Mbi debatin: tatime progresive apo tatime proporcionale

Nga Prof Sherif Bundo, botuar në Panorama 15 shkurt 2021

Është pa dyshim një nga temat më të diskutueshme të debateve në fushatën elektorale që ka hyrë vendi ynë, në pritje të zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti.

Është gjithashtu një nga temat më me interes, që kërkon një vëmendje dhe kujdes të veçantë jo vetëm në aspektin politik, jo vetëm dhe thjesht si instrument që ndjell, tërheq dhe mbledh vota në një fushatë elektorale. Strukturat tatimore janë në vetvete shprehje e koncentruar e një politike të caktuar, në fakt e shkollave të mendimit ekonomik.

Ato, shkollat e mendimit ekonomik, kanë meritën që e kanë udhëhequr shoqërinë drejt progresit dhe zhvillimit, drejt ekuilibrit dhe bashkëjetesës, drejt mirëkuptimit dhe prosperitetit. E, në këtë këndvështrim, unë mendoj se të marrësh pjesë në debatin mbi strukturën më të përshtatshme që i shërben ekonomisë shqiptare në situatën aktuale, është një kontribut modest, intelektual, profesional dhe progresist.

A KA STRUKTURA TATIMORE TË MIRA DHE STRUKTURA TË KËQIJA?

Nuk dua të abuzoj me shprehjet dhe thëniet aq të vjetra sa vetë historia e shtetit, se tatimet dhe taksat janë një e keqe e domosdoshme. Janë karburanti që bën të funksionojë makina shtetërore, makinë e cila është krijuar nga njerëzimi që të garantojë bashkëjetesën në komunitet, mirëfunksionimin e komunitetit dhe progresin e pandërprerë të tij. Në funksion të shkollave mbi mënyrën, rolin dhe funksionet e shtetit në ekonomi dhe në shoqëri, janë propozuar dhe tashmë ndër shekuj janë testuar nga eksperiencat e dhjetëra dhe dhjetëra shteteve dhe qeverisjeve të ndryshme, tri modele bazë mbi mënyrën e ndërtimit të tatimeve, me të cilat shteti grumbullon nga pjesëtarët e një komuniteti kontributin e gjithsecilit për të përballuar financiarisht ato kosto që e bëjnë atë funksional.

Ka tri struktura tatimore, ose e thënë më thjesht, tri mënyra tatimi: tatimi proporcional (në vendin tonë thuhet taksa e sheshtë), tatimi progresiv dhe tatimi regresiv. E shoh të arsyeshme të shpjegoj me nga dy-tri fjali thelbin e çdolloj të tatuari: Tatimi proporcional nënkupton shkallë tatimore të njëjtë, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Është i thjeshtë dhe i kuptueshëm për tatimpaguesit dhe lehtësisht i administrueshëm për administratën tatimore.

Nxit hapjen e shpejtë të vendeve të reja të punës dhe krijon klimën e inkurajimit relativ të investimeve private dhe të zgjerimit të biznesit. Tatimi progresiv nënkupton përdorimin e një shkalle tatimore që rritet progresivisht me rritjen progresive të bazës tatimore (nënkupto me rritjen progresive të të ardhurave ose burimeve të tjera të tatueshme). Është më i drejtë në thelb, shmang diskriminimin në tatime dhe i jep shtetit shansin të rritë rolin dhe kontributin e tij në mënjanimin e padrejtësive dhe polarizimit të pamëshirshëm të shoqërisë në të varfër dhe të pasur. Tatimi regresiv nënkupton uljen relative të shkallës tatimore (por jo shumës absolute të tatimit të paguar) me rritjen e bazës tatimore. Favorizon fuqishëm nxitjen e sipërmarrjeve, të iniciativës për të investuar dhe krijuar biznese, për të hapur vende dhe fronte të reja pune dhe për të inkurajuar rritjen ekonomike, por thellon shumë polarizimin. Për të qenë i saktë profesionalisht dhe për të ruajtur apo përcjellë te lexuesi një lloj koherence shkencore, duhet thënë se këto tri struktura tatimore kanë konkurruar ndër shekuj. Janë të tria struktura teorikisht të argumentuara, shkencërisht të bazuara, praktikisht të testuara.

Historia e shtetit dhe e qeverisjeve është histori e strukturave të ndryshme tatimore. Ndryshimet dhe rrotacionet në qeverisje kanë bërë që të korrigjojnë padrejtësitë dhe të ngushtohen hendeqet që krijojnë mënyrat e ndryshme të të tatuarit. Aplikimet për një periudhë të gjatë kohore të një strukture të vetme, apo mungesa e korrektesës në zbatimin e plotë të një strukture tatimore i shndërron ato në të kundërtën e tyre.

Në tre-katër dekadat e fundit kanë filluar të praktikohen edhe të ashtuquajturat struktura tatimore mikse, apo të miksuara. Janë struktura tatimore që kanë elementë nga dy ose të tria strukturat tatimore bazë. Për një segment janë proporcionale, por që në shtrirjen e tyre në kohë respektojnë një lloj progresiviteti. Janë si të thuash struktura të krijuara nga prakticienët dhe administratat e konsoliduara shtetërore.

Përdoren edhe në emër të një lloj pragmatizmi politik të konkretizuar në fushën e financave publike, që për periudha kohore të caktuara synojnë të realizojnë objektiva zhvillimore të caktuara. Duke i kërkuar të falur lexuesit për këtë shpjegim paksa teorik, konkludojmë se çdo lloj strukture ka avantazhet dhe disavantazhet e saj, që marrin jetë vetëm në kushtet dhe rrethanat konkrete të një vendi të caktuar, por që përcaktojnë së fundi edhe profilin e qeverive dhe të qeverisjeve.

A EKZISTON TATIMI IDEAL?

Nuk ka një mënyrë ideale të të tatuari. Mënyra më e mirë e të tatuarit është ajo mënyrë që buron nga barazia para ligjit, që materializohet në respektimin e parimit që “kush fiton të ardhura më shumë, duhet të paguajë tatime më shumë”. Termi “duhet të paguajë tatime më shumë” ka kuptimin duhet të japë kontribute më shumë për bashkëjetesën në komunitet të shoqërisë.

Tatimi ideal është ai tatim që nxit rritjen ekonomike, që redukton varfërinë, që i jep shoqërisë fytyrë dhe imazh njerëzor dhe që nxit transparencën dhe forcon kontrollin mbi qeverinë dhe qeveritarët si administratorë të përkohshëm të përdorimit të këtyre kontributeve, që në fjalorin e përditshëm e quajmë “buxheti i shtetit”. Tatimi ideal është ai tatim që pranohet dhe respektohet masivisht nga publiku. Në kushtet kur nuk ka një mënyrë ideale të të tatuarit, atëherë zgjidhja më e saktë dhe më e drejtë do të ishte ajo strukturë tatimore që u përshtatet më mirë kushteve konkrete të vendit, që zgjidh apo fut në rrugën e zgjidhjes problemet kardinale të ekonomisë dhe të shoqërisë, që mbyll shtigjet e polarizimit të frikshëm dhe që nxit krijimin e një shtrese të mesme të konsoliduar, garant për t’i vënë fre çdolloj konflikti që pjell polarizimi i tejskajshëm dhe i frikshëm i shtresave shoqërore. Ekuilibri është jetik.

Edhe i pasuri nuk ka kuptim dhe nuk mund të ekzistojë po qe se përkrah tij nuk qëndron apo nuk qëndrojnë punëtorët dhe specialistët që i mbajnë në këmbë biznesin dhe i japin jetë atij. Siguria e biznesmenëve qëndron te harmonia midis shtresave, si dhe ekuilibri dhe qëndrueshmëria e institucioneve.

Zgjedhja e një strukture të caktuar tatimore bëhet edhe nisur nga niveli i kulturës tatimore të një vendi, nga niveli i administratës tatimore, nga niveli i teknologjisë tatimore, nga niveli i legjislacionit tatimor, nga mjedisi rajonal dhe më gjerë, nga sistemet tatimore me vendet, me të cilat ekonomia e një vendi komunikon dhe ka këmbime të mëdha tregtare.

DEMAGOGJI POLITIKE APO EKONOMI POLITIKE?

Tatimi dhe mënyrat e të tatuarit kanë transformuar shoqërinë, por edhe e kanë deformuar atë, përfshi edhe vendin tonë. Ato, edhe pse nuk janë formula magjike dhe të gjithëpushtetshme, në kuptim afatgjatë kanë shërbyer si rregullatorë, mbi të cilët është bazuar drejtimi i lëvizjes së punës, kapitalit, ideve dhe vetë shoqërisë. Nëse shoqëria ka mbërritur sot në këtë fazë të zhvillimit dhe të mirëkuptimit midis klasave dhe shtresave shoqërore, kjo buron para së gjithash edhe tek aftësia dhe karakteri rregullator dhe rishpërndarës i pasurisë dhe burimeve ekonomike që është realizuar me ndihmën e strukturave tatimore.

Po, atëherë, cili është roli i këtyre strukturave tatimore në këto vite tranzicion të shoqërisë shqiptare? A kemi instaluar ne në këto 30 vite strukturën tatimore të përshtatshme? A i kemi ndërtuar dhe zbatuar ato në mënyrë integrale apo te ne është abuzuar me strukturat tatimore? A ka vend konkluzioni se në vendin tonë me strukturat tatimore është mbështetur më shumë demagogjia politike se sa ekonomia politike?

Analiza e detajuar dhe ezauruese e strukturave tatimore të deritanishme dhe roli apo kontributi i tyre në transformimin e ekonomisë dhe progresin e gjithë shoqërisë, kërkon tavolina të mëdha diskutimi dhe kërkon gjithashtu angazhimin e mendimit më të kualifikuar profesional dhe ekonomik nga fusha e ekonomisë dhe veçanërisht nga ajo e financave. Kjo mund dhe duhet të bëhet dhe ky do të ishte një kontribut me shumë vlerë për vendin. Ajo që mund të themi pa asnjë rezervë, ajo që mund të konkludojë edhe një diletant i ekonomisë është fakti se strukturat tatimore të përzgjedhura deri sot në vendin tonë kanë qenë më tepër struktura mekanikisht të implementuara. Në mënyrë të veçantë të bën përshtypje fakti që shkallët tatimore të vendosura në mënyrë voluntariste, si vullnet i drejtuesve të lartë politikë, si zgjidhje apo zgjedhje e preferencave konformiste, diktuar nga interesa të çastit, qofshin ato edhe elektorale. Shpeshherë, qëndrimi ndaj shkallëve tatimore (nivelit të përqindjes së tatimit) ka qenë diktuar nga grupe të vogla interesash të mëdha. Qeverisjet është normale të implementojnë edhe mekanizma që kënaqin një numër të kufizuar grupesh të interesit. Por, e palejueshme dhe të dëmshme janë ato shkallë tatimore, brenda së njëjtës strukturë tatimore që manipulojnë opinionin publik, që shfrytëzojnë “injorancën mbi kulturën tatimore” të njerëzve të thjeshtë, për të shitur si strukturë të drejtë tatimore pikërisht një mënyrë fare të papërshtatshme të të tatuarit. Le të jemi më pak konkretë: Cili është argumenti që shkalla tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga paga, shtesat dhe shpërblimet në vendin tonë u përzgjodh shkalla 13%? Pse nuk u përzgjodh 12 %, 14, ose 15 %? Pse shkalla tatimore për të ardhurat mbi 150 mijë lekë është vendosur 23 %? Përse shkalla tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga shpërndarja e dividendëve u zbrit nga 15 % në 8 %? Përse, mbi çfarë argumentesh, të ardhurat nga kapitali tatohen më pak se të ardhurat nga krahu i punës dhe nga puna intelektuale? Përse kjo shkallë tatimore nuk u caktua le të themi 9 %, apo 12 %, por 8 %, pothuaj sa gjysma e shkallës së mëparshme tatimore? Duket qartë se kemi të bëjmë me voluntarizëm të frikshëm. Për aq kohë sa këto shkallë nuk vendosen mbi bazën e një studimi gjithëkombëtar, për aq kohë sa këto shkallë nuk u referohen opinioneve të institucioneve të konsoliduara dhe jo të politikanëve pa kulturë ekonomike, për aq kohë sa këto shkallë tatimore nuk bazohen në kushtet konkrete të vendit tonë, por kopjohen në mënyrën më të keqe të mundshme, atëherë pasojat e tyre do të jenë të frikshme dhe efektet e tyre do të jenë negative. Shkallët tatimore të pastudiuara e deformojnë shoqërinë dhe mbi të gjitha atrofizojnë biznesin, ekonominë dhe sipërmarrjen. Një strukturë tatimore që ndrydh iniciativën dhe prish dukshëm konkurrencën, çelësin e artë të ekonomisë sociale, është një minë me sahat në shinat e trenit, mbi të cilat rrëshqet ekonomia dhe jeta e shtetit. Qeveritë nuk janë pronare të buxhetit të shtetit, ato janë shërbëtore të mirëfunksionimit të sistemeve dhe mekanizmave që tatimet të japin efektin maksimal të tyre.

A ËSHTË VËRTET PROGRESIV TATIMI PROGRESIV MBI TË ARDHURAT PERSONALE?

Është një diskutim mbi të njëjtën linjë logjike. Kemi tetë vite që në vendin tonë promovohet si progresiv struktura tatimore mbi të ardhurat individuale. Në fakt, dhe kjo duhet nënvizuar fort, kemi një strukturë tatimore që në masën 98,3 % është proporcional, pra, është i sheshtë. Kjo do të thotë se vazhdojmë të kemi në thelb, që prej vitit 2005 (16 vjet) strukturë tatimore proporcionale, të cilën demagogjikisht e promovojmë si progresive?

Për të kuptuar mirë këtë përfundim të rëndësishëm, unë do të bëja një pyetje të thjeshtë: sa për qind tatohen të ardhurat mbi 30 mijë lekë të një personi që ka pagën 45 mijë lekë dhe të një personi tjetër që ka të ardhura nga paga, shtesat dhe shpërblimet 148 mijë lekë? Shkalla është e njëjtë, 13 %  është përgjigjja. Domethënë, jemi në kushtet e tatimit proporcional (të sheshtë). Pyetja ime e dytë është: Sa për qind e popullatës në vendin tonë kanë të ardhura nga paga më pak se 150 mijë lekë në muaj? 98,3 % e të punësuarve është përgjigjja.

Atëherë, kujt i shërben kjo strukturë tatimore? Askujt, është përgjigjja. Analiza ime ka të bëjë me një fakt tjetër: A duhet të tatohen njëlloj të ardhurat e këtyre dy punonjësve? A respekton struktura tatimore parimin e shenjtë që kush fiton më shumë, paguan më shumë? Jo, në asnjë mënyrë jo. Të dy punonjësit tatohen njëlloj. Do ishte vërtet strukturë progresive nëse të ardhurat nga 30 mijë deri në 60 mijë, të tatoheshin të themi 5 %, të ardhurat nga 60 mijë deri në 90 mijë të tatoheshin 8 %, të ardhurat nga 90 mijë deri në 120 mijë ta tatoheshin 11 %, të ardhurat nga 120 mijë deri në 150 mijë të tatoheshin 14 % dhe mbi këtë nivel të themi të tatoheshin 18 %. Këtu po, ka një progresivitet të shprehur qartë dhe ka edhe një diferencim të arsyeshëm dhe të logjikshëm (e nënvizoj, është shembull jo se janë këto shkallët tatimore që duhen, për këtë ka studime në botën akademike).

Kjo është padrejtësia më e madhe. Atëherë duhen thënë të vërtetat e vërteta më me kurajë dhe më me profesionalizëm. Atëherë, kujt i hidhet hi syve? Pse abuzohet më lojën e fjalëve dhe me paditurinë e individëve në fushën fiskale?

CILA DO TË ISHTE STRUKTURA TATIMORE MË E PËRSHTATSHME PËR VENDIN TONË?

Në analizën e sotme të ekonomisë europiane, gjen dukshëm dy modele lidhur me strukturat tatimore, të cilat konkurrojnë dhe alternohen herë njëra dhe herë tjetra. Modeli europian, partitë e së ashtuquajturës të qendrës, qofshin të majta apo të djathta, janë të fokusuara te strukturat progresive, në mbështetje të të ashtuquajturit model i ekonomisë sociale të tregut.

Të majtët preferojnë shkallë tatimore të larta për të pasurit, ose për individët me të ardhura vjetore të larta, sidomos shkallë të larta tatimore mbi të ardhurat nga kapitali, nga dividendi dhe renta, për të grumbulluar më shumë të ardhura dhe për të pasur më shumë pushtet rishpërndarës në përkrahje edhe të shtresave të marxhinalizuara, ndërsa të djathtët preferojnë shkallë tatimore më të moderuara për të nxitur biznesin me mentalitetin se nxitja dhe inkurajimi i biznesit zgjidh automatikisht problemet dhe shqetësimet ekonomike të individit dhe të shtetit.

Personalisht parapëlqej shkollën dhe strukturën tatimore progresive, si mekanizmin që nuk i lejon polet të largohen frikshëm prej njëri-tjetrit dhe që nuk lejon të krijohen apo të thellohen hendeqet që i ndajnë këto pole nga njëri-tjetrin. Por, një tatim progresiv i zbatuar keq, të cilit i mungon dukshëm progresiviteti, apo që nuk ka në thelb progresivitet të shprehur, nuk është gjë tjetër veçse një strukturë tatimore proporcionale e deformuar dhe e kamufluar.

Dhe një strukturë proporcionale e zbatuar keq i bën dëm të madh edhe shoqërisë, edhe kulturës tatimore, edhe psikologjisë ekonomike, edhe shtetit dhe në mënyrë të veçantë buxhetit të shtetit. Nga instrument që duhet të nxisë paqen sociale, struktura progresive e keqzbatuar nxit konfliktet sociale, provokon dezekuilibër dhe krijon për shoqërinë kosto sociale të panevojshme. Atëherë, më mirë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë sesa të kamufluar dhe mashtrues në politikat tatimore.

KUSH I PROPOZON DHE KUSH I ZBATON STRUKTURAT TATIMORE?

Strukturat tatimore nuk janë si mballomat e një qerreje që ka ngecur në baltë. Ato nuk mund as të fabrikohen dhe as të zbatohen në mënyrë diletante. Strukturat tatimore janë konkretizim i shkollave të caktuara. Formulimin dhe kthimin e tyre në akte ligjore dhe administrative duhet ta bëjnë stafet profesionale që marrin përgjegjësi politike dhe që garantojnë zbatimin rigoroz të tyre. Strukturat dhe shkallët tatimore nuk janë si librat e bakallit që mund t’i tregtojë çdo politikan, pavarësisht nëse i kupton apo nuk i kupton.

Stafet profesionale që marrin përgjegjësi politike, duhet të argumentojnë shkencërisht pse zgjedhin njërën ose  tjetrën? Cilat janë objektivat që ata mendojnë dhe projektojnë të zgjidhin në harkun kohor të katër viteve të një mandati politik me implementimin e tyre dhe në fund të mandatit të japin llogari nëse performancas e tyre ishte ose jo ajo e projektuar, në të kundërt të hapin krahun.

E kuptoj sa keq ndihet një ministër që i kërkohet të zbatojë një strukturë tatimore që as e ka projektuar vetë, as e ka studiuar vetë, as e njeh mirë, as e ka idenë, as ka bindjen dhe për më tepër që nuk e fillon dhe e mbaron vetë realizimin e një objektivi të tillë. Eksperimentet me strukturat tatimore janë të destinuara të dështojnë, por problem është se pasojat e dështimit i vuan publiku, pa përjashtim. Këtu ndeshim edhe me një sjellje jomorale.

E kuptoj që pa e lexuar deri në fund këtë analizë dhe artikull, do të thotë dikush se në politikë nuk ka moral. Jo, të dashur lexues. Politika dhe morali nuk janë e njëjta gjë vërtet, por një politikë që nuk respekton një minimum kodesh morale të jetës, nuk i duhet askujt. Politika është e moralshme nëse respekton sjelljen njerëzore, dëshirën për progres ekonomik dhe njerëzor, nëse respekton traditën, zakonin, edukatën dhe opinionin. Janë në njëfarë mënyre shtyllat, mbi të cilat ngrihet ngrehina e shtetit dhe e bashkëjetesës.

Ai që është në pushtet, duhet të bëjë bilancin e arritjeve, të shprehë performancën e asaj që ka deklaruar, të shpjegojë pse nuk arriti pritshmëritë e parashikuara dhe të deklaruara vite më parë, të shpjegojë pse ka devijuar nga kursi për të cilin e votua, të shpjegojë në se e zbatoi apo jo strukturën tatimore që ka deklaruar, të shpjegojë çfarë pasojash dhe problemesh krijoi, të nxjerrë përgjegjësitë për deformimet, të ndëshkojë ata që kanë dështuar dhe që i konsuamuan në mënyrë të pafrytshme katër apo tetë vite jetë elektoratit, pastaj të marrë kurajën dhe të bëjë premtime të tjera. Përndryshe, ky do ishte fundi i moralit dhe i politikës së pamoralshme.

Profesor i Financave në Universitetin e Tiranës

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi