Atdheu je ti! Thuaje një fjalë të mirë për Shqipërinë
Nga Dritan Gremi, botuar në Java, 20 korrik 2022
Atdheu je ti! Ti që ike për një jetë më të mirë, por vazhdon ta kërkosh në metropolet e Europës! Ti që edhe sot do kesh 100 ankesa apo të shara për trafikun, për ajrin e ndotur të qytetit, për fqinjin që qesen e plehrave e la sërish poshtë pallatit, për radhët në spital, për papunësinë e lartë, për rrogën e ulët, për çmimin e qepës…. apo nuk e di për çfarë tjetër!
Të lodhur nga 40 vite komunizëm, ndërsa përpiqemi ende të dalim nga tranzicioni që tashmë i kaloi 30 vite, duket se shumë prej nesh kërkojnë alternative të tjera. Do doja që fjalinë: Në Shqipëri kanë mbetur më të dobëtit, ta zëvendesoja me shprehjen, në Shqipëri kanë qëndruar guximtarët.
A është ikja një zgjidhje? Druaj se jo.
Por sigurisht bota është e hapur, është e tëra një shtëpi! Le ta kthejmë në favorin këtë argument. Le t’I themi botës së kush jemi! Le t’i tregojmë se kemi mbijetuar 40 vite në një prej diktaturave më të egra të Europës; le t’i themi se kemi shpërndarë dashuri edhe në ato kohë të vështira, se kemi krijuar art dhe kemi dashur perëndimin edhe atëherë kur me antena të fshehura ndiqnim televizionet italiane, duke rrezikuar burgun.
Ti që jeton jashtë Shqipërisë, e ke ndarë me miqtë e tu atje këtë pjesë të historisë sonë? Atë pjesë të errët, që në fakt do të hidhte më shumë dritë mbi identitetin tonë, mbi të shkuarën që ka lënë gjurmë, por që nuk duhet të na pengojë për të parë të ardhmen.
Atë të ardhme, që ne e aspirojmë të jetë Europiane. Por si? Çfarë presim? Që Europa të hapë dyert e të na pranojë për mëshirë? Për keqardhje, apo thjesht për kalkulime shifrash? A nuk është ky momenti që ne vetë ta ftojmë Europën të na njohë?
Si?! Unë mendoj se ka vetëm një rrugë. Europa nuk është një konvencion, në fakt Europa janë njerëzit e saj. Sa na njohin ne Europianët? Le t’ja bëjmë këtë pyetje vetes. Çfarë mendon për Shqipërinë, një italian, një belg, një francez apo një zviceran?
A është Shqipëria vendi i mafies, i trafikut të organeve, i drogës, i varfërisë, i prapambetjes dhe i sheriatit? Apo është vendi I mikpritjes, I plazheve të bukura, I njerëzve bujarë, I të rinjve anglishtfolës, plot energji dhe aspirata?
A janë shqiptarët njerëzit që mbushin burgjet e Europës, apo artistët si Saimir Pirgu apo Ermonela Jaho që këndojnë nga La Scala, në operën e Parisit, Vjenës dhe Amsterdamit.
Cila është Shqipëria? Sigurisht ajo që ti sheh, ajo që ti përcjell, ajo që ti tregon, ajo që ti zgjedh të jetosh.
Çfarë thua për Shqipërinë kur të pyesin? Ti që jeton në Vjenë, Milano, Romë, Paris, Barcelonë, Amsterdam, Londër, Bruskel apo Berlin? A ke zgjedhur që kolegët e tu të punës t’i ftosh për një vizitë në Shqipëri? A u ke folur atyre për të shkuarën dhe të tashmen e shqiptarëve, a u ke treguar atyre histori të bukura shqiptarësh, që në nisje nga asgjëja me punë të ndershme dhe sakrificë kanë ngritur bizneset e tyre, kanë ndërtuar jetën e tyre në vendin që duan?
Nëse qytetarët e thjeshtë të Europës do të na njohin përmes njerëzve të vërtetë, jetës së vërtetë, sigurisht që do të na donin me të vërtetë.
Para se të ankohesh për realitetin, për shqiptarët , për veset apo të metat e tyre, arrite t’i njohësh dhe t’i thuash me zë të lartë meritat e tyre?
Thuaje edhe ti një fjalë të mirë për Shqipërinë! Një fjalë të ndjerë, të vërtetë, nga ato që të rrisin shpresën e të bëjnë krenarë.
Thuaje një fjalë të mirë për vendin tënd, gjej një shembull pozitiv, shpërnda një histori të bukur dhe bëhu pjesë e një ndryshimi që mund të nisë me Ty.
Nëse u lodhe dhe vendose të ikësh, nëse u ndjeve i përdorur dhe vendose të heshtësh, nëse u ndjeve i thyer dhe kërkove të qash, e pyete veten nëse kishte një rrugë tjetër?
I dashur mik, jeta na vjen vetëm një herë e shpesh na vë në sfida të vështira! Ndoshta në fund të rrugëtimit tonë të gjithë do pyesim: A veprova ashtu si duhej? A bëra gjithçka munda dhe gjithçka më takonte për të lënë gjurmën time mbi tokë?
Le të nisim me një hap të vogël, me një hap të parë , por me shumë dashuri. Le të themi një fjalë të mirë për vendin tonë, kudo ku jemi. Le të bëhemi zëri i atdheut aty ku jetojmë, që nesër të mos qajmë për fatin që në ra, për botën që s’na njeh apo për BE-në që nuk na kupton.