30 vjet më parë: Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit
Pjesë nga libri: “Në fillimet e tranzicionit” i Ylli Bufit, 22 qershor 2021
Tashmë, Shqipëria kishte hyrë në një fazë krejt të re historike me plot ngjarje e zhvillime dinamike të papërjetuara ndonjëherë më parë. Mesazhet miqësore që solli zoti Gensher ishin një inkurajim mjaft domethënës për Qeverinë e Stabilitetit, të posakrijuar, dhe për mbarë popullin shqiptar. Ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani, u kthye nga Berlini jo vetëm me entuziazmin e krijuar pas pranimit të Shqipërisë si anëtarja më e re e KSBE, por edhe me një sihariq tjetër tjetër: një mik tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, kishte shprehur dëshirën për të ardhur në vendin tonë. Fjala ishte për një vizitë, e cila do të mbetet e paharruar për nga mesazhet që solli, nga përmasat e mikpritjes popullore dhe për ndikimin në të ardhmen e Shqipërisë.
Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, më 22 qershor, do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm historik, që dëshmonte mbështjen politike që e gjithë bota perëndimore po i jepte Shqipërisë. Askush nuk do të mendonte vetëm pak muaj më parë që një përfaqësues kaq i lartë amerikan do të bënte një vizitë në Shqipëri dhe që do t’i rezervohej një pritje aq e ngrohtë nga populli shqiptar. Pasi u njoftova nga ministri ynë i Jashtëm, M. Kapllani, për këtë vizitë, biseduam për axhendën e saj edhe me presidentin Alia dhe, megjithë një lloj hezitimi të tij, ramë dakord që, përveç takimeve të mysafirit me Presidentin, Kryeministrin dhe Parlamentin, të organizohej edhe një miting në sheshin “Skënderbej”, ku do të flisnim unë dhe zoti Bejker. Për mitingun u interesua mjaft edhe Berisha, i cili na kërkoi që të përshëndeste edhe ai në miting, në emër të opozitës, gjë e cila nuk u pranua.
Unë e prita zotin Bejker në aeroportin e Rinasit dhe i urova mirëseardhjen. Ishin aty pothuaj e gjithë qeveria dhe kryetarët e partive politike. Ndoshta, kjo ceremoni i kalonte caqet që, zakonisht, përcaktohen nga protokolli i shtetit, por atëherë ne gjykuam momentin politik që po kalonte vendi. Pritja që shteti shqiptar do t’i ofronte sekretarit amerikan të Shtetit nuk mund të ishte thjesht protokollare, ajo duhej t’i përgjigjej edhe pritjes shumë entuziaste që do t’i bëhej përfaqësuesit të lartë të shtetit amerikan nga populli i Tiranës.
Dhe kështu ndodhi. Megjithëse me një organizim krejt spontan, ajo ishte një nga pritjet më të mëdha, më entuziaste, që është bërë ndonjëherë në Tiranë për udhëheqësit e huaj që kanë vizituar Shqipërinë. Ishte hera e parë që shfaqej kaq fuqishëm publikisht proamerikanizmi i shqiptarëve. E gjithë Tirana ishte në shesh. Turmat e njerëzve fillonin që nga Rruga e Durrësit, nga do të vinte vargu i makinave. Para Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, në hyrje të kryeqytetit, njerëzit bllokuan dhe ngritën nga toka makinën ku ndodhesha unë me zotin Bejker. Ishim të gjithë të mbërthyer nga emocione të forta. Entuziazmi i turmës ishte i papërshkrueshëm, kur zoti Bejker mbërriti në sheshin “Skënderbej”. Fillimisht, u bë një vizitë e shkurtër në xhaminë e Ethem Beut dhe pastaj, pothuaj me vrap, të shoqëruar nga thirrjet e turmës, u ngjitëm në tribunën e vogël, të ngritur me shpejtësi herët në mëngjes. Momenti kur iu drejtova mikrofonit për të mbajtur fjalën e rastit do të mbetet i paharruar për mua. Në fillim ra një heshtje, që m’u duk si një hezitim i turmës, që kishte mbushur sheshin si asnjëherë tjetër. Por heshtja zgjati vetëm pak sekonda, pasi menjëherë nisën ovacionet dhe thirrjet pas çdo fjalie të fjalimit tim. Ato më çliruan nga emocionet, më forcuan besimin se po i shprehja sekretarit amerikan të Shtetit ndjenjat e popullit shqiptar të etur për demokraci.
Entuziazmi në shesh arriti kulmin, kur e mori fjalën zoti Bejker, duke iu drejtuar shqiptarëve me fjalët e para: “Mirë se vini në familjen e kombeve të lira!”.
Pamjet e këtij mitingu madhështor u bënë lajmi i ditës në agjencitë e lajmeve dhe të televizioneve kryesore të botës.
Fjala e Kryeministrit Ylli Bufi
Fjala e Sekretarit Amerikan të Shtetit J. Baker
Biseda në Selinë e Keshillit te Ministrave