Legjitimiteti i tranzicionit
Nga Redi Shehu, botuar në Panorama, 2 gusht 2021
Ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik në fillmvitet ’90 prodhoi një fenomen të cilin më së miri e përshkruan Samuel Hungtington në librin e tij “Rendi politik dhe shoqëritë në ndryshim”, atë të dhunës dhe destabilitetit.
Këto të fundit më së shumti prodhohen nga ndryshimi i menjëhershëm social, si dhe nga mobilizimi i shpejtë i grupeve të reja në politikë, të cilat rezultojnë pastaj me zhvillim të ngadaltë dhe regresiv të institucioneve të politikës. Është pikërisht kjo që ka ndodhur te ne, futja e menjëhershme e grupeve të reja në politikën aktive për shkak të vakuumit që la degradimi i grupeve të vjetra që përfaqësonin sistemin komunist, që prodhoi një ndryshim institucional të ngadaltë dhe regresiv në terma të shoqërive demokratike.
Ky ngadalësim reflektohet në çrregullime institucionale dhe destabilitet politik, të cilat nuk arrijnë të kapin ritmin e ndryshimeve ekonomike të rendit të ri ekonomik. E gjithë kjo situatë tranziti, mes së shkuarës që po venitej dhe së ardhmes e cila nuk dukej, përmblidhet në formulën se nëse në një shoqëri ka pabarazi, sigurisht që ajo prodhon destabilitet.
E meqë sinonimi i tranzicionit është destabiliteti, atëherë mund të themi që burimi themelor me të cilin tranzicioni ka ushqyer dhe ushqen veten është pabarazia sociale. Këtë e thotë Aristoteli te “Politika”, ku arsyet e trazirave dhe kryengritjeve në shoqëritë e asaj kohe zanafillonin te pabarazia në një shoqëri.
Destabiliteti jo vetëm që përpiqet të fitojë fashën kohore më të gjerë të mundshme në një shoqëri, duke e shtyrë sa më shumë formalizimin dhe institucionalizimin e saj, por ai merr vrull sidomos nga fluksi i madh dhe i shpejtë i masave të popullsive, që nga zonat rurale lëvizin drejt zonave urbane.
Sa më e madhe të jetë pakontrollueshmëria e kësaj mase lëvizëse, aq edhe më e madhe është masa e destabilitetit dhe për pasojë, edhe e tranzicionit në një vend. Teorikisht dhe praktikisht në shumë vende demokracitë janë mjetet më të mira për zgjidhjen e konflikteve sociale, ku paqja e shoqërisë vendoset në sajë të riqepjes së plagës duke aplikuar procesin e drejtësisë në vendosjen e gjërave.
Mirëpo, në Shqipëri kjo formulë rezulton pak si e vështirë për arsye të mungesës së kulturës së kompromisit, ngase shoqëria civile e për pasojë edhe kultura demokratike, janë zëvendësuar me liderët karizmatikë, të cilët i mbivendosen rolit të drejtësisë në pozicionimin e fenomeneve të shoqërisë.
Te ne janë edhe dy elemente që i shtohen ndarjes sociale, të cilat Fukuyama i përmend si dehomogjenizues të shoqërisë. Së pari, çekuilibri i kulturës urbane dhe rurale në një demokraci dhe së dyti, ndryshueshmëria e kulturave rajonale, si e kundërta e homogjenizimit të shoqërisë. Këto dy elemente, të cilat për shkak të një jete akoma jo të plotë urbane në Shqipëri dhe diferencimit të madh midis jetës rurale dhe asaj urbane, janë një vlerë e shtuar në thellimin e ndasive perceptimore dhe politike të shoqërisë sonë.
“Mes ligjeve që udhëheqin shoqërinë njerëzore”, – shkruante Tocqueville, – “është njëri i cili duket më i saktë dhe më i qartë se sa të tjerët. Nëse njeriu dëshiron të ngelet një qenie e civilizuar, atëherë arti i të jetuarit bashkë duhet të perfeksionohet në atë masë sa ajo e barazisë së kushteve në të cilat ai jeton”. Thelbi i një sistemi modern politik është padyshim legjitimiteti, i cili buron nga vullneti i pastër dhe i patransformuar i zgjedhësve prej ndërhyrjeve jashtë këtij vullneti.
Edhe pse buron nga ky vullnet, legjitimiteti është përherë në luftë për mbijetesë, pasi kërcënohet nga ilegjitimja dhe pasiguria. Filozofi dhe sociologu gjerman Niklas Luhmann e përshkruan më saktë gjendjen e legjitimitetit në shoqëritë moderne. “Legjitimiteti”, – thotë ai, – “është një formë në të cilin sistemi politik pranon të bashkëjetojë me pasigurinë e tij”.
Nëse ky formulim i legjitimitetit flet për demokracitë e konsoliduara, çfarë duhet të themi për sistemet hibride, në të cilat demokracia dhe autoritarizmi takohen në një pikë të vetme, që është absurdi? Pra, çfarë mund të thuhet për këto demokraci totalitare, të cilat legjitimitetin e kanë jashtë kutit të duhur, ku elitat politike mundohen të qëndrojnë në pushtet përmes keqpërdorimit të ideologjisë, të nacionalizmit, historisë dhe fesë, duke i sherbetosur me karizëm e populizëm?
Pasiguria atëherë kthehet në thelbin e këtyre sistemeve dhe tashmë ajo nuk duhet thjesht të bashkëjetojë me legjitimen, ajo thjesht e gëlltit atë. Tranzicioni në thelb është një mekanizëm i përkohshëm, i cili aktivizohet në rastet e ndryshimeve të mëdha në një shoqëri. Qëllimi i këtij mekanizmi është që ta çojë shoqërinë nga një moment historik te tjetri, duke mbartur me vetë të gjitha simptomat e këtij transformimi. Si një mekanizëm i përkohshëm, ai ka edhe një qëllim po aq të përkohshëm.
Tranzicioni, për sa kohë qëndron në përkohshmërinë e tij, kthehet në një mekanizëm të nevojshëm dhe bëhet i dobishëm nëse masa e barazisë në një shoqëri është, siç Tocqueville përmend, në proporcion me artin e të bashkëjetuarit të shoqërisë në tranzicion. Mirëpo, tranzicioni kthehet nga një mekanizëm i nevojshëm dhe i dobishëm në një makth, kur përkohshmëria e tij transformohet në përhershmëri dhe kur dobia e tij degradon në dëm për shkak të humbjes së masës së duhur mes barazisë sociale dhe qëllimit të të bashkëjetuarit të anëtarëve të saj.
Pra, tranzicioni si mekanizëm i përkohshëm ka detyrë të bëjë një gjë të vetme, dhe gjëja e vetme më e rëndësishme për shoqërinë që i nënshtrohet këtij procesi është të mund t’i mbajë njerëzit të bashkuar për të ndërtuar të ardhmen post-tranzicion. Në këtë prizëm, ku edhe shoqëria jonë shijon këtë lloj pasigurie, burimi kryesor i saj përmblidhet te korrupsioni si formë më eksplicite e padrejtësisë sociale, e cila nga ana e saj prodhon destabilitet.
Korrupsioni jo vetëm në kuptimin material, por edhe korrupsioni i qëllimeve dhe vullneteve politike. Kështu, ne si shqiptarë kemi plotësuar trekëndëshin perfekt korrup- sion-padrejtësi-destabilitet, nga i cili buron tranzicioni ynë, sepse tashmë ai është kthyer në gjënë më legjitime, tashmë tranzicioni nuk është në formatin i “ikshëm”, jo, ai është aty, ai është vetë legjitimiteti i sistemit në të cilin ne gjallojmë sot.
Tranzicioni na duhet, sepse ai të lejon të bësh çdo gjë, të siguron përfitime të mëdha, të menjëhershme dhe të pagjurmueshme grupeve të mëdha të interesit. Për të (tranzicionin) ia vlen që të luftohet politikisht, sepse ai të pajis me narrativën e heroit për të dalë prej tij, por pa e bërë kurrë një gjë të tillë. Ai na duhet sepse, siç edhe Huntigton e përmend, “korrupsioni transformohet në mirëmbajtësin e një sistemi politik, ashtu siç edhe reformat janë. Korrupsioni mund të kthehet në zëvendësuesin e reformave, dhe të dyja, korrupsioni dhe reformat, mund të kthehen në zëvendësuesin e revolucionit”.
Prandaj, neve na duhet tranzicioni, sepse ai të pajis me bashkëjetesën perfekte mes korrupsionit dhe reformave, pra, mes progresit dhe regresit, duke qëndruan në mënyrë perfekte në të njëjtin vend për dekada. Kështu, revolucioni, në kuptimin e ndryshimeve sociale kundra padrejtësive dhe së keqes, bëhet i kotë në thelbin e tij, kthehet i panevojshëm, sepse bashkëjetesa e reformave me korrupsionin e ka zëvendësuar tashmë ndryshimin duke e legjitimuar tranzicionin.
Në fund fare, ti si qytetar gjendesh i vetmuar në hallakatjen tënde sociale mes mijëra vogëlsish që nuk ndreqen kurrë, me sytë nga e ardhmja që shkëlqen gjithmonë, por që kurrë nuk bën dritë, me shpresën se kësaj radhe e kanë seriozisht, por që skandalet pranë territorit tënd vetjak vetëm se përforcojnë ndjenjën e frikës dhe pakënaqësisë. Duket sikur ka një kusur kohe që ti kërkon diçka, por që për ty është e pamundur.
Në fakt, ajo që t’i kërkon është thjesht të jesh i qeverisur drejt dhe ndershëm, por që të kthehet ty në mijëra forma të stërholluara politike e shantazhesh, të cilat përfundojnë me shtetrrethim krimi. E ti vazhdon me optimizmin tënd të zverdhur, se vërtet kësaj radhe të përhershmit e tranzicionit ndoshta e kanë seriozisht. Marrë nga revista “Medius”