Vetёqeverisja gjyqёsore midis idealit normativ dhe praktikave informale
Nga Sokol Berberi, botuar në Panorama, 15 korrik 2021
Vetëqeverisja gjyqësore presupozon se organet e sistemit të drejtësisë kanë ‘zërin kryesor’ në vendimmarrjet për emërimin dhe karrierën e gjyqtarëve, masat disiplinore ndaj tyre, si dhe për administrimin e gjykatave dhe buxhetin gjyqësor. Kjo ide e arkitekturës kushtetuese, e ndërvarur nga parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe i pavarësisë së gjyqësorit, ka gjetur mbështetje pothuajse në të gjithë sistemet gjyqësore në Europë dhe më gjerë.
Ky parim është përcaktuar edhe si kusht për reformimin e sistemit të drejtësisë për të gjitha vendet e përfshira në procesin e integrimit europian, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Vetëqeverisja gjyqësore nuk është qëllim në vetvete. Premisa mbi të cilën mbështetet kjo ide është se vetëqeverisja gjyqësore e garanton më mirë pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, në funksion të interesit dhe besimit të publikut, se sa nga modeli ku çështjet që mbulohen nga kjo vetëqeverisje do të vendoseshin nga ligjvënësi dhe ekzekutivi (pushteti politik). Vetëqeverisja gjyqësore, së pari, duhet kuptuar si ideal normativ i reflektuar në mekanizmat kushtetues dhe ligjorë që rregullojnë organet e sistemit të drejtësisë. Ky ideal normativ, në mënyrë të përmbledhur, mund të përcaktohet:
Organet e vetëqeverisjes gjyqësore ushtrojnë funksionet dhe marrin vendime, për të garantuar pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo ndikimi të papërshtatshëm nga politika apo nga grupe e individë të caktuar, mbi bazën e kritetereve ligjore dhe objektive dhe në mënyrë transparente. Së dyti, ideali normativ (në ligj) duhet dalluar nga praktika e realizimit të këtij ideali dhe sjellja e organeve gjatë ushtrimit të funksioneve vetëqeverisëse. Legjislacioni përkatës ka rregullime dhe incentiva që synojnë përputhjen ndërmjet sjelljes në praktikë me idealin normativ. Por, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të evidentojë dhe analizojë këto elemente ligjorë.
Në vijim, nisur nga përvoja e shkuar, do përpiqemi të evidentojmë disa praktika informale dhe sterotipe që mund të përbëjnë pengesë dhe të rrezikojnë idealin normativ. Më pas, sygjerohen disa masa antidote për t’i paraprirë dhe reaguar ndaj këtyre rreziqeve. Rreziku i parë vjen nga ideja, mentaliteti se është pushteti politik që vendos për gjithçka. “E dinë ata, është përgjegjësi e politikës”, – e dëgjon shpesh edhe në rrethin e drejtuesve të drejtësisë. Dhe, kjo është e shpejgueshme nëse mbajmë parasysh ndikimin e kulturës së trashëguar nga sistemi komunist totalitar, ku politika dominonte gjithçka. Edhe përvoja gjatë këtyre 30 vjetëve të demokracisë nuk bëri ndonjë diferencë domethënëse në këtë drejtim, duke mos promovuar dhe nxitur kulturën e vetëqeverisjes gjyqësore.
Ky mentalitet mund të krijojë hapësirë, jo ligjore, për ndikim të papërshtatshëm nga ana e aktorëve politikë në vendimmarrjet e organeve të vetëqeverisjes gjyqësore. Me forcimin e vetëqeverisjes gjyqësore, e cila favorizohet edhe nga konteksti i proceseve integruese në BE, përpjekjet e politikës për të gjetur kanale të tjera ndikimi nuk do të zbehet, përkundrazi mund të shfaqet në forma të tjera. Përvoja e disa vendeve të BE-së (Hungaria, Polonia) e dëshmon këtë perspektivë. Kultura tribale dhe luajaliteti ndaj grupit me të cilin identifikohesh, qoftë fisnor, krahinor apo politik, mund të favorizojë ndikim të papërshtatshëm të interesave personale dhe të grupeve të caktuara në vendimmarrjet e organeve vetëqeverisëse së gjyqësorit. Kjo kulturë, e favorizuar nga konteksti historik, social e gjeografik i vendit tonë, si dhe nga popullsia relativisht e vogël, vazhdon të jetë me ndikim në praktikën e institucioneve shqiptare. Qëndrimet korporatiste brenda sistemit të drejtësisë përbëjnë një rrezik tjetër real. Këto qëndrime mund të shfaqen në mbështetjet dhe ‘nderet’ që gjyqtarë dhe drejtues të sistemit shkëmbejnë me njëri – tjetrin, për të ruajtur ndikimin dhe duke pritur që ky ‘nder’ t’i kthehet në një moment të dytë, kur ata do të kenë nevojë. Mentaliteti korporatist favorizon pandëshkueshmërinë brenda sistemit dhe pengon hapjen dhe transparencën. Këto simptoma janë shfaqur dukshëm në veprimtarinë e KLD-së, të cilat u evidentuan edhe si shkaqe në analizën që i parapriu dhe justifikoi reformën në drejtësi. Kultura reaktive e mosreagimit mund të përbëjë një rrezik tjetër ndaj vetëqeverisjes gjyqësore. Kjo shfaqet nëpërmjet viktimizimit, shikimit të problemit jashtë sistemit, mosmarrjes së përgjegjësisë etj.,.
Tradita e një sistemi vertikal dhe të përqëndruar, nga lart-poshtë, ka ushqyer mentalitetin e mosveprimit pa urdhër nga lart, dhe ka penguar zhvillimin e kulturës proaktive, e cila është një ingredient thelbësor për suksesin e vetëqeverisjes gjyqësore. Kjo sjellje reaktive e organeve të sistemit të drejtësisë, përpara reformës së 2016, ka patur ndikim domethënës në rënien e besimit të publikut ndaj këtij sistemi. Vetëqeverisja gjyqësore mund të rrezikohet edhe nga këndvështrimi se ky pushtet është i përqëndruar vetëm te një organ dhe është vetëm përgjegjësia e tij. Sterotipet e ushtrimit të veprimtarisë në mënyrë të mbyllur, të sjelljeve jobashkëpunuese ndërmjet organeve të sistemit janë jo pak ndikuese në këtë drejtim. Suksesi i vetëqeverisjes gjyqësore varet jo vetëm nga roli i KLGJ, por edhe nga bashkëpunimi me drejtuesit e gjykatave dhe nga angazhimi i të gjithë gjyqtarëve për këtë qëllim.
Proceset vendimmarrëse gjatë ushtrimit të funksioneve vetëqeverisëse, në mungesë të bashkëpunimit real të të gjithë aktorëve të përfshirë, mund të kthehen në procese formale. Për të reaguar ndaj rreziqeve të përmendura më sipër, së pari, ato duhet të njihen dhe të pranohen nëpërmjet një vështrimi introspektiv në praktikat informale dhe sjelljen e institucioneve gjatë ushtrimit të detyrës. Së dyti, si kundërpeshë ndaj këtyre rreziqeve, mund të na vijnë në ndihmë disa institucione e praktika të mira, të cilat sygjerohen më poshtë. Mbështetja dhe besimi i publikut përbën garancinë kryesore për suksesin e vetëqeverisjes gjyqësore. Organet vetëqeverisëse të këtij sistemi, të çliruara nga praktikat e shkuara, në mënyrë proaktive duhet të mbajnë parasysh objektivin për të ruajtur dhe forcuar besimin publik ndaj drejtësisë. Për këtë qëllim, këto organe duhet të krijojnë mekanizma që shërbjenë si sensorë për të matur luhajtjet e këtij besimi dhe për të reaguar në kohë. Transparenca në vendimmarrjet e organeve vetëqeverisëse të drejtësisë, ndër të tjera, shërben si instrument strategjik për të penguar dhe parandaluar rreziqet që vijnë nga praktikat dhe ndërhyrjet informale të përmendura më sipër.
Për tej aspektit formal, transparenca duhet të kthehet në kulturë që reflektohet përgjatë gjithë veprimtarisë së këtyre organeve. Bashkëpunimi midis organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit, në nivel horizontal dhe vertikal, përbën një drejtim tjetër të rëndësishëm që i kundëvihet rreziqeve të mësipërme. Suksesi i vetëqeverisjes varet nga roli dhe angazhimi i të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces. Angazhimi i trupës gjyqësore, e cila ka përgjegjësinë fillestare për të zgjedhur përfaqësuesit në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duhet e të jetë e vazhdueshme edhe në drejtim të vetëqeverisjes gjyqësore. Vetëqeverisja gjyqësore si njohuri dhe kompetencë duhet të reflektohet edhe në kurrikulat e Shkollës së Magjistraturës, e cila është porta e vetme, hyrëse dhe dalëse e magjistratëve të rinj. Programi i Shkollës, përpos zhvillimit të aftësive dhe kompetencave profesionale, synon të krijojë dhe të formësojë te gjyqtarët dhe prokurorët e rinjë vetëdijen për rolin e rëndësishëm social dhe institucional që kanë në shoqëri, në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe garantimit të shtetit të së drejtës. Një aspekt i rëndësishëm i këtij roli është edhe angazhimi në mbrojtjen dhe suksesin e vetëqeverisjes gjyqësore. Me këtë shkrim u përpoqëm të evidentojmë disa praktika informale dhe sterotipe, të shfaqura në të shkuarën por që mbeten me ndikim edhe sot, të cilat mund të pengojnë dhe rrezikojnë suksesin dhe efektivitetin e idealit normativ të vetëqeverisjes gjyqësore. Për t’iu kundërvënë këtyre rreziqeve sygjerohen edhe disa institucione dhe praktika të mira. Shkrimi, më shumë se sa një analizë e thelluar e kësaj teme, prezanton një këndvështrim me pretendimin që mund të nxisë reflektimin dhe reagimin sipas sygjerimeve të prezantuara.