Lidershipi është përgjegjësi

Nga Valbona Zeneli dhe Joseph Vann, botuar në Panorama, 24 gusht 2022

Pothuajse çdokush mund të lundrojë një anije në det të qetë, por duhet një dorë e qëndrueshme për të mbajtur timonin në mot me stuhi. Pushtimi rus i Ukrainës është pa dyshim stuhia më e madhe e këtij shekulli. Ajo që filloi si një konflikt qartësisht i zonës gri u shndërrua në një luftë të nxehtë, megjithë mosbesimin fillestar të komunitetit ndërkombëtar. Duke shqyrtuar tablonë e përgjithshme, duhet të pranojmë faktin se jemi tashmë në një luftë të re të ftohtë, që është jo më pak një kërcënim ekzistencial për mbijetesën tonë sesa e lufta e fundit e ftohtë që mbizotëroi deri në fillimvitet ‘90.

Kjo luftë e re e ftohtë është tashmë rrënjësisht e ndryshme nga ajo e pas Luftës së Dytë Botërore. Si horizonti kohor, ashtu edhe hapësira e betejës do të jenë më shumëdimensionale, në të gjithë spektrin gjeopolitik dhe ekonomik global, dhe do të përfshijnë si aktivitete ne zonën e ashtuquajtur gri apo aktivitete hibride, duke përfshirë edhe angazhim të plotë kinetik.

Aktivitetet keqdashëse të kundërshtarëve do të shfrytëzojë çdo mundësi për të degraduar dhe destabilizuar rendin ligjor ndërkombëtar. Lufta kibernetike dhe lufta e informacionit do të mbizotërojnë së bashku me përdorimin e paturpshëm të dezinformacionit dhe historive revizioniste për të ndikuar tek audiencat me vulnerabël. Për të mbizotëruar në këtë Luftë të Re të Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe aleatët e tyre do të kenë nevojë për një strategji të përqendruar, në vendimmarrje të disiplinuar sipas objektivave, të orkestruar me hapat e duhur drejt synimeve afatgjata dhe të mirëdakorduara.

Udhëheqja kolektive dhe e palëkundur dhe zëri i përbashkët, që u mbijeton cikleve zgjedhore, do të jetë një nga elementët më thelbësorë. Qartësia në mesazhet në lidhje me domosdoshmërinë e vlerave demokratike dhe rëndësinë e respektimit të një rendi global ligjor të bazuar në rregulla nuk duhet të lërë vend për dyshime.

Fuqitë revizioniste si Rusia dhe Kina janë kërcënimi më i madh për rendin ndërkombëtar. Të dyja këto vende kanë aktivizuar qarqe (lidhje) që ne i kemi injoruar për vite me radhë. Ballafaqimi me sjellje të këqija është shmangur shumë shpesh me shpresën se shkeljet do të pakësoheshin me kalimin e kohës dhe situata do të përmirësohej. Megjithatë, shpresa nuk është kurrë një strategji e mirë. Rusia dhe Kina kanë injoruar për kohë të gjatë rregullat e rendit ligjor dhe tashme po evokojnë idenë se rregullat për rendin ndërkombëtar duhet të rishkruhen. Versioni i tyre i një rendi të ri global thjesht nuk është në përputhje me parimet demokratike të sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Me këtë si një sfond, nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim, SHBA dhe aleatët e saj – duan apo jo – duhet të performojnë në qendër të skenës globale. Pse? Sepse në fund të fundit, SHBA dhe rendi ndërkombëtar perëndimor janë ende kornizat e preferuara, jo vetëm për ne që kemi fatin të përfitojmë prej tyre, por edhe për vendet aspirante në mbarë botën.

Në ditët e vështira të fitores së pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA e lejuan veten të përfshihen në një mori ndërhyrjesh të huaja. Të nxitur nga vlerat dhe parimet apo nga krenaria, disa prej tyre nuk përfunduan mirë. Efekti plagë në psikikën e qytetarëve të SHBA-së, edhe për shkak të kritikave apo “drejtimit me gisht ndaj SHBA” të disa prej aleatëve, partnerëve dhe kundërshtarëve, ka pasur ndikim të konsiderueshëm.

Megjithatë, udhëheqja sjell me vete gjithmonë edhe risqe e rreziqe. Por në këtë drejtim, është më e rëndësishme të mësosh nga gabimet sesa të paralizohesh nga frika e gabimeve në të ardhmen. Gjeopolitika dhe çështjet botërore do të jenë gjithmonë të ndërlikuara dhe komplekse. Është thjesht një biznes i vështirë. Sidoqoftë, duhet zotëruar për të dalë fitimtar. Përndryshe, ata aktorë me qëllime keqdashëse, do të lëvizin me kënaqësi për të dominuar skenën ndërkombëtare. Sigurisht, demokracitë janë larg të qenit perfekte, por sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave përmirëson qeveritë drejt përfshirjes dhe funksionalitetit në respekt për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Mungesa e këtyre parimeve themelore fton një sistem qeverisjeje “Mad Max” (karakterizuar nga anarki dhe dhunë), i cili fatkeqësisht preferohet nga liderët autoritarë, sepse për sa kohë që ata mbajnë pushtetin, ata gëzojnë frytet e shkeljeve të tyre.

Shpesh, për të rregulluar problemet ne flasim për zgjidhje të tipit të Planit Marshall. Ajo që na nevojitet, megjithatë, është një lloj i ri i Planit Marshall – një plan që do të shërbente për t’i dhënë një qëllim t ri rendit ekonomik liberal ekzistues. ShBA dhe Bashkimi Europian (BE) përfaqësojnë bllokun më të madh tregtar në botë, megjithatë ky motor ekonomik nuk po funksionon sipas potencialit të tij të plotë. Ekonomia transatlantike ka prodhuar bllokun tregtar dhe te investmeve më të madh dhe më të suksesshëm në botë. Ajo përbën më shumë se 30% të ekonomisë globale. Mosshfrytëzimi i këtij potenciali të madh të papërdorur është i papërgjegjshëm.

Pandemia e Covid-19, sjellja e Kinës, pushtimi i paimagjinueshëm rus i Ukrainës kanë nënvizuar rëndësinë e një hapësire të gjallë ekonomike transatlantike ku SHBA dhe Europa të mund të mbështeten te njëratjetra për akses për të gjitha nevojat e tyre. Në një botë ku tensionet tregtare dhe ndërprerjet teknologjike po rriten, dhe ekonomitë e shkallës po zvogëlohen, krijimi i një partneriteti serioz ekonomik transatlantik nuk duhet injoruar absolutisht në asnjë mënyrë.

Ndërtimi i një bashkimi ekonomik transatlantik të thellë nuk do të jetë aq i vështirë nëse udhëheqja politike në të dyja anët e Atlantikut do të kuptonte rëndësinë e rezultateve. Koordinimi strategjik në promovimin dhe mbrojtjen e tregjeve të lira, bizneseve të ndershme, teknologjive inovative, infrastrukturës kritike dhe sundimit të ligjit demokratik do të sillte përfitime të jashtëzakonshme për resiliencën tonë kolektive.

Këtu nuk bëhet fjalë për benefite të vogla, bëhet fjalë për një traktat të ri investimesh transatlantike dhe një treg të përbashkët dixhital, ku SHBA dhe Europa punojnë së bashku ndërveprueshmërisht për vendosjen e rregullave dhe standardeve globale për teknologjitë kritike. Kështu komuniteti transatlantik mund te formojë dhe mbizotëroje në kapitujt e ardhshëm të ekonomisë globale. Përfshirja e partnerëve të ngjashëm si Japonia, Australia, Koreja e Jugut dhe të tjerë, do të riformatonin tregtinë globale për të sjellë të ardhura dhe standarde me të larta jetese për të gjithë. Shifrat nuk gënjejnë. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të konkurruar me Kinën dhe Rusinë, por edhe më shumë, do të ishte mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë tonë.

Strategjia jonë në vazhdim duhet të jetë pragmatike për sa i përket faktit se despotët brutalë do të ngrihen sa herë që nuk do të kontrollohen dhe do të kthehen përsëri nëse lejohen. Kostoja e menaxhimit dhe rregullimit të vendeve me probleme është pothuajse gjithmonë më e shtrenjtë se kostot ekonomike të të qenit proaktiv në parandalim. SHBA së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre demokratikë duhet të përqafojnë lidershipin global dhe të mos shmangin prej tij. Ne nuk mund ta abdikojmë këtë rol. Edhe pse shpesh e zhurmshme, demokracia është alternativa më e mirë dhe e vetme. Për këtë arsye, duhet të ketë falje për të bërë gjënë e duhur. Krejt e kundërta.

***

Dr. Valbona Zeneli është profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare dhe Drejtuese e Departamentit për Iniciativat Strategjike ne Qendrën Europiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë. Ajo është gjithashtu eksperte e “Europe’s Future” në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë.

Joseph Vann është profesor i Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Qendrën Europiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë. Ai është gjithashtu ish-Zëvendësdrejtor dhe Këshilltar Strategjik i NCIS.

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, Departamentit të Mbrojtjes apo të qeverisë së SHBA.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi