A mund të eksportohet Demokracia?
Marrë nga Deutsche Welle, botuar 17 gusht 2021
Misioni ushtarak në Afganistan, që këtë fund qershori u mbyll, (30.06) synonte të sillte demokracinë, të drejtat e njeriut, arsimin dhe mirëqenien në vendin e shumëgoditur. Sigurisht qëllimi është i nderuar.
Por ideja e eksportimit të demokracisë dështoi, jo vetëm në Afganistan, por në tërësi.
Sot Afganistani, megjithëse ka një qeveri të mbështetur nga perëndimi, me influencë gjithnjë e më shumë në zvogëlim, konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara të botës.
Gati 20 vite “nation building” – formësim i një identiteti kombëtar nga disa vende të fuqishme të botës shkuan më kot.
Në Afganistan u shtrua edhe pyetja, mos NATO duhej të mbronte për kohë të pakufizuar atë që ishte arritur në këtë vend. Amerikanët iu përgjigjen me “jo” kësaj pyetjeje, me pasojë edhe tërheqjen e trupave të tjera të huaja nga Afganistani.
Jo vetëm presidenti, Donald Trump donte t’i jepte fund “luftës së përhershme”, edhe pasardhësi i tij, Joe Biden tha në Kongres, se ky mision nuk ishte menduar kurrë si një “mision që do kalonte nëpër breza”.
Dy presidentë të ndryshëm në mënyrë pragmatike kanë bërë një gjë të qartë: Qëllimi ushtarak luftimi i terrorit është arritur, pjesa tjetër nuk na intereson më.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkoi pak javë më parë që përmes impulseve financiare të kërkohet mirëqeverisje, pavarësisht se kush qeveris.
Gjermania mendon që ndihmat për zhvillim të jepen në atë masë sa do ketë edhe progres në drejtim të paqes, ruajtjes së demokracisë e ligjshmërisë, luftimit të korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Kërkesa të tilla sigurisht mund të shtrosh, por iluzione nuk mund të kesh. Sepse me vlerat perëndimore në Afganistan kishte vështirësi edhe një president “krahasimisht modern” si Ashraf Ghani.
Gjithsesi, lidhja e ndihmës për zhvillim me mirëqeverisjen është një metodë. Pa dyshim është më mirë se të derdhësh para në një vend, pa shtruar asnjë pyetje. Por me Afganistanin, perëndimit do i duhet të heqë dorë nga ideja naive, se mund të eksportojë sistemin e vet një për një me mjete ushtarake.