Si një republikë kryeministrore
Nga Fatos Tarifa, botuar në Dita, 6 maj 2022
Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se “Shqipëria është Republikë Parlamentare”. Kjo do të thotë se Republika e Shqipërisë duhet të funksionojë si një sistem parlamentar qeverisës, në të cilin, legjitimiteti i ekzekutivit, buron nga Parlamenti dhe para Parlamentit qeveria jep llogari.
Për fat të keq—dhe në një mënyrë që realisht (edhe pse jo formalisht) është anti-kushtetuese—Shqipëria duket se po shndërrohet dhe funksionon si një republikë kryeministrore. Jo si një republikë parlamentare, as si një republikë presidenciale, por si një republikë kryeministrore.
Ky është një realitet politik jo vetëm potencialisht i rrezikshëm, por edhe realisht i tillë, sepse krijon kushte dhe mundësi për një mënyrë autoritariste qeverisjeje.
Parti të dobta, liderë të fortë
Një ndër arsyet pse kemi ardhur në këtë pikë është se partitë politike kryesore të vendit janë organizata politike të dobta. Parti të dobta krijojnë liderë të fortë dhe liderë të fortë, që drejtojnë parti të dobta, në mënyrë inhrente tentojnë të drejtojnë me metoda autoritariste, jodemokratike.
Parti politike të dobta krijojnë kultin e indivit që i drejton ato, kultin e liderit. Berisha dje dhe—për fatin e keq të atyre që vazhdojnë t’i shkojnë pas—edhe sot. Nano nuk u bë dot (dhe nuk mund të bëhej) një lider i tillë, sepse në kohën e tij, Partia Socialiste ishte një organizatë politike ndryshe nga kjo që është sot.
Ajo ishte një parti, në të cilën, pavarësisht autoritetit politik e moral të kryetarit të saj, gëzonin autoritet edhe një një grup i gjerë anëtarësh në forumet drejtues të saj.
Sot, i tërë autoriteti politik i Partisë Socialiste është përqendruar në figurën e kryetarit të saj.
Pavarësisht rutinës së funksionimit të saj, kongreseve dhe forumeve që, me elementët e tyre teatralë më shumë u ngjajnë spektakleve artistikë sesa tubimeve politikë, askush tjetër në PS dhe as në forumet drejtues të kësaj partie nuk ka kurajën të shprehë një mendim të ndryshëm nga ai i kryetarit të partisë. Aq më pak nëse është fjala për të kritikuar kryetarin e saj për pikëpamje, qëndrime ose nisma politike të diskutueshme, ose të pamenduara mirë.
Një parti politike e dobët, por me një lider të fortë, kur fiton në zgjedhje, krijon një qeveri të dobët me një kryeministër të fortë. Kjo ka ndodhur mëse një herë në Shqipërinë e këtyre tridhjetë e dy viteve të fundit.
Një qeveri e tillë është edhe kjo që drejton Shqipërinë sot. Një qeveri e dobët, me një kryeministër të fuqishëm. Ky i fundit drejton një parti politike, e cila, edhe pse ende është më e madhja në vend, është një parti e dobët (jo numerikisht), me një kryetar të fortë.
Kaq i fortë është kryetari i Partisë Socialiste, sa askush në forumet dhe në organet drejtuese të saj nuk ka guxuar dhe nuk guxon të kandidojë për atë post, ose kërkojë zëvendësimin e tij në atë post nga një socialist tjetër, jo domosdo më i ri në moshë, por më i ditur, më i aftë dhe, sidomos, më socialist se kryetari aktual.
Kjo nuk ka ndodhur dhe duket se, nëse rrethanat që kushtëzojnë veprimtarinë e kësaj partie dhe marrëdhëniet e bazës dhe të organeve drejtuese të saj me kryetarin e partisë mbeten këto që janë, z. Rama mund të “mbretërojë” për sa kohë që dëshiron në krye të PS-së dhe, sa herë që kjo parti fiton zgjedhjet, edhe në krye të qeverisë së Shqipërisë.
Partia Socialiste dhe qeveria e saj nuk kanë sot një opozitë të vërtetë politike që ta kontestojë, ose ta rrezikojë atë. Në Shqipëri, sot mungon një shoqëri civile e vërtetë dhe vibrante, e cila të ishte në gjendje ta mbronte shoqërinë nga shteti dhe ta kufizonte arrogancën shtetërore.
Njëzet mijë e kusur organizata e shoqata joqeveritare që vegjetojnë në këtë vend nuk kanë asgjë të përbashkët me një shoqëri civile të vërtetë. Për më tepër, një pjesë e madhe e tyre janë të politizuara dhe aq të korruptuara, sa e bëjnë më të lehtë mundësinë për të qeverisur keq.
Në kushte të tilla, me një parliament të cilin e dominon, me një sistem gjyqësor ende në reformim e sipër, me një kryetar shteti krejt të pafuqishëm për ndikuar në jetën politike të vendit, me një shoqëri civile anemike dhe, sidomos, me një opozitë të përçarë e të dobët, votat e së cilës në parliament janë të pamjaftueshme për të mundësuar përmirësimin e qeverisjes së vendit, kryetari i partisë më të madhe dominon jo vetëm tërë procesin politik ligjbërës dhe vendimarës, por çdo aspekt të jetës e të veprimtarisë shtetërore e shoqërore, përfshirë edhe atë ekonomik.
Një realitet i tillë nuk është një ogur i mirë për demokracinë shqiptare. Nga maja e piramidës së pushtetit, kryeministri mundet edhe të mos e shohë, të mos e kuptojë, ose të mos e pranojë këtë realitet.
Por realiteti i gjërave nuk është thjesht një çështje perspektive, as thjesht një çështje aftësish epistemike apo kongnitive.
Koha për ndryshim
Unë mendoj se, pas 32 vitesh eksperimentesh dhe dështimesh të shumta në qeverisjen e vendit, ka ardhur koha të bëjmë një ndryshim të madh. Jo një eksperiment të ri, por një ndryshim esencial në mënyrën e qeverisjes dhe në të kuptuarit e qeverisjes.
Shumë njerëz do të më kundërshtojnë dhe shumë të tjerë mund të mendojnë ndryshe nga unë, por unë besoj se, pavarësisht progresit të bërë deri më sot (dhe unë nuk bëj pjesë ndër ata njerëz që e mohojnë progresin e bërë), ka ardhur koha të shohim fytyra të reja në politikë, fytyra të reja në krye të partive politike, fytyra të reja në parliament, fytyra të reja në krye të qeverisë.
Jo fytyra më të bukura, por mendje më të mençura e më të pavarura, individë më të aftë e më të ndershëm. Boll më me këta që kemi pasur për 30 ose 20 vite me radhë dhe boll më me njerëz të paprovuar.
Listat e kandidatëve për deputetë nuk sjellin në sistem njerëzit më të ditur dhe më të aftë, por servilët e puthadorësit e kryetarëve të partive kryesore. Vetë këta të fundit, duke filluar nga kryetari i Partisë Socialiste, i cili, për nëntë vite me radhë drejton qeverinë e këtij vendi, duhet të vihen në provën e pëlqimit popullor, në provën e atij që Monteskjë dhe Rusoi e quanin volonté générale dhe që përbën thelbin e doktrinës së tyre mbi legjitimitetin politik.
Nëse listat e njerëzve që do të duhet të përfaqësojnë demosin e këtij vendi në parlament hartohen nga kryetarët e partive politike dhe vetë këta, kryetarët, në këto lista janë të sigurt se zgjidhen, ne nuk mund të dimë nëse përfaqësuesit e popullit në parliament (dhe në një sistem të vërtetë demoktatik populli është i vetmi pouvoir constituent), ose ata njerëz që emërohen të drejtojnë qeverinë e vendit, gëzojnë vërtet aprovimin moral të shumicës së shoqërisë.
As z. Rama dhe askush nga ata që kanë drejtuar deri më sot qeverinë e këtij vendi nuk janë votuar ndonjëherë drejtpërsëdrejti nga qytetarët. Partitë e tyre po, por jo vetë ata.
Dikush mund të thotë se sistemi ynë politik është një demokraci përfaqësuese, jo një demokraci e drejtpërdrejtë dhe, prandaj, ata që zgjidhen të hartojnë ligjet që qeverisin shoqërinë tonë, si dhe ata që vihen në krye të punëve të shtetit, përfaqësojnë vullnetin e shumicës së popullsisë. Po. Eshtë e vërtetë. Por aprovimi politik dhe aprovimi moral nuk janë e njëjta gjë dhe, prandaj, kufizimi i periudhës për këdo që zgjidhet në krye të shtetit, ose në krye të qeverisë është një kusht i domosdoshëm për shëndetin e demokracisë.
Washington dhe Jefferson
Unë e di se jo gjithnjë analogjitë historike bëjnë kuptim. Por ne mund të mësojmë nga përvojat historike—nga përvoja jonë dhe nga përvojat më të mira të të tjerëve. Kur u krijua Republika Amerikane, nuk kishte asnjë kufizim kushtetues që një president ta mbante atë post për jetë.
Qysh nga koha kur George Washington u zgjodh Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara (1789-1797) dhe deri më 1951, kur president i atij vendi ishte Harry Truman, çdo president amerikan mund të qëndronte në krye të Shtëpisë së Bardhë për aq mandate (pa asnjë kufizim) sa herë mund të fitonte në zgjedhje.
Por, ata që e themeluan republikën amerikane nuk donin që republika e tyre të ishte një farë “elective monarchy” dhe as të krijonin një tjetër mbret à la George III, nga i cili ata sapo kishin fituar pavarësinë, pra një president që mund të zgjidhej dhe të sundonte përjetë.
Edhe pse Kushtetuta amerikane nuk i pengonte, George Washington dhe Thomas Jefferson krijuan precedentin e dy mandateve për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Washington refuzoi të kandidonte për një mandat të tretë, ndërsa Jefferson ishte i bindur se dy mandate janë të mjaftueshëm për një individ në krye të republikës dhe se qëndrimi për një kohë më të gjatë në krye të ekzekutivit (në Shtetet e Bashkuara presidenti është jo vetëm kreu i shtetit, por edhe kreu i qeverisë) rrezikon ta zgjerojë pushtetin ekzekutiv dhe të krijojnë një “tirani presidenciale” (presidential tyranny).
Pas presidentëve Washington dhe Jefferson, dy mandate u bënë standardi jozyrtar i kohëzgjatjes në pushtet të çdo presidenti amerikan. Në rrethanat e jashtëzakonshme të Depresionit të Madh dhe të Luftës së Dytë Botërore, vetëm Franklin Roosevelt u zgjodh 4 herë në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, por vdiq vetëm pak muaj pasi ishte zgjedhur për herë të katërt.
Në shkurt të vitit 1951, me amendamentin 22, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e kufizoi në dy mandate postin e presidentit të vendit. Edhe pse, më 1987, presidenti Ronald Reagan u përpoq ta revokonte këtë kriter kushtetues, përpjekja e tij nuk u përkrah.
Dy mandate, jo më shumë
A kemi se ç’të mësojmë nga kjo përvojë e demokracisë amerikane? E di që do më thoni se Shtetet e Bashkuara janë një republikë federative presidenciale, ndërsa Shqipëria është një republikë parlamentare. Kështu është.
Por, në sa parashtrova më sipër, nuk bëhet fjalë për të adoptuar sistemin amerikan. Kjo, edhe nëse do të dëshironim, do të ishte ontologjikisht dhe praktikisht e pamundur. Por, nga filozofia politike e themeluesve të demokracisë amerikane kemi shumë se ç’të mësojmë.
Fjala vjen, prej tyre mund të mësojmë se zgjedhjet e lira janë të domosdoshme për të ndërtuar një demokraci, por ato, siç ka provuar në shumë raste përvoja historike, mund të krijojnë e të legjitimojnë edhe një diktaturë.
James Madison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara, shprehej gjithnjë i shqetësuar sa i përket “tiranisë së shumicës” (tyranny of the majority). Ai besonte se tirania e shumicës, ose mundësia që shumica që kontrollon kongresin (parlamentin) të nëpërkëmbë e të shkelë të drejtat e pakicës ose të individëve, përbën një rrezik real për çdo formë demokratike qeverisjeje.
Thomas Jefferson, gjithashtu, fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur” (elective despotism), duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë po aq shtypës sa edhe një i vetëm”.
Tirania e shumicës dhe despotizmi i zgjedhur nuk janë rreziqe imagjinarë për demokracinë, sidomos për një demokraci ende të pakonsoliduar si kjo e jona. Kreu i qeverisë aktuale i ka votat e shumicës në parlament dhe nuk është e pamundur që ai—dhe qeveria që ai drejton—t’i shmangen llogaridhënies në atë institucion themelor të demokracisë, ose, edhe më keq, të mos e shohin llogaridhënien si një detyrim që buron nga parimet e organizmit e të funksionimit të formës demokratike të qeverisjes.
Nëse ke numrat, pra nëse ke shumicën në parliament, nuk është e vështirë—dhe as e pamundur—të abuzosh me pushtetin dhe ta shpërdorosh atë. Dhe nëse individët që e përbëjnë këtë shumicë parlamentare i ka zgjedhur vetë kryetari i gjithëfuqishëm, i pakontestuar dhe “i pazëvendësueshëm” i partisë, që është edhe kreu qeverisë, jo vota e drejtëpërdrejtë e popullit, është e mundur që kreu i partisë të shndërrohet në një kryeministër “despot të zgjedhur”, ndërsa sistemi dhe metodat qeverisjes të ishin ato të një republike kryeministrore, jo të një republike parlamentare.
Unë mendoj se jo vetëm z. Rama, por kushdo që në të ardhmen do të ketë nderin dhe përgjegjësinë që të drejtojë qeverinë e këtij vendi, duhet të kuptojnë atë që mendimtari i madh iluminist, diplomati i shquar dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, Thomas Jefferson, 220 vite më parë e shprehte si një bindje politike të tij se dy mandate janë të mjaftueshëm për një individ në krye ekzekutivit dhe se qëndrimi për një kohë më të gjatë në krye të qeverisë rrezikon ta zgjerojë pushtetin ekzekutiv dhe të krijojnë një “tirani presidenciale”—në një sistem politik si ky i yni, një “tirani kryeministrore”.
—–