Heronj” modernë të demokracisë sonë liberale
Nga Alba Malltezi, botuar në Gazeta Shqiptare, 3 nëndor 2023
Nuk duhet të na shqetësojnë fjalët dhe veprimet e askujt, madje përkundrazi, në mrekullinë e demokracisë liberale, në transmetimet Live të kaq shumë televizioneve informative, shqiptarët kanë mundësinë të kuptojnë më mirë dhe më pas të zgjedhin se cilët do të jenë “heronjtë”.
Demokracia liberale është i vetmi sistem i shpikur dhe i provuar nga njerëzimi deri më tani, që më shumë se çdo sistem tjetër, shpalos dhe lë hapsirën e duhur për manifestimin e natyrës njerëzore me të gjitha ngjyrat dhe format. Dhe të njohësh sa më mirë natyrën njerëzore, është një luks. Ja pse, të gjithë ne shqiptarët, duhet të këmbëngulim me pasion dhe përkushtim që të jemi pjesë e kësaj familjeje: Pjesë e familjes së demokracisë liberale perëndimore! Në demokracinë liberale, në pluralizmin e mendimit, në lirinë e medias dhe pluralizmin e realiteteve mediatike, në lirinë e tregut, individi ka mundësinë të shpalosë më të mirën e tij, por në të njëjtën kohë, edhe më të keqen e tij. Në liri dhe vetëm në liri, ne shfaqim më të mirën dhe më të keqen tonë, sipas rastit që ne përfaqësojmë, sipas asaj që ne kemi ndërtuar individualisht. Disa arrijnë të fshehin, të manipulojnë, të mos tregojnë, atë që në të vërtetë janë, por manipulimi, fshehja nuk mund të jetë asnjëherë e gjatë dhe e përhershme: Çdo lumë mund të bëjë të gjithë devijimet që dëshiron, por përfundimi i tij në detin e madh, është i pashmangshëm. Po kështu, edhe natyra jonë përballë të së vërtetës.
Thonë që kjo vlen si për individë, ashtu dhe për organizata, sisteme, shtete. Përgjatë demokracisë sonë liberale, me gjithë problematikat, defektet, pengesat, deformimet, në gjithë këto vite, kemi mundur të shohim gjithëçka dhe këdo në të gjithë metamorfozën individuale, politike dhe shoqërore.
Edhe sot. E njëjta gjë.
Në këto raste, më shumë se mijëra fjalë vlejnë pamjet, imazhet, transmetimet Live, të cilat, me gjithë dritëhijet e një media jo perfekte, e kanë shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga shumë situata, nga shumë manipulime, nga shumë intriga. Përmes transmetimeve Live, ne të gjithë kemi mundur të shohim më qartë, të rikthehemi e të kuptojmë më mirë, të bëjmë stop, të bëjmë play e riplay, e të nxjerrim përfundimet tona dhe, në fund të fundit të zgjedhim përmes fjalëve dhe veprimet e të tjerëve, por me kokën tonë, se kush janë e do të jenë “heronjtë” tanë modernë.