CDI: Forumi i 7 i Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore
Mbajtur në 7 dhe 8 tetor 2021
I organizuar nga Instituti per Bashkepunim dhe Zhvillim (CDI), në 7 dhe 8 tetor po zhvillohet Forumi i Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës. Në Forum mori pjesë dhe Kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha ndër të tjera se po bëhet gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është një fjalë që nuk po përdoret me të njëjtin vullnet si disa vite më parë.
Rama u shpreh se nuk ka dyshime që procesi mund të kërkojë kohë, por shtoi se është gjithnjë e më e qartë se Ballkani Perëndimor është një realitet gjithnjë e më i rëndësishëm për BE.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është gjithnjë e më pak një fjalë që përdoret me pasionin dhe vullnetin që ka pasur disa vite më parë. Nuk ka dyshim që procesi mund të kërkojë kohë. Në të njëjtën kohë është shumë e qartë për të gjithë se ËB është një realitet gjithnjë e më i rëndësishëm për BE. Mendoj se kjo është një arsye se pse disa prej vendeve skeptike tashmë duket se janë shumë të hapura ndaj idesë….”
Ndërsa, duke folur për Procesin e Berlinit, kreu i qeverisë u shpreh se autorësia është jashtë Ballkanit dhe se duhet një angazhim i brendshëm.
“Pavarësisht vullnetit të lirë, cilido nga jashtë që është i angazhuar me procesin e Berlinit ka angazhimet e veta dhe nuk mund të përqendrohet tek Ballkani. Ne mundemi dhe duhet të përqendrohemi vetëm te Ballkani. Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të Procesit të Berlinit.”
Duke adresuar problemin e krizës energjitike, Edi Rama u shpreh se bëhet fjalë për një krizë që po godet të gjithë Evropën, veçanërisht ata vende që varen nga burimet e gazit.
“Kriza energjike po godet të gjithë Evropën, veçanërisht ata vende që varen nga burimet e gazit. Evropa varet rreth 95% te gazi që vjen në Evropë përmes destinacioneve të tjera. Harta e ndërlidhjes është e qartë, është hartuar qysh prej disa kohësh tashmë financimi dhe proceset operative për zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord për këtë hartë është sfida, është një sfidë e madhe.”
Kryeministri Edi Rama gjatë prezencës së tij në Forumin e Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës, foli për 3 linja hekurudhore që do të lidhin Durrësin me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Prishtinën.
Mes të tjerash ai theksoi se këto linja do të rrisnin bashkëpunimin dhe nxitjen e investimeve në vend.
“Ka qenë një proces i gjatë, por edhe më shumë se sa aq me BERZH, për arsye që nuk kanë qenë të lehta për t’u kuptuar. Aktualisht na duhet që ta lidhim Durrësin me Malin e Zi në kuptimin hekurudhor, pasi nuk ka kuptim. Në të kundët Lidhja e Durrësit me Hanin e Hotit dhe me Malin e Zi, do të nxisë tregtinë. Ne presim me padurim që të punojmë për hekurudhën tjetër Durrës-Prishtinë dhe më pas të lidhemi me Nishin, që e sjell investimin në një rrjet më të gjerë rajonal. Nuk po e vendos në tabelën e përparësive, por këto të trija janë përparësi. Një tjetër segment është Durrës-Maqedoni e Veriut, që do të jetë kuptimplotë për rajonin. Do të jetë më rëndësi paralelisht me punën që kemi nisur për Portin e Ri të Durrësit, që do të jetë më dinjitoz nga pikëpamja mjedisore. Kjo ishte sa i takon hekurudhave dhe rrugëve. Sigurisht urojmë që të mund të shoqërojmë projektin e hekurudhës Durrës-Maqedoni e Veriut dhe me projekte të infrastrukturës, por do të dhe të kalojmë disa pengesa në situatën aktuale. Pjesa tjetër ka të bëjë me historinë digjitale, duke hapur një horizont të ri për të rinjtë. Kemi shumë të rinj të talentuar, të cilët duhet të shoqërohen përmes një mënyrë të gjithanshme për prezantimin e tyre me botën digjitale. Me informatikën në shkollë, duke e sjellë në epokë tjetër, pasi laboratorët e vjetër nuk përmbushin dhe nuk përballen me sfidat e kohës.”, pohoi Rama.
Ndër të tjera kreu i qeverisë shqiptare u ndal dhe te procesi i integrimit, ndërsa theksoi se BE nuk ishte në gjendje të mbante fjalën për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ai u shpreh optimist për rolin që ka në Europë Ballkani Perëndimor.
“Me shpresën që ajo çfarë thash nuk është e re për ju, dua ta përmbyll me bindjen se pavarësisht mendimit që për shkak të faktit që BE nuk ka qenë në gjendje që të mbajë fjalën në raport me procesin e integrimit dhe këtë herë për shkak të diçkaje që nuk ishte e parashikuar, siç ishte Bullgaria, unë jam optimist në mënyrë të arsyeshme. Besoj fort që ndjesia e komunitetit midis BE dhe Ballkanit Perëndimor po rritet në Europë mes udhëheqësve dhe ndjesia e përgjegjësisë po ashtu. Ndjej që ka një kuptim më të madh të rëndësisë së Ballkanit për të ardhmen e Europës, Jo vetëm për të ardhmen, por dhe për të trashen. Shpresoj që kjo të ishte e dobishme për ju. Faleminderit!”, përfundoi fjalën e tij Rama.