Realiteti paralel i ndjekësve të Trump
Nga Alfredo Luis Somoza, HuffPost, 12 janar 2021
Ne duhet të mësojmë nga faktet e Uashingtonit sepse krimbi që po gërryen demokracinë nuk është një problem vetëm në Shtetet e Bashkuara, dhe madje jo vetëm amerikan.
Ngjarjet e pashembullta kryengritëse që ndodhën në Parlamentin e SHBA vijnë pas viteve të përgatitjes kulturore dhe politike të ideve të çdoganuara ekstremiste, të cilat janë bërë baza për një rrëfim të ri politik. Të ashtuquajturat “fakte alternative”, domethënë “realitete paralele”, janë bërë e vërteta e vetme për miliona njerëz.
Është një teknikë që është përdorur prej kohësh në kontekste të ndryshme, dhe që përhapet kryesisht përmes memeve që kërcejnë mes WhatsApp dhe rrjeteve sociale. Magjistari i kësaj strategjie të zbatuar në politikë, dhe ndoshta shpikësi i saj, është Steve Bannon, krijuesi i faqeve që krijojnë dhe përhapin lajme të rreme, këshilltar i komiteteve pro Brexit, Donald Trumpit dhe Jair Bolsonaros.
Parimi i përdorur nga mediat e kësaj galaktike nuk është të argumentosh me kundërshtarin, por të ndërtosh një realitet të ri: një realitet kaq i modeluar dhe “tërheqës” sa që në një moment të caktuar bëhet i padallueshëm nga ai real.
Qysh në 1940 shkrimtari Jorge Luis Borges e parashikoi këtë temë në një histori të shkurtër me titull Tlön, Uqbar, Orbis Tertius. Borges tregon për një enciklopedi që përshkruante një qytet inekzistent në Azinë e Vogël, të quajtur Uqbar, i cili kështu bëhet real për një numër gjithnjë në rritje njerëzish. Ai përshkruan përdorimet dhe zakonet, moralin dhe kulturën, politikën dhe institucionet e këtij qyteti inekzistent derisa futet në një botë të tërë, po aq inekzistente, të quajtur Tlön. Në një moment të caktuar Toka fillon të ngjajë me Tlön në një mënyrë shqetësuese: njerëzimi, duke iu përshtatur kulturës së asaj bote imagjinare dhe misterioze që beson se është e vërtetë, përfundon duke e bërë atë të vërtetë.
Në Shtetet e Bashkuara sot ekzistojnë dy realitete. Ai në të cilin Joe Biden fitoi zgjedhjet dhe një realitet “alternativ”, në të cilin Donald Trump fitoi. Besohet si e vërtetë, kjo e fundit, nga 40% e votuesve republikanë.
Trump, pra, sot nuk është një i marrë i izoluar në Shtëpinë e Bardhë, por përfaqëson miliona njerëz që besojnë dhe jetojnë në atë “realitet alternativ” të ndërtuar me zgjuarsi, i cili në fund të fundit, është një ikje nga realiteti. Edhe sepse, kur refuzohet konfrontimi apo edhe përplasja me kundërshtarin për tu strehuar në një botë të ndërtuar në tryezë, njëra është me përkufizim e padiskutueshme.
Në botën e Trump ai nuk është i humbur, ai është viktimë e komploteve; gjërat nuk janë komplekse, ato gjithmonë janë të manipuluara; nuk vlejnë meritat ose studimet, mjafton intuita dhe “mendja e shëndoshë”. Një botë në të cilën Covid nuk ekziston, ose ekziston dhe prej kohësh është dhe kura, por “ata nuk duan të na bëjnë të ditur”; ku është më mirë të qëndroni larg vaksinave dhe të mos përdorni maska; ku është më mirë të mos i besosh kurrë shtetit, apo të armatosesh për t’u mbrojtur vetë; ku pushteti kontrollohet fshehurazi nga bandat pedofile vrasëse. Bota e fakteve alternative është e tmerrshme sepse është e pashpresë, por është edhe më e tmerrshme se miliona njerëz besojnë se është e vërtetë, dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Këto ditë të gjithë komentuesit analizojnë gjendjen e demokracisë “amerikane” duke iu referuar vetëm asaj të Shteteve të Bashkuara. Në realitet, kjo pasaktësi leksikore fsheh një të vërtetë: ajo që po ndodh në Uashington ndodh gjithashtu në shumë vende të tjera amerikane. Por edhe në vende evropiane, aziatike, afrikane. Në të gjithë botën, mungesa e njohjes reciproke midis palëve ka ndryshuar lëkurën e debatit politik, në të cilin ne nuk luftojmë më në nivelin e ideve, por në atë të legjitimitetit (ose më mirë, të delegjitimimit) të kundërshtarit.
Fituesit kriminalizojnë paraardhësit e tyre, humbësit nuk e njohin humbjen dhe kështu vazhdimësia institucionale vihet në rrezik. Kritika dhe madje edhe më shumë, vetëkritika, janë zhdukur: nëse diçka nuk funksionon, ajo ishte një komplot. Ekziston një politikë që është gjithnjë e më e ngjashme me logjikën e mbështetësve të futbollit, dhe e gjithë kjo në fund të fundit, dobëson institucionet demokratike. Ne duhet të mësojmë nga faktet e Uashingtonit sepse krimbi që po shkatërron demokracinë nuk është një problem vetëm në Shtetet e Bashkuara, dhe jo vetëm amerikan.