Drejtësia e re dhe të korruptuarit “e paprekshëm”
Editorial DW, 14 korrik 2021
Në 10 ditët e para të korrikut Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), kali i betejës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë në Shqipëri, arrestoi 18 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të akuzuar për korrupsion përmes “shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorimit të detyrës.”
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori të hënën (12.07) vendimin për arrest me burg për nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të arrestuar fundjavën e kaluar (10.07) nga SPAK për “shkelje të barazisë” në tenderin për blerjen dhe shpërndarjen e uniformave të Policisë së Shtetit dhe “favorizim të kompanisë” që fitoi këtë tender me një vlerë prej rreth 28 milion dollarë . Sipas të dhënave zyrtare të arrestuarit kanë kryer veprime të paligjshme si ndryshimin e çmimit dhe i sasisë së uniformave të policisë, prej së cilës ata kanë patur një përfitim abuziv prej 10 milion dollarësh.
Një javë më parë, Fatos Tushe, Kryetari socialist i Bashkisë së Lushnjës, dhe tetë zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, u arresuan po nga SPAK-u me të njëjtën akuzë: “shkelje të barazisë në tender” të shoqëruar me akuzat për “shpërdorim detyre, tjetërsim fondesh publike, falsifikim dokumentesh” në një tender rreth 24 milion dollarësh për reabilitimin e një ujësjellësi.
Drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, tha në një deklaratë publike se “ky është vetëm fillimi”duke nënkuptuar vijimin e goditjes së korrupsionit në nivel të lartë. Deklarata e tij vjen pas konsiderimit nga SHBA të korrupsionit si “cënim të sigurisë kombëtare ndaj SHBA, ndaj miqve dhe aleatëve të saj, përfshirë edhe Shqipërinë”.
Historia e dy tenderave, që çoi në burg zyrtarë në qeverisjen qendrore dhe atë lokale, u bën skanerin rrënjëve dhe faktorëve që e lulëzuan korrupsionin në nivel të lartë në Shqipëri.
Çfarë e prodhon korrupsionin në Shqipëri?
Në Indeksin Global të Transparency International për Korrupsionin në Botë 2020 , Shqipëria zë vendin e 104 ndër 180 vende. Ndërsa në Indeksin Global 2020, të “World Justice Project”, për sundimin e ligjit renditet në vendin e 78 ndër 128 vende të botës, me një rënie prej 4 pozicionesh në krahasim me vitin 2019 dhe në vendin e 100-të për luftën kundër korrupsionit.
Prof. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, me seli në Tiranë, thotë për DW se ”toka pjellore” për korrupsionin është mungesa e një sistemi të parandalimit dhe kontrollit anti-korrupsion.
“Zyrtarët e lartë, deri tani, kanë mbetur të paprekshëm. Sistemi vertikal i korrupsionit në nivelet e larta në Tiranë shërben si model referimi edhe në nivelet lokale dhe administrative. Kemi korrupsion politik dhe zëvendësim të sistemit të meritës me atë të klientelës politike,” thotë Krasniqi për DW.
Ai argumenton që si në qeverisjet e Partisë Demokratike (PD) ashtu edhe në ato të Partisë Socialite (PS), që ka fituar mandatin e tretë qeverisës, ka funksionuar dhe funksioni një sistem abuziv emërimesh politike dhe klienteliste dhe jo një system emërimesh profesionistësh, në bazë meritash. Sistemi i emërimeve politike dhe klienteliste shtrihet nga drejtorët e kadastrave, doganave , shërbimeve postare dhe të enteve të tjera shtetërore deri tek zyrtarët e mesëm të administratës publike, gjë që ka krijuar edhe shtresën e biznesmenëve të lidhur me pushtetin.
“Ka lidhje të forta dhe të thella korruptive dhe kriminale midis politikës, zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe grupeve informale shpesh me burime kriminale,” thotë Krasniqi për DW.
Pritshmëri të mëdha nga drejtësia e re
Arrestimi i 18 zyrtarëve tregon përpjekjet e drejtësisë së re për t’i këputur këto lidhje dhe pritshmëritë e publikut që kjo të ndodhë janë të mëdha. Derisa drejtësia e re të ndëshkojë të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” mbetet për t’u fituar besimi i publikut ndaj saj.
“Shqipëria ka pasur dhe ka ministra, deputetë dhe zyrtarë shumë më të lartë që kanë kryer akte korruptive dhe shkelje ligjore shumë herë më të mëdha sesa vepra penale e kryebashkiakut të Lushnjës apo e zyrtarëve në Ministrisë së Brendshme, të sapoarrestuar. SPAK-u deri tani nuk ka shkuar ende tek dosjet VIP, të cilat janë baza kryesore e korrupsionit. Nuk janë zyrtarët dhe nëpunësit e nivelit të ulët ata që kanë fuqi vendim-marrëse. Ata urdhërohen dhe firmosin vendimet e marra nga shefat e lartë politikë dhe administrativë. Dita kur SPAK-u të hetojë dhe të merret me nivelet e larta që drejtojnë sistemin korruptiv në dogana, kadastra, energjetike, privatizime apo miratimin e akteve ligjore të porositura etj, do jetë dita e parë e rikthimit të besimit të publikut tek drejtësia e re,” thotë për DW prof. Afrim Krasniqi.
Drejtësia e re – forca për fundin e pandëshkueshmërisë
Shpresat tek drejtesia e re janë të mëdha. Arrestimi i 18 zyrtarëve shihet si sinjal që u përgjigjet këtyre shpresave dhe domosdoshmërisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ligjore ndaj “të paprekshmëve” të djeshëm dhe të sotëm të korruptuar.
“Besoj që “ora e mbrame” e ndëshkueshmërisë ligjore tanimë ka mbërritur. Arrestimet, rihapja e dosjes së tragjedisë në Gërdec dhe dosjeve të tjera që kanë tronditur shoqërinë shqiptare në 30 vitet e fundit, kanë ndezur dritën e shpresës dhe po zgjojnë besim për mbylljen e “epokes së tranzicionit pa ndëshkime,” thotë për DW Aleksandër Çipa.
Ai thekson që “krimet e mbetura pa ndëshkim në periudhat e qeverive kleptokrate, po hetohen dhe po rishfletohen dosjet e tyre.”
“Tani kemi një brez të ri juristësh, hetuesish, prokurorësh dhe gjyqtarësh qe janë pjesë e drejtësisë së re. Rrol parësor nxitës kanë indiciet dhe mbështetja aktive e faktorit nderkombëtar. Pandëshkueshmërisë tashmë i janë vendosur porta te fuqishme, të rënda dhe të mëdha që po mbyllin brenda tyre aktorë dhe protagonistë të korrupsionit të akumuluar në tri dekadat e fundit. Parashikoj që në vjeshtën e këtij viti, në Shqiperi do të kemi procese të bujshme ndaj përfaqësuesve të rëndësishëm të qeverisjeve të kaluara dhe qeverisjes aktuale dhe të aferave më të përfolura në jeten dhe zërin publik të shoqerise” thotë për DW Aleksandër Çipa.
Edlira Gjoni, analiste e pavarur, drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik, mendon se “arrestimet do të vazhdojnë, nuk do të jenë thjesht një shi vere. Ka shenja se po vjen fundi i të fortëve, të korruptuar në nivele të larta.”
Por për këte drejtësisë së re i duhet të veprojë në mënyrë energjike dhe me vendosmëri.
“Ka akuza të forta të palëve për vjedhje thesari, votash, tenderësh me miliarda për rrugë, ndërtime, koncesione, porte e aeroporte. Pas tyre nuk qëndrojnë drejtorë, as kryetarë bashkish. Publiku kërkon ndëshkimet e mëdha dhe SHBA ka pjesën e vet të ngritjes së pritshmërive, me shpalljen non-grata të emrave kyçe të politikës. Ama, pas bllokimit të udhëtimit, asgjë nuk ka ndodhur me ta. Shqiptarët kërkojnë që premtimet e SPAK-ut, pritshmëritë që ngriti për drejtësinë me emra konkretë Departamenti Amerikan i Shtetit të bëhen realitet. Me emra të mëdhenj të maxhorancës e të opozitës.” thotë për DW Edlira Gjoni.
Publiku, i etur për drejtësi dhe çbllokim të zhvillimit nga korrupsioni i jep mbështetjen e vet të fuqishme drejtësisë. Sipas sondazhit të Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, 91% e shqiptarëve mbështesin drejtësinë e re.
“Shqipëria po hyn në një fazë të re kur nevoja për drejtësi dhe për akte kundër korrupsionit ka mbështetje të gjerë publike. Deri tani drejtësia e re po funksionon si presion e paralajmërim për zyrtarët e korruptuar, me mesazhin se koha e pandëshkueshmërisë mund të marrë fund” thotë për DW prof. Afrim Krasniqi.