjësinë e institucioneve, jam i gatshëm, sipas mundësive, të jem i pranishëm në media.

Por për dhunën nuk kam më çfarë të them. Aq më pak të debatoj për legjitimitetin e saj.

Kam qenë, jam dhe do të mbetem kundër dhunës në çdo formë të shfaqjes së saj. Kam qenë kundër saj kur në pushtet ishte Ramiz Alia, kur ishte Sali Berisha, kur ishte Fatos Nano dhe jam po aq kundër edhe sot, kur qeveris Edi Rama.

Sepse qëndrimi ndaj dhunës nuk mund të ndryshojë sipas emrit të kryeministrit apo ngjyrës së partisë që qeveris.

Të jesh kundër dhunës nuk do të thotë se je me atë që qeveris. Dhe nuk mund të vijoj ta them këtë gjë për të sqaruar llogjikën pa llogjikë të dhunës në rrugë, rrjete sociale e media.

Të jesh me shtetin nuk do të thotë se je me pushtetin.

Ky është një dallim themelor që shumë njerëz ose nuk duan, ose nuk arrijnë ta kuptojnë.

Shteti nuk është pronë e qeverisë. Ai është organizimi ynë i përbashkët për të garantuar rendin, lirinë dhe të drejtat e secilit. Pushteti ndryshon me votë. Shteti duhet të qëndrojë.

Prandaj, të mbrosh shtetin nga dhuna nuk do të thotë të mbrosh qeverinë nga kritika, protesta apo përgjegjësia. Do të thotë të mbrosh rregullin demokratik nga zëvendësimi i tij me forcën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi