Smart City apo Syri i Ciklopit?
Nga Thoma Gëllçi, 22 dhjetor 2025
Si shumë risi të tjera moderne, duket se edhe Smart City po vjen në Shqipëri jo për të zgjidhur problemet, por thjesht për t’i bërë ato më bashkëkohore. Bota evropiane, pjesë e së cilës duam të bëhemi, probleme të ngjashme i zgjidh me punë, ndërsa ne duam t’i menaxhojmë me terminologji. Kështu po ndodh edhe me Smart City, ose në përkthimin shqip “qyteti i mençur”, të cilin Kryeministri i vendit po e paraqet si qytetin vigjilent: gjithmonë me sy hapur, për të survejuar qytetarët e vet.
Nuk është hera e parë që ai ka folur për këtë gjë. Kur u bë një vrasje te rrethrrotullimi i aeroportit, ai tha se, po të mos e kishin penguar procedurat burokratike për të instaluar Smart City, vrasësit do të ishin kapur në kohë rekord. Ndërsa dje, duket se i kishte tejkaluar pengesat burokratike, ai doli dhe shpjegoi se Policia e Shtetit po pajisej me një “sy magjik”. Nuk foli për ligje, për standarde dhe reforma institucionale, por për kamera survejimi në kohë reale.
Deklaratat e kryeministrit Rama për projektin “Smart City” ndërtohen mbi një krahasim të pambështetur në fakte, kur ai sjell si shembull Jordaninë, të cilën e cilëson si “njëri nga tre vendet më të sigurta në botë”, duke e lidhur këtë siguri drejtpërdrejt me përdorimin e teknologjisë. Rama thotë se, në bisedat me autoritetet e atjeshme, “fjala e përbashkët ishte Smart City, me teknologji nga Abu Dhabi”, duke krijuar idenë se siguria publike është produkt pothuajse ekskluziv i sistemeve inteligjente dhe jo i një kombinimi kompleks faktorësh institucionalë, politikë dhe shoqërorë.
Më problematike se krahasimi është mënyra se si përshkruhet vetë sistemi që parashikohet të instalohet në Shqipëri. Sipas Ramës, “ky sistem i ri i sigurisë regjistron çdo shkelje ligjore në kohë reale dhe e dërgon menjëherë në sallën operative të Policisë së Shtetit”, ndërsa “i jep Policisë një sy magjik për të parë në kohë reale gjithë territorin e saj”. Edhe pse ai këmbëngul se “ky nuk është një projekt kamerash” dhe se nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje klasike, gjuha e përdorur përshkruan në thelb një formë kontrolli të vazhdueshëm dhe të përgjithshëm, ku policia shfaqet si një “kryeinspektor i territorit që i ka sytë gjithandej”.
Kjo mënyrë të foluri e zhvendos debatin nga Smart City në kuptimin evropian, që lidhet me përmirësimin e shërbimeve dhe jetës urbane, drejt një vizioni të sigurisë që mbështetet te shikimi i përhershëm dhe reagimi në kohë reale. Kur kryeministri e paraqet teknologjinë si një “sy magjik”, pa sqaruar kufijtë ligjorë, kontrollin institucional dhe garancitë për privatësinë, projekti më shumë është një instrument mbikëqyrjeje sesa një hap drejt një qyteti vërtet të mençur.
Në botën moderne, atë të qyteteve që funksionojnë pa konferenca propagandistike, ku kryeministrat nuk shpjegojnë teknologjinë, Smart City do të thotë bashkërendim dhe administrim efikas në dobi të qytetarit. Atje teknologjia është si një nëpunës i vjetër: flet pak, por di shumë dhe punon me rendiment. Kamera ka, por askush nuk i konsideron ato si organe kryesore të mendimit shtetëror. Tek ne, kamera po paraqitet si truri, zemra dhe ndërgjegjja e sistemit.
Estonia, për shembull, e ndërtoi shtetin digjital pa zhurmë e pa metafora. Qytetari nuk është i survejuar. Sistemet flasin me njëra-tjetrën dhe çdo veprim lë gjurmë. Zyrtari e di se, nëse gabon, gabimi do të regjistrohet për t’u riparuar pa u trashur. Jo nga qielli, por nga ligji. Në Barcelonë, Smart City nënkupton menaxhim inteligjent të energjisë, ujit dhe trafikut. Sensorët dhe algoritmet përdoren për të kursyer burime dhe për ta bërë jetën urbane më të lehtë. Në Amsterdam, teknologjia shërben për qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë. Në Singapor, të dhënat urbane përdoren për të parashikuar nevojat e së ardhmes: banim, transport, shërbime publike. Në të gjitha këto modele, kamerat ekzistojnë, por ato janë detaj, jo filozofi qeverisëse

Libraria Shteti Web
