Përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri prodhon pasoja katastrofike…

Përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri në krye pothuajse garanton vendimmarrje me cilësi të ulët dhe me kalimin e kohës, prodhon pasoja katastrofike…

Filozofi dhe mendimtari më i kuotuar botëror, Francis Fukuyama, në një analizë të fundit, thekson se bota është drejt një epilogu, dramatik…


 

Siç bën të ditur televizioni ‘B92’, profesori i Universitetit të Standfordit, në fillim të viteve 90 parashikoi ngjitjen në podium të shteteve autokratike si Kina dhe Rusia, të cilat për një kohë do të arrinin të vendosnin në qoshe botën perëndimore. “Por tani, gjithçka po ndryshon”, shkruan ai.

Fukuyama tani thotë se gjatë dekadës së kaluar politika globale u formësua nga shtete të forta, udhëheqësit e të cilëve nuk ishin të kufizuar me ligj apo kushtetutë si Rusia dhe Kina. Këto dy vende treguan se janë më të afta për të zgjidhur çdo problem, krahasuar me demokracitë liberale që janë shumë të ngadalta. Dhe ajo valë u perhap me shpejtësi. Por gjatë këtij viti u bë e qartë se ka dobësi kryesore në zemrën e këtyre shteteve të forta.

Filozofi i madh vë në dukje dy dobësi kryesore: së pari, përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri në krye pothuajse garanton vendimmarrje me cilësi të ulët dhe me kalimin e kohës, prodhon pasoja katastrofike, dhe së dyti, mungesa e diskutimit dhe debatit publik në shtetet e ‘forta’, si dhe çdo mekanizëm llogaridhënieje, do të thotë se mbështetja për liderin është e cekët dhe mund të gërryhet nga momenti në moment.

Fukuyama thekson më tej, se demokracitë liberale i kanë rezistuar të gjitha krizave gjatë historisë dhe njerëzit i kthehen këtij koncepti sepse askush nuk dëshiron të jetojë nën një diktaturë. Miliona njerëz që largohen nga vendet e varfra, të korruptuara ose të dhunshme për të kërkuar një jetë më të mirë, jo në Rusi, Kinë apo Iran, por në Perëndimin liberal dhe demokratik, e demonstrojnë shumë mirë këtë.

Sipas Fukuyama, dobësitë e shteteve “të forta” u pasqyruan më qartësisht në Rusi. Presidenti Vladimir Putin i merr vendimet krejt i vetëm – madje ndryshe edhe nga ish-Bashkimi Sovjetik, ku kishte një Byro Politike, ku të paktën diskutohej e kishte kontroll.

Panorama më e qartë e kësaj situate janë pamjet e kohës së Covid 19, ku Putini mund të shihej i ulur në fund të një tavoline të gjatë me ministrat e tij të mbrojtjes dhe të jashtëm.

Ai ishte aq i izoluar, sa nuk e kishte idenë se sa i fortë ishte bërë identiteti kombëtar ukrainas vitet e fundit ose sa e ashpër do të ishte rezistenca ndaj pushtimit të tij në Ukrainë. Në mënyrë të ngjashme, ai nuk dinte asgjë se sa thellë kishte zënë rrënjë korrupsioni dhe paaftësia në ushtrinë e tij, se sa keq funksiononin armët moderne që ai kishte nxitur të prodhoheshin, ose sa dobët ishte stërvitur stafi i tij komandues.

Fukuyama, thekson më tej, se e gjithë cektësia e mbështetjes së Putinit, u zbulua kur ai urdhëroi mobilizim të pjesshëm, e si përgjigje njerëzit nisën të largoheshin masivisht nga vendi.

Rusia në fakt është bërë një objekt talljeje globale dhe do të vuajë poshtërime të mëtejshme nga Kievi në ditët e ardhshme, vlerëson Fukuyama.

Sipas tij, i gjithë pozicioni ushtarak rus në Ukrainën jugore ka të ngjarë të shembet dhe ukrainasit kanë një shans real për të çliruar Krimenë, për herë të parë që nga viti 2014.

Diçka e ngjashme, edhe pse pak më pak dramatike, po ndodh në Kinë, sipas Fukuyamas.

Në vend të udhëheqjes kolektive, Kina kaloi në një sistem personalist dhe Xi Jinping i siguroi vetes një mandat të ri pesë-vjeçar, i treti me radhë, të cilit asnjë zyrtar tjetër i lartë nuk mund t’i afrohet.

Dhe ky përqendrim i autoritetit në një person, ka çuar në vendimmarrje të dobët dhe ekonomia e vendit po vuan. Ata gjithashtu dështuan politikën e tyre “zero covid” sepse Kina nuk arriti të zhvillonte vaksina efektive, kështu që tani ajo që dy vjet më parë dukej si një sukses triumfues në kontrollin e Covid-19, është kthyer në një distafë të rëndë.

Dështime të tilla të regjimeve autoritare nuk kufizohen vetëm në Kinë dhe Rusi. Edhe Irani, i cili është tronditur nga protestat për vdekjen e Mahsa Amini kur ajo ishte në duart e ‘policisë së moralit’.

Sipas Fukuyama, Irani është në një gjendje të tmerrshme – po përballet me një krizë bankare, po i mbaron uji, po përjeton një rënie të madhe të prodhimit bujqësor dhe po lufton me sanksionet dhe izolimin ndërkombëtar paralizues.

Regjimi udhëhiqet nga një grup i vogël pleqsh, qëndrimet shoqërore të të cilëve, siç vlerëson ai, janë disa dekada mbrapa.

Një tjetër vend nën diktaturë që mund të kualifikohet si i qeverisur edhe më keq, është Venezuela, e cila ka prodhuar fluksin më të madh të refugjatëve në botë në dekadën e fundit.

Fukuyama thekson se pikëpyetja e madhe në gjithë këtë, për fat të keq, mbeten Shtetet e Bashkuara. Rreth 30 deri në 35 për qind e votuesve të tyre ende besojnë në historinë e rreme se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u manipuluan.

Partia Republikane është nën kontrollin e Trumpit, që po fut në politikë të gjithë negacionistët.

Ai, pra Donald Trump, është futur gjithnjë e më thellë në një furi konspirative që ai beson se mund ta kthejë përsëri në pozitën e presidentit dhe se shteti duhet të ndëshkojë penalisht paraardhësit e tij presidencialë, duke përfshirë një që tashmë ka vdekur, thekson Fukuyama. Sipas të cilit kjo situate do të shpërthejë fort, por nuk ka garanci se do të fitojë Perëndimi, apo do të prevalojë çmenduria e Putinit dhe Xi Jinping, që kanë shumë në dorë t’i bëjnë gjëmën botës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi