Banka qendrore dhe paratë e diasporës
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Gazeta shqoptare, 18 shkurt 2021
Nëse në fund të vitit 2019 1.68 milionë përfaqësues të diasporës dërguan në atdhe 1.32 miliardë euro, duke ndihmuar 23 për qind të familjeve në Shqipëri, me fillimin e krizës nga COVID-19 në muajin mars 2020, me mbylljen ekonomike dhe recesionin e thellë ekonomik, vlerat e dërgesave(remitancave) në Shqipëri, si kudo në botë, filluan të bien. Rënia më e ndjeshme u regjistrua në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, me gati 35% humbje vjetore (65 milionë euro më pak). Në periudhën janar-shtator 2020, vlera e dërgesave të parave arriti në 471 milionë euro ose rreth 50 milionë euro (rreth 10 për qind) më pak se në vitin 2019. Po përse humbja si nëntëmujor rezulton më pak se tremujori i dytë prill-qershor 2020? Shkaku është se të dhënat e fundit sugjerojnë një trend rritës. Në fakt, sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit 2020, remitancat duket se janë rikthyer në shuma më të larta se një vit më parë për të njëjtën periudhë. Ato, gjithashtu, priten të ngushtojnë deficitin e llogarisë rrjedhëse(sa para fusim dhe sa nxjerrim nga Shqipëria) të vendit në 7.3 për qind të prodhimit kombëtar në vitin e ardhshëm 2022.
Rritja e remitancave përfaqëson një zhvillim shumë pozitiv për ekonominë tonë. Ato vijojnë të luajnë një rol parësor për anëtarët e familjeve të emigrantëve këtu. Së pari, këto transferta mund të ndihmojnë shumë familje të zbusin goditjet e pafavorshme makroekonomike, pasi disa prej tyre mund të jenë prekur shumë nga shpërthimi i COVID-19 në biznesin e tyre të vogël(janë 35 mijë veta të goditur fort), nga humbja e punës ose nga një rritje e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Shifrat zyrtare flasin për 95 mijë vetë të infektuar nga Koronavirusi, por, në fakt, kjo shifër duhet shumëzuar me shtatë (koeficienti ndërkombëtar i zënies nga COVID-19) dhe në këta 685 mijë vetë të infektuar, të paktën 200 mijë e kanë kaluar ose po e kalojnë flamën duke shpenzuar qimet e kokës për mjekim. Së dyti, duke marrë parasysh faktin që dërgesat e parave përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit kombëtar (Produktit të Brendshëm Bruto të vendit), si dhe efektin e tyre shumëzues në një ekonomi në vështirësi ku konsumi është i ulët, remitancat treguan një ndikim shumë më të madh në ekonomi, duke ndihmuar rritjen e konsumit në shtatë muajt e fundit dhe rënien ekonomike më pak nga parashikimi i ndërkombëtarëve (e parashikonin 6-9 për qind rënie, doli vetëm 4.5 për qind në vitin 2020, me 335 milionë euro më pak).
Paratë e diasporës nga ana tjetër ndihmojnë politikën fiskale, duke ndikuar në shtimin e konsumit dhe në arkëtimin e më shumë fondeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Ato mbështesin po ashtu sektorin financiar, duke liruar presionin mbi kredinë dhe politikën monetare. Ndihmojnë edhe tregun e punës, duke dhënë mbështetje për të vetëpunësuarit dhe duke përbërë burim të rëndësishëm financimi për biznesin e vogël. Banka e Shqipërisë, në botimin e saj “Pandemia dhe Remitancat”, thekson se “Remitancat, në kontekstin e zhvillimeve aktuale ekonomike, mbeten një potencial i madh për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik shqiptar, prandaj ato duhet të karakterizohen dhe trajtohen si resurse dhe si një kategori thelbësore në ekonomi. Për rrjedhojë, në mënyrë që të lehtësohet transferimi i remitancave dhe të zbutet ndikimi i zvogëlimit dhe humbjes së tyre, përpjekjet duhet të përqendrohen në mekanizmat dhe masat e duhura për t’i mbështetur ato, si dhe në uljen e kostove të dërgesave përmes promovimit të përdorimit të kanaleve digjitale.
Në këtë përpjekje, me qëllim ruajtjen e flukseve të dërgesave të parave, organizatat ndërmjetëse, përkatësisht: institucionet publike, grupet dhe organizatat e Diasporës, IOM dhe Banka Botërore, duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre dhe të përfshihen në hartimin e rekomandimeve për masa konkrete për adresimin e dërgesave të parave”. Banka e Shqipërisë, si mbikëqyrëse dhe nxitëse e sistemit bankar, paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili u miratua në korrik 2020. Miratimi i këtij ligji transpozon në legjislacionin shqiptar Direktivën e Bashkimit Europian “Për shërbimet e pagesave në tregun e pagesave”, duke prezantuar dhe rregulluar në tregun e pagesave një sërë aktorësh dhe shërbimesh pagesash inovative, të domosdoshme për të përballuar kufizimet e periudhës së pandemisë. Në se një përfaqësues i Diasporës për të dërguar me llogari bankare 200 euro në Shqipëri paguan 16 euro, me kalimin elektronik të parave nga celulari i tij paguan vetëm 1.99 euro! Ligji promovon tregtinë elektronike me kosto të ulëta. Zhvillimi i tregtisë elektronike mund të rezultojë si një kanal i ri për dërgesat e emigrantëve. Më në detaje, duke marrë në konsideratë faktin se përqindja më e madhe e remitancave financon konsumin, krijimi i mundësive për blerje online mund të përbëjë një kanal të ri për dërgesat e emigrantëve. Ligji, i mbështetur edhe nga ndryshimet rregullative, mundëson tashmë hapjen e llogarive në distancë dhe përdorimin e tyre për shërbime pagesash nga ana e diasporës.