Kur demokracia mbetet vetëm fasadë
Nga Prof. Dr. Pal Nikolli
Demokracia nuk vdes gjithmonë me zhurmën e tankeve, me grushtet e shtetit apo me shpalljen e hapur të diktaturës. Shpesh ajo zbehet ngadalë, në heshtje, derisa qytetarët kuptojnë se pushteti që dikur u përkiste atyre ka kaluar në duart e një pakice të privilegjuar. Pikërisht në këtë moment lind oligarkia politike. Oligarkia politike shfaqet kur vendimmarrja publike nuk buron më nga vullneti i shumicës, por nga interesat e një grupi të vogël individësh që kontrollojnë partitë politike, institucionet shtetërore, ekonominë dhe mediat. Në dukje, zgjedhjet vazhdojnë të mbahen, parlamenti vazhdon të funksionojë dhe institucionet ruajnë emrat e tyre demokratikë. Megjithatë, thelbi i demokracisë, pjesëmarrja reale e qytetarëve në qeverisje, fillon të zhduket.
Historia ka treguar se oligarkitë nuk lindin brenda natës. Ato ndërtohen gradualisht përmes përqendrimit të pushtetit, kapjes së institucioneve dhe dobësimit të mekanizmave të kontrollit demokratik. Kur një numër i vogël njerëzish arrijnë të kontrollojnë financat, informacionin dhe proceset politike, konkurrenca e lirë zëvendësohet nga privilegji, ndërsa meritokracia nga klientelizmi. Në një sistem oligarkik, qytetari vazhdon të votojë, por ndjen se vota e tij nuk ndryshon asgjë. Partitë politike shndërrohen në struktura të mbyllura, ku vendimet merren nga pak individë dhe jo nga anëtarësia. Debati publik zëvendësohet nga propaganda, ndërsa institucionet që duhet të mbrojnë interesin e përgjithshëm fillojnë t’u shërbejnë interesave të grupeve të caktuara. Pasoja më e rëndë nuk është vetëm deformimi i politikës. Oligarkia krijon një krizë besimi.
Kur qytetarët humbin bindjen se mund të ndikojnë në fatin e vendit të tyre, ata largohen nga jeta publike, bien në apati ose kërkojnë shpëtim përmes emigrimit. Kjo është arsyeja pse shumë shoqëri përballen sot me paradoksin e një demokracie formalisht funksionale, por moralisht të dobësuar. Një demokraci e shëndetshme nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve, por me shpërndarjen e pushtetit. Ajo kërkon institucione të pavarura, media të lira, drejtësi të paanshme dhe qytetarë aktivë. Kur këto shtylla dobësohen, oligarkia fillon të zërë vendin e demokracisë, edhe pse simbolet demokratike mbeten të paprekura. Sfida e çdo shoqërie nuk është vetëm të ruajë procedurat demokratike, por të mbrojë frymën e demokracisë. Sepse momenti kur pushteti ndahet nga qytetarët dhe përqendrohet në duart e pak njerëzve është momenti kur demokracia rrezikon të mbetet vetëm një fasadë, ndërsa oligarkia bëhet realiteti i saj i fshehur.

Libraria Shteti Web
