Për idealin europian!

Nga Ditmir Bushati, botuar në JavaNews, 9 maj 2022

Lidhjet tona me Europën i kanë rrënjët në historinë e lashtë që nga koha e Greqisë dhe Romës antike. E më pas, në mesjetë kur gjatë shekullit të 15-të paraardhësit tanë nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë europiane, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e krishtërimit dhe vlerave europiane.

Aleancat politike të Gjergj Kastriotit me fuqitë europiane të kohës ishin shkëndija të shpirtit thellësisht evropian të shqiptarëve asokohe. Skënderbeu shënjoi politikisht vetëm shprehjen e përkatësisë tonë të kahershme europiane.

Më vonë, këto shenja politike u pasuan nga zhvillimi shpirtëror i popullit tonë ku pena të shquara si Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi dhe më vonë një plejadë e artë e inteligjencës shqiptare si De Rada, Naim Frashëri, Mjeda, Asdreni, Fishta e shumë të tjerë, u bazuan te vlerat e fryma e rilindjes europiane për të projektuar modelin e shoqërisë së ardhshme shqiptare.

Alfabeti latin i gjuhës shqipe, ndër më të lashtat gjuhë indo-europiane, tregon qartë pikën e rëndesës së shoqërisë tonë, drejt perëndimit.

Edhe në periudhën e errët të diktaturës komuniste, penat e shquara të intelektualëve si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Lasgush Poradeci, At Zef Pllumi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli e të tjerë, ishin frymëmarrja europiane e Shqipërisë.

Arbëreshët e Italisë së Jugut, një nga diasporat më të hershme shqiptare janë gjithashtu fotografia njerëzore e frymës europiane të shqiptarëve.

Kujtesa jonë e gjallë dëshmon se lidhja jonë me Europën në fakt ka qenë dhe mbetet organike.

Për këtë arsye, fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve 90’-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht.

Këtë vit ne festojmë Ditën e Europës në një kontekst tjetër si rezultat i agresionit rus kundër Ukrainës. Pakkush e mendonte këtë luftë në Europën e vitit 2022, pas luftrave të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Vështirë ta rrokte imagjinata një tjetër eksod biblik në Europë, pas atij që përjetuan motrat e vëllezërit tanë në Kosovë, si ai që po ndodh me ukrainasit, të cilët duan të shpëtojnë nga kthetrat e luftës.

Ndaj, sot në Ditën e Europës, çdokush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti europian teksa një pjesë organike e tij mbetet ende jashtë? Përgjigja është: JO!

Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit europian. Mbase te e pandehura qëndron edhe gabimi ynë sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata. Nuk mjafton të thuash se para 2000 vjetësh kur kufiri i Europës ishte diku në veri të Italisë së sotme, ne kuvendonim në forume krahas grekëve e romakëve të lashtë. Platoni ishte fqinj, Jul Cezari caktonte  Apoloninë si vend për edukimin e Oktavianit dhe ne i binim kryq e tërthor Mare Nostrumit.

E kaluara sado e lavdishme të ketë qenë nuk përbën justifikim për tashmen. Duhet ta meritosh atë.

Europa është një bashkim që simbolizon lirinë dhe barazinë, respektin për të drejtat e njeriut, solidaritetin, sundimin e së drejtës dhe synon që permes procesit të anëtarësimit të shteteve që dëshmojnë vendosmëri politike për të përqafuar këto vlera, të bëhet më e fortë dhe më konkurruese në skenën ndërkombëtare.

Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshte plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati një dhimbje.

E pra, në familjen europiane ne do të shkojmë si komb, si nyje, duke mbajtur me vete amanetin e paraardhësve dhe premtimin për pasardhësit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi