Të vërtetat që demokratët duhet të dijnë

Nga Gelanda Shkurtaj, botuar në Panorama, 22.12.2021

Kuptimi i demokracisë si term, vjen nga greqishtja dhe përkufizon raportin e popullit me rendin, ose  të ushtrimit të sovranitetit në mënyrë të hapur dhe të barabartë nga ana e popullit. Edhe pse sot, në konceptin politik, fjalës demokraci i janë dhënë ngjyrime të ndryshme, në thelb ajo kërkon mendimin e hapur dhe lirinë e vendimmarrjes. Partia Demokratike shqiptare lindi atëherë kur kampi socialist dhe regjimi totalitar, antagonisti i demokracisë, ra në të gjithë Europën Lindore. Nuk lindi si pasojë e luftërave prej dekadash apo mijëvjeçarësh, për të shprehur një vokacion apo kërkesë fiziologjike të shqiptarëve për të pasur demokraci. Partia e sapolindur në këtë hulli logjike nuk mund të kishte forma ndryshe në politikëbërje se jo, ato të partisë së sapoikur. Evidenca më e saktë e kësaj së vërtete historike u vu re në kontradiktën e krijuar menjëherë me të persekutuarit politikë, për t’i çuar brenda pak vitesh deri në pikën e paradoksit ku ata mbështetën të majtën persekutore, ndofta me ndërgjegjësimin se kjo e fundit të paktën nuk ishte hipokrite. Marrë në kontekstin e asaj kohe, sot do të dukej e parëndësishme mënyra se si u origjinua PD-ja, por ajo çfarë mbetet problem është fakti se ajo kishte në dorë të gjente një rrugëzgjidhje demokratike për të ardhmen e saj dhe të vendit. Që prej asaj date, me të gjitha ecejaket politike të Shqipërisë, edhe më skeptikët kanë kuptuar se e djathta në thelb as nuk ka bërë ndarjen nga lidershipi i saj me krimet e komunizmit, dhe as ka ndërtuar struktura demokratike sikundër është vetëquajtur që në filozofinë e krijimit të saj. Historia ka mësuar gjithmonë se luftën e bëjnë masat dhe pushtetin nuk e marrin heronjtë, ndryshe nuk do të mbesnin në piedestale dhe shtatore.

Berisha, lideri historik dhe karizmatik, erudit dhe i palodhur, është drejtuesi i kësaj të djathte që prej krijimit, me një të veçantë që rrallë liderë mund të kenë në botë. Lidhja e tij me pushtetin është një binom që shkon shumë përtej përkatësisë politike, qoftë ajo e majtë e djathtë apo e qendrës. Ky lider mund të jetojë edhe pa ajër, por jo pa pushtet, e nëse dikush e kërcënon në këtë pike, rruga e vetme e njohur prej tij është eliminimi i kundërshtarit. Kjo sjellje anashkalon interesat e partisë apo të vendit, të ekonomisë apo të integritetit territorial. Mjafton të kujtohet një mars i hidhur i vitit 1997, ku ndofta Berisha i papërlyer në vetë të parë me kolapsin e firmave piramidale, gjithsesi njeriu numër “një” i një vendi që garantoi kursimet e shqiptarëve, rikonfirmonte veten e tij si President, ndërkohë që Shqipëria digjej e vritej në mënyrë të pamëshirshme me vetveten. Asnjë gjykim me përgjegjshmëri dhe një dorëheqje, jo sepse ishte direkt fajtor, por për hir të një detyrimi moral që ato fakte me apo pa dashjen e tij ndodhën kur ai drejtonte atë vend. Ky ishte mesazhi më kuptimplotë që Berisha ka dhënë që në krye të erës së tij politike, dhe çfarëdolloj pritshmërie ndryshe, ishte dhe mbetet një iluzion.

CILI ISHTE KATHARSIS-SI BRENDA PD-SË

Fare i thjeshtë dhe i ditur në dritën e diellit për çdo demokrat dhe qytetar shqiptar. Viti 2005 pa të katapultohej në skenën politike shqiptare, një “yll në ngritje”, i quajtur Lulzim Basha, ndofta një djalë shumë premtues, por pa asnjë ditë kurrikulumi në politikën shqiptare, vetëm me një të dhënë brilante të rezervuar nga pinjollët e familjes Berisha, për aq sa miq për kokë, bërë saqi në Kosovën e pasluftës. Në rrugëtimin e gjatë politikë, dy liderët tanimë të perceptuar nga baza edhe në raportin social si babë e bir, drejtuan PD në opozitën e gjatë, me gjithçka që ata vetë projektuan e negociuan dhe me mbështetjen e demokratëve anembanë Shqipërisë. SHBA-të shpallin Berishën non grata, dhe Basha, edhe pse zërat thonë se kishte marrë një premtim nga lideri historik se çështjen personale nuk do ta bënte pjesë të PDsë, e pezulloi vetëm nga grupi parlamentar, jo Partia, jo PD-ja, thjesht grupi parlamentar, sigurisht për një arsye pragmatiste: nuk donte të ishte kundër partnerit strategjik SHBA-ve, partneritet që Berishën e kishte ngritur edhe në ditët e tij më të këqija.

Luani i plagosur i politikës shqiptare, në bindjen e tij se kësaj radhe ka përballë “çolen” e Vlorës, ka vendosur të sfidojë partnerët amerikanë, në lidhje me çështjen “non grata”. Sfida që kërkon Berisha është e fortë, ai kërkon t’u dalë përballë amerikanëve me një kuadër shumë më të rëndësishëm sesa përballja me një individ. Me një elektorat prej 6 mijë vetash, duke i thënë Amerikës se tani nuk më bën dot gjë, unë jam një faktor. Ai po merr Partinë Demokratike dhe lidershipin që vetë ai pa asnjë meritë ia dha Bashës, ditën për diell, pa as më të voglin kundërshtim dhe kurajë për të bezajtuar, nga ana e atyre që mbushin “Air Albanian” sot. Por tanimë marrja e partisë kërkon një justifikim, sa politik, aq edhe moral. Politik, për ta lënë Bashën “të zhveshur” në arenën e brendshme duke spekuluar një lidhje të tij me Ramën e duke i atribuuar mungesën e ardhjes së PD-së në pushtet. Moral, sepse ai duhet të justifikojë në bazë përse Basha ky i përzgjedhuri i tij, i vënë me dorën dhe mendjen e tij, guxon dhe kundërshton atin politik në një çështje personale, por që duhet të bëhet e të gjithë partisë, madje edhe e foshnjës demokrate. Skenari u gjet, vetiu leksionet e partisë së punës nuk harrohen në tridhjetë vjet, për më tepër nga eksponentët e saj. Për ta vënë në jetë duhet një tradhtar, një kauzë dhe masat për ta besuar.

Tradhtari quhet Basha, kauza quhet “bashkëpunim me armikun e klasës”, duke vënë Ramën në këtë rol, kësisoj, sepse vetëm ky fakt nuk ka çuar PD-në në fitore, jo blerja dhe vjedhja e ditur tashmë e votave. Cilat janë turmat për ta besuar apo bërë sikur besojnë? E thjeshtë: hiq një pjesë të mirë idealistësh e të dëshpëruarish që besojnë rrëzimin e Ramës me tri revolta, një pjesë e mire ishte në “Air Albania” në 11 dhjetor 2021, ku pa dyshim përpos pragmatistëve ishin anarkistët, gjithologët, oportunistët, lëpirësit e kameleonët. Mjafton kjo farsë për të kuptuar se dëshpërimi i humbjes së pushtetit e verboi liderin historik, që të njolloset po aq edhe një herë në historinë e gjatë të politikës së tij. Nuk ka shqiptarë brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë, që e do apo jo Berishën, por të mos jetë dakord në unison mbi dy fakte kokëforte rreth personalitetit të tij politik: së pari ai është njeriu me pushtetin më absoult të informacionit dhe së dyti, ai mund të jetë gjithçka, përveçse naiv. Asnjë gjë nuk është bërë nga Basha në padijeninë e tij dhe nëse ka pasur kompromise ato janë të ditura dhe të dashura nga të dy, por skenari voliste një viktimë dhe një tradhtar.

Përralla të tilla prej Nastradini nuk ka idealistë demokrat që t’i bëjë të vetat. Por PDja nuk është vetëm idealiste, jo! PD-ja është pragmatiste, sepse boll të shohësh të gjithë ata që iu vunë në krah babës-viktimë në këtë katharsis për të parë se deri ku shkon morali i tyre politik. Në lidhje me ta edhe këtu skenari është sa i thjeshtë, po aq i turpshëm. Këta të fundit, siç koha tregoi, paskan bërë një tradhti supreme ndaj kauzës së PD-së dhe vetë liderit historik të saj. Deri më datën 9 shtator të vitit që po mbyllim, nuk i kishin thënë asnjë fjalë babës për birin që po tradhtonte dhe asnjë fjalë për dhimbjen e thellë që ata provonin për babën, tek e shihnin të mashtruar aq keq, sa vetëm ai, Sali Berisha nuk e kuptonte, por e gjithë partia nga Paloka te Tritani, e dinte dhe lëngonte rëndë. Por më mirë vonë se kurrë, e vërteta vonon, por nuk harron (!) Pjesa me e madhe e atyre që i shkojnë Berishës sot, janë më qejfmbeturit nga pushteti Berisha-Basha, por të qenë të pafytyrë nuk i dilnin Berishës hapur, sepse e dinin fort mirë se Berisha e kishte vendosur Bashën. Tanimë, Berisha po viktimizohet për mosdije të fakteve, e të paskrupulltit po i rrinë në krah për ta ngushëlluar viktimën e tradhtisë, demek një “Shaqo Bregu” i politikës shqiptare.

CILA RRUGË DO T’I SHKONTE PËRSHTAT PD-SË

Berisha e di fort mirë, madje e di më mirë se kushdo, si një aktor i pashoq politik se cilët janë ata që e rrethojnë dhe përkrahin sot. Por ai është lojtar e cinik dhe do t’i shkojë së tijës deri në fund, duke i përdorur të gjithë këta heronj dhjetorist të “Facebook”- ut, si numra evidence kundrejt kujtdo që del hapur kundër këtij qëndrimit të tij, (e meqë ra fjala, u bë kohë pa dëgjuar rrëmuja në mes të Tiranës. Si shumë paqësorë po dukemi këto kohë? Ne nuk bëjmë dot pa rrëmujë e dhunë, bulevardi duhet të dridhet dhe tanket duhet të zbresin në shesh). Ai e di fort mirë se nëse orakulli ndërron drejtim e sjell Bashën në pushtet, të gjithë këta heronj do të gjejnë mënyrat për të kapur pushtetin pranë Bashës dhe do t’i kthejnë shpinën. Dolën shumë gazetarë e analistë pro Bashës deri në 10 dhjetor, por në datën 11 po kjo shpurë zbuloi pikërisht atë datë se Basha paska bërë tradhti dhe se e ka mbushur Partinë Demokratike me njerëz të drejtuar “keq seksualisht”. Sulmet politike që shkojnë deri te shtretërit e kundërshtarëve, i vlejnë vetëm moralit të atyre që nuk kanë asnjë argument politik dhe logjik për të hedhur në skenë, por nxisin thashethemnajën si të vetmen mburojë ndaj arsyes. Kjo është histori e afërt e luftës politike në Shqipëri dhe, nuk do mend për ta kuptuar, thjesht memorie për të kujtuar. Sigurisht, do edhe moral, qoftë edhe prej idealisti për t’u distancuar nga kjo farsë e ulët dhe e njollosur. Në këto momente të vështira për Partinë Demokratike, Berishës dhe Bashës i volitej një PD e bashkuar.

Çështja që të gjithë demokratët e vërtetë kanë kuptuar, jashtë interesave të karriges së tyre, është që sot nuk ka një konflikt BashaBerisha, pasi për të gjithë, ata janë dy anë të së njëjtës medalje. Asnjëherë lufta midis tyre, e cila nisi prej 9 shtatorit nuk pati në themel një çështje parimore. Sot nuk duhej të vihej në diskutim superioriteti i njërit apo i tjetrit, pasi ishte sa i turpshëm, po aq edhe naiv si qëndrim. E kush nuk e di që zbritja në terren e Berishës është një supremaci e padiskutuar në terma të mbledhjes së elektoratit. Basha nuk u sprovua asnjëherë që të kishte një elektorat të vetin në PD, për arsyen e thjeshtë dhe të vetme, se ai mori partinë që Berisha kishte drejtuar dhe ia serviri. Cila është logjika e karshillëkut që demokratët i bëjnë njëritjetrit duke përdorur këtë argument e duke denigruar një kauzë shumë herë më të madhe sikundër është fitorja e PD-së, dhe jo mbajtja në pushtet e një klase të provuar si të korruptuar.

Problemi i Shqipërisë në këto momente është keqqeverisja e majtë e ardhur në pushtet me vota të manipuluara. Le të prisnin liderët babë-bir të zgjidhej kjo situatë e të gjithë demokratët dhe spektatorë të “Air Albania”, le të bënin zgjedhjet jo të manipuluara brenda PD-së, le të bërtisnin heronjtë dhjetortistë të “Facebook”-ut për padrejtësitë e bëra nga dy liderët e lë të dashuronin partinë përtej interesave të tyre personale. Le të jepnin një leksion kaq të munguar demokracie vetë ata, demokratët. Ndodh shpesh të dëgjoj nga të ashtu-quajturit demokratë, të vendosur në 11 dhjetor në tribunën “A”, se në Shqipëri nuk po dekomunistizohet vendi, sepse komunistët janë infiltruar në të gjitha instancat e pushtetit. Pyetjes që rrinte si çekan mbi kokë për dekada të tëra, e vetmja përgjigje që vjen vetiu t’iu thuash, është: “Boll të shihni veten në pasqyrë!”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi