Shteti “garantues” përballë pandemisë së covid-19

Nga Adrian Civici, botuar në JavaNews, 6 janar 2021

Historia na ka përballur me fakte të shumta për gjykimin e rolit të Shtetit dhe detyrat apo “kërkesat specifike” që shoqëria dhe individët kanë ndaj tij. As viti 2020, i karakterizuar nga përpjekje titanike për përballimin e efekteve shkatërrimtare shëndetësore, ekonomike e sociale të pandemisë së covid-19, nuk bën përjashtim. Filozofia dominuese e kësaj periudhe të vecantë e të panjohur më parë për përmasat dhe specifikat e saj u karakterizua më shumti nga togfjalëshi “ të gjithë me sytë nga Shteti”… “ kësaj situate të jashtëzakonshme duhet ti japë zgjidhje Shteti”.

Duhet të ndodhin kriza të rënda ekonomiko-financiare, shëndetësore, mjedisore, etj., që në plan të parë të rridalë “rëndësia e rolit të Shtetit”, agjentit të vetëm ekonomik të aftë që të ndërhyjë masivisht në emër të interesit publik.

Ndërkohë që mbrojtësit e liberalizmit, neoliberalizmit dhe Shtetit liberal mendojnë se kjo është një situatë e përkohëshme që do mbarojë me zhdukjen e pandemisë dha ato do të rrikthehen shpejt për të garantuar lirinë e individit dhe tregun e lirë, për të mbështetur demokracinë funksionale dhe Shtetin e së drejtës, për të stimuluar zhvillimin ekonomik, produktivitetin, lëvizjen dhe tregëtinë e lirë, ndërkohë që kjo situatë e jashtëzakonshme “me kaq shumë Shtet” rrezikon të cënojë rëndë demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Sipas tyre, shembujt në këtë drejtim nuk mungojnë.

Pothujase në gjithë vendet e botës, vecanërisht në ato të zhvilluara e me ekonomi emergjente, kriza e covid-19, riaktivizoi disa nga parimet themelore të funksionimit të Shtetit, duke shkuar shumë më larg se kufizimet dhe profili i shtetit neoliberal që kishte dominuar mendimin ekonomik e politik në dekadat e fundit. Viti 2020 dëshmoi “për një Shtet që e tejkaloi dhe dominoi tregun”, për një Shtet që mbrojti sistemet e financimit të ekonomisë, që mbajti në aktivitet sistemet e pagesave dhe mbrojti shtresa sociale vulnerabël, që  riaktivizoi me përparësi shërbimet publike vitale, vecanërisht ato shëndetësore, Shtet që konfirmoi përparësinë e “portretit social të tregut”. Mbas “c’aktivizimit qoftë dhe të përkohëshëm të tregut”, Shteti, nëpërmjet “planeve speciale për shpëtimin e ekonomisë”, u vendos në pararojë të luftës dhe përpjekjeve për përballimin e krizës së pandemisë.

Ndryshe nga doktrinat dominuese të viteve 1980-2000, të cilat privilegjonin rolin dominues e udhëheqës të tregut “në kohë të qeta ekonomike e sociale”, kriza financiare globale e vitit 2008 dhe vecanërisht kriza e pandemisë së covid-19, rrisollën në skenë rolin aktiv e dominues të Shtetit në ekonomi, në shërbimet publike dhe përballimin e goditjeve të rënda sociale. Kjo sepse, shfaqja e papritur e krizave i vë përballë të panjohurave të mëdha ekonomistët e politikanët duke i detyruar të rimendojnë e të reflektojnë thellë për strategjitë dhe politikat ekonomike e sociale në periudha krizash, si për përballimin e efekteve të krizës, ashtu dhe për politikat e strategjitë e rrimëkëmbjes post-krizë.

Shteti dhe doktrina neoliberale që mbronte idenë e një “Shteti minimal dhe tregu maksimal”, e një Shteti që plotësonte vetëm funksione rregullatore minimale duke ja lënë gjithë hapësirën tjetër “lojës së lirë të forcave të tregut” u vendosën përkohësisht në rregjim stand by, duke u bërë objekt. me të drejtë apo pa të drejtë, i një sërë kritikash e parashikimesh pesimiste për të ardhmen e kësaj doktrine dhe këtij modeli Shteti. Vetë kapitalizmi liberal dhe e ardhmja e tij u vunë seriozisht në dyshim, bile në mjaft raste, duke e shpallur dhe fajtorin kryesor të kësaj situate të rëndë që po kalojnë mjaft vende të botës.

Ndërkohë, në kuptimin e gjerë të fjalës, vetë mjedisi anglo-sakson, mbështetës i paepur i kësaj teze ishte nga të parët që e pranoi nevojën për ndryshim – qoftë dhe të përkohëshëm – në kushtet e kësaj krize të paprecedent, që ndërrmori planet më të mëdha shtetërore në mbështetje të ekonomisë e shoqërisë, duke pranuar faktin e “domosdoshmërisë së ndërhyrjes së Shtetit dhe rolin e tij të padiskutueshëm si fuqi publike”. Në këtë situatë të jashtëzakonshme pandemie, Shteti u vlerësua si “përfaqësuesi më i mirë i interesit publik”, si “aktori ekonomik dhe lojtari më eficent në situatë emergjence”.

Debatet dhe kërkimi i praktikave më të mira për rolin e Shtetit në kohë krizash u intensifikuan ndjeshëm menjëherë mbas shpërthimit të krizës financiare globale të vitit 2008, efektet negative të së cilës vazhduan deri në vitet 2015-2016. Por, ndëkohë që në krizën e vitit 2008, efektet e flluckës monetare dhe crregullimet strukturore të tregjeve financiare e monetare bënë të domosdoshme politikat monetare jo-konvencionale, kriza e pandemisë së covid-19 në vitin 2020 u cfaq si një krizë komplekse shëndetësore pa lidhje me ekonominë dhe tregjet financiare, duke sfiduar seriozisht filozofinë e politikave boxhetore rigoroze dhe ekuilibrit financiar të ndërrmarë gjatë 2-3 dekadave të fundit nga shumica e vendeve të botës në përputhje edhe me sugjerimet dhe recetat e FMN dhe Bankës Botërore.

Ndryshe nga kriza e vitit 2008, kriza e pandemisë së covid-19 e vitit 2020 i vuri Shtetet dhe qeveritë në një situatë vendimmarrje të mbushur me paqartësi e pikëpyetje të vështira, me situata në të cilat “identifikimi dhe llogaritja e riskut dukej si dicka pothujase e pamundur në momentet aktuale”.

Mbas dominimit për pothujase një shekull i nocionit të “Shtetit mbrojtës”, pandemia e covid-19 nxorri në skenë nevojën e një “Shteti garantues”, emergjencën e një Shteti të vendosur përballë presionit të madh të opinionit publik në fushën e menaxhimit të rrezikut të madh shkaktuar nga pandemia e covid-19. Shteti duhet të dëshmonte aftësitë dhe kapacitetin e tij në menaxhimin e suksesshëm të riskut shëndetësor, ekonomik e social, në krijimin e mekanizmave siguruese e garantues për individë dhe bizneset. Pandemia nxorri në evidencë kërkesën e “sjelljes së Shtetit si administrues i riskut, sidomos në kohë goditjesh e krizash të rënda”.

Njëkohësisht, pandemia tregoi dhe “cilësinë e Shteteve dhe institucioneve kryesore të tyre në përballimin me sukses apo dështimet e tyre në këtë rol të ri”. Rreziku i rënies në autoritarizëm dhe tendenca represive në emër të menaxhimit të krizës dhe përballimit të pasojave të saj është rrezik real dhe njëkohësisht prezent në mjaft vende të botës.

Fjalët celës mbi të cilat u ndërtuan përgjigjet e ndërhyrjeve shtetërore dhe vetë rolit të Shtetit ishin “po përballemi me një situatë anormale”. Roli i Shtetit si aktor kryesor përcaktues i luftës ndaj pandemisë dhe pasojave të saj në ekonomi dhe shoqëri, nuk mund të mendoheshin si “rol në kohë normale”. Pandemia e covid-19 nuk korrespondonte me shembuj krizash të mëparshme ekonomike e financiare. Nuk ishte as goditje e ofertës dhe as goditje e kërkesës, nuk ishte as devijim  strukturor i cikleve të biznesit- terma e fenomene me të cilat, vecanërisht ekonomistët por dhe vendimmarrësit politikë ishin ndeshur në krizat e mëparshme.

Shtetet dhe qeveritë nuk mund të luftonin kundër pandemisë së covid-19 pa imponuar një ndërprerje radikale, qoftë dhe në periudha të limituara në kohë, të aparatit prodhues të ekonomive të tyre, pa i privuar bizneset dhe punonjësit nga të ardhurat normale si pasojë dhe efekt i izolimit social. Jo rastësisht pothujase kudo në botë kryetarët e shumë shteteve e qeverive përdorën pa ngurim shprehjen “jemi në luftë me një armik të padukshëm”, sepse shumica e muajve të vitit 2020 u dominuan nga situata të ngjashme me luftat apo katastrofave të rënda natyrore.

Kjo bëri që Shteti të dilte në plan të parë në rolin e “mbështetësit dhe garantuesit të të ardhurave të bizneseve,familjeve dhe individëve si dhe shërbimeve publike jetësore, vecanërisht shëndetësisë dhe një kategorie të caktuar shërbimesh plotësuese të lidhura ngushtë me emergjencën sanitare”. E gjithë kjo u përkufizua me termin “garanci sistemike”, pasi subvencionimi i të ardhurave të pjesës dërrmuese të bizneseve, familjeve dhe individëve nga Shteti ishte i jashtëzakonshëm.

Ishin pikërisht këto kushte e situata “speciale” të cilat, në kushtet e kësaj krize mjaft komplekse e plot të panjohura, justifikuan rrikthimin e Shtetit me një mision të ri rregullator, “misionin e Shtetit garantues”, term dhe praktikë e pa aplikuar ndonjëherë më parë në këto përmasa dhe me këtë qëllim. Specifika kryesore qëndronte në faktin se kudo në botë, vecanërisht në vendet e zhvilluara, planet dhe paketat e mbështetjes dhe rrimëkëmbjes ekonomike nuk ngjanin me “planet dhe ndërhyrjen stimuluese keynesiane të aplikuara më parë,as me politikat specifike të mbështetjes së ofertës apo stimulimit të kërkesës.

Në ndërhyrjet specifike të Shteteve, Qeverive, Bankave Qëndrore, etj., synohej kombinimi i kontrollit të përhapjes së koronavirusit me mbështetjen e të ardhurave të bizneseve dhe punonjësve të të gjithë kategorive, përfshirë këtu dhe ndihmat sociale për shtresat vulnerabël të shoqërisë apo projekte të vecantë në ndihmë të nxitjes së konsumit: transferime monetare ne favor të mbështetjes së punësimit dhe të papunëve, në favor të sipërrmarjeve, anullim apo shtyrje të detyrimeve fiskale e tatimore, etj., mbështetje e jashtëzakonshme sanitare e shëndetësore në spitale e qëndra të specializuara, financim i kërkimit shkencor në sferën mjekësore, etj.

Përse nocioni i “Shtetit garantues” i konsoliduar gjatë krizës së pandemisë së covid-19 u bë kaq prezent gjatë vitit 2020? Cfarë e ndryshoi në thelb rolin e Shtetit në kohë krizash, aq më tepër në një krizë kaq të rëndë e të vecantë si kriza e pandemisë së covid-19?

Gjatë viteve 2009-2015, pas krizës financiare të vitit 2008, programet mbështetëse e  stimuluese të zbatuara gjatë krizës, disa vite më vonë u pasuan nga programet e rigorozitetit fiskal e buxhetor që synonin rivendosjen e ekuilibrave makroekonomikë në sferën financiare e monetare. Shumëfishuesit keynesian – shtimi i shpenzimeve dhe nxitja e konsumit ka një efekt shumëfishues në të ardhurën kombëtare dhe ekonominë në përgjithësi – rrezikonin ta thellonin akoma më shumë krizën, duke kërkuar ndërhyrjen në shkallë të gjerë të Bankave qëndrore dhe politikave monetare shtrënguese.

Por, në kushtet aktuale, duket se kjo formulë duhet rrikonsideruar, të paktën në periudha afatshkurtëra dhe afatmesme. Doktrinat dhe programet buxhetore e fiskale po gjykohen në një këndvështrim të ri, duke e parë rolin dhe ndërhyrjen e Shtetit nën optikën e ekonomisë politike, dmth, të efekteve të politikave ekonomike e financiare në shoqëri në këto “kohë e situata specifike krize”.

Në debatin dhe analizat ekonomike e financiare po gjen gjithnjë e më shumë vend vlerësimi “për domosdoshmërinë e garantuesve sistemikë në rolin dhe funksionet e Shtetit në kohë krizash”. Bëhet fjalë për ruajtjen e atyre vlerave të cilat shoqëria i konsideron dhe vlerson si “mallra dhe shërbime jetësore prej të cilave nuk mund të privohet askush…si mallra e shërbime që sigurojnë kohezionin social dhe vetë egzistencën e individëve dhe bizneseve”, që shmangin falimentimet masive të sipërrmarjeve, që e mbrojnë shoqërinë nga papunësia masive, që mbrojnë nivelin e produktivitetit të punës dhe kapitalit, që sigurojnë shërbimet publike jetësore e fondamentale si arsimi, shëndetësia, sigurinë publike, sigurinë juridike, etj.

Këto shpenzime të domosdoshme, duhet tju bashkohen atyre të dedikuara eskluzivisht për luftën ndaj përhapjes dhe kurimit të pasojave të covid-19 që në vetvehte përbëjnë gjithashtu një element të rëndësishëm të aspekteve “garantuese të Shtetit”.

Në momentin kur analizat dhe doktrinat ekonomike, por dhe vetë shoqëria do ti pranojë këto parime të reja, vlerësimi për rolin dhe shkallën e ndërhyrjes së Shtetit apo mënyrat e financimit të ekonomisë nga ana e tij do fillojnë të ndryshojnë. Pranimi i këtij roli të ri të Shtetit nga shoqëria në këtë situatë të jashtëzakonshme kërkon mënyra të reja analizash e formash financimi të këtyre shpenzimeve, kërkon këndvështrime të reja për buxhetin, borxhin, sistemin fiskal, rolin e monedhës në kohë krize, mënyrat e sigurimit nga ana e Shtetit të këtyre financimeve, etj.

Në literaturën dhe debatet aktuale ekonomike e politike po flitet cdo ditë e më shumë për natyrën e këtyre ndryshimeve, për sfidat e reja që duhen përballuar në të ardhmen e afërt. P.sh., propozohet që shumat gjigande financiare të shpenzuara nga Shtetet dhe qeveritë në këtë periudhë të jashtëzakonshme pandemie mund të transformohen në kredi afatgjata të Bankave Qëndrore duke u bërë pjesë e aktiveve të bilanceve të tyre me maturitete afatgjata. “Shtetet sigurojnë të ardhurat e domosdoshme, ndërkohë që Bankat Qëndrore vendosen në rolin e tyre të paguesit të instancës së fundit”. Shumë ekonomistë dhe bankierë qëndrorë mendojnë se ky veprim do kërkonte një reflektim të gjerë e të thellë për rolin e parasë në kohë krizash.

Ndryshe nga situata dhe recetat e përdorura gjatë krizës globale financiare të vitit 2008, në situatën aktuale nuk po mendohet si prioritet kompesimi i mungesës së likuiditetit në sistemin financiar, as shpëtimi i bankave me moton “too big too fail”, as rëndimi me borxhe i bizneseve dhe individëve me shpresën se, kur kriza të mbarojë, ata do jenë në gjendje ti shlyejnë gradualisht këto borxhe e kredi të natyrave të ndryshme. Kur një krizë e rëndë me natyrë sanitare apo natyrore kërcënon rëndë shoqërinë dhe ekonominë, monedha duhet të luajë rolin e saj kryesor : të drejtën e gjithkujt për të pasur akses në likuiditet në mënyrë që të garantojë minimumin e domosdoshëm jetik.

Propozimet dhe sugjerimet janë të shumta. Debatet e kundërshtimet po ashtu. Pyetjet e pikëpyetjet, në vend që të reduktohen, shtohen cdo ditë e më tepër. Dilema më e madhe qëndron në gjetjen e një përgjigje sa më konsensuale në lidhe me pikëpyetjen : ky lloj Shteti “garantues” por dhe autoritar që u profilizua qartë në këtë periudhë të jashtëzakonshme krize të covid-19, do të hedhë rrënjë e do të vazhdojë gjatë si alternativa më e mirë në vitet apo dekadat në vazhdim, apo, me qetësimin e situatës dhe fitimin e luftës me pandeminë dhe efekteve të saj, do të kemi një rrikthim në normalitetin e Shtetit dhe demokracinë liberale?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi