Pse demokracia është ende e largët në Shqipëri?!
Nga Ben Andoni, botuar në Java, 29 dhjetor 2020
Në 30 vitet e fundit, Shqipëria, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në shndërrimin prej një shoqërie gjysmake të sistemit socialist në një shoqëri konfuze të sistemit kapitalist. E përcaktojmë kështu, pasi Shqipëria edhe Socializmin e bëri në një udhë të paparë dhe krejt ndryshe nga gjithë vendet e Lindjes, ose e thënë ndryshe e pa të dytë në manualet filozofikë të Socializmit. Mund të thuhen shumë gjëra për tranzicionin, por fillimi ishte katastrofal. Një artikull i vitit 2009 të DW, i autorëve Fabian Schmidt dhe Angelina Verbica, duke cituar ish-ministrin e tyre Carl-Dieter Spranger, atëherë kreu gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik, për përshtypjet e para nga një vizitë në Shqipëri në vitin 1992, e zbërthente vendin tonë me një dritë të saktë: “Situatat katastrofale, me të cilat ne u ndeshëm janë të pashembullta. Kjo relativizon shumëçka, që mund të hasësh, kur viziton vendet klasike në zhvillim, Afrikën dhe Amerikën Latine. Unë do t’i rekomandoja secilit qytetar gjerman të një shoqërie me mirëqenie, që mendon se duhet të kritikojë kushtet e jetesës në Gjermani, të vijë një herë në Shqipëri“.
Megjithë zhvillimin e pamohueshëm njëkohësisht edhe të debatueshëm të vendit tonë, rruga që bëmë ne shqiptarët është e pakrahasueshme, ndërsa afrimi drejt Demokracisë së vërtetë duket se do ende shumë e shumë punë. Kjo për shkak të politikës, modeleve dhe njerëzve që zgjedhim të na përfaqësojnë, administratës që kemi ngritur, nga ndryshimi i ngadaltë i mentalitetit, por mbi të gjitha nga predispozita për demokracinë e vërtetë, e cila kërkon detyrime dhe sakrifica. Çfarë nuk bëmë mirë? Çfarë duhej bërë? Ka pafund teori dhe kompetentë të fushave të ndryshme të cilët kanë parashtruar ide për zhvillimin e vendit, por një gjë duket qartë në procesin e integrimit të Shqipërisë: ne vazhdojmë për shkak të kaosit të madh të brendshëm të shkojmë në drejtime jo të mira. Ose më saktë duke penguar, zhvlerësuar shumë gjëra politikisht, ekonomikisht, që kulmojnë me zvetënimin tonë moral, ku shpërdorimi i madh e “normal” i fondeve publike raportohet sistematikisht nga KLSH-ja. Në një farë mënyre, demokracia tek ne kuptohet që kur PD-ja të jetë në fuqi, PS-ja me të gjithë mekanizmat e saj t’ja pengojë arritjet dhe punën; ashtu si PD-ja tashmë në çdo hap që ka bërë PS-ja e ka sabotuar me të gjitha mënyrat, shpesh edhe palogjikë. Për fat të keq, vijat e kuqe tek ne nuk luajnë rol. Dhe, kjo ndodh qysh me procesin e integrimit, ku të gjithë palët duhet të ishin të dakordësuara për strategjinë e integrimit në BE; ashtu si edhe për Kosovën, ku arrihet deri në akuzat e ashpra për tradhti kombëtare; për të mos përmendur marrëdhënien me Greqinë, ku çdo akt i një pale konsiderohet si shitje e atdheut nga pala tjetër.
Gjendjen e rëndë demokratike të vendit e ka theksuar më së shumti batërdia e përgjithshme që pasoi dy tërmetet e 2019-ës dhe sidomos situata e tmerrshme e pandemisë në vend, me mungesën e kapaciteteve të nevojshme shëndetësore dhe përfoljet e vazhdueshme. Por, a është ky vetëm një fenomen shqiptar?! Jo. Në Shqipëri të mjafton të shikosh përballjet e autoriteteve ardhur nga qeveria e PS-së me institucionet e pavarura, reformat dhe akuzat e sotme të PD-së për t’i zhbërë kur të vi në pushtet, përpjekjet për t’i përfolur të gjitha arritjet nga Lulzim Basha, mosrespektimi i asnjë dokumenti, apo përqeshja e kundërshtarëve nga qeveria Rama në fuqi… që të kuptosh sesa e respektojmë demokracinë. “Në politikën shqiptare të fundit të shekullit njëzet dhe të fillimit të shekullit njëzet e një, përpos një numri të vogël individësh, do të gjenden shumë mendje të ngushta me pak a aspak kulturë politike, me pak a aspak mendje historike, me pak a aspak dije për organizim shtetëror, me pak a aspak qartë-pamje për sfidat e së ardhmes, kurse disa prej tyre edhe me jetëshkrime politike pothuaj të komprometuara për gjendjen, qëllimet dhe vlerat e kohës së re. Liria me të cilën na ndriçoi fillimshekulli premtues, prej pushtetarëve të ndryshëm do të kuptohet në mënyra shumë të ndryshme, duke e dëshmuar atë mençurinë e të urtëve evropianë se lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta përdorim. Në këtë fillimshekulli për shumëçka nuk kemi menduar kur do të duhej të kishim menduar, prandaj shumëçka nuk do të dimë, që do të duhej tashmë ta dinim”, shkruan Rexhep Qosja, në një nga botimet e tij të fundit.
Fjalë të sintetizuara edhe për historinë tonë dhe për të parë se deri ku ka arritur makutëria e të zgjedhurve tanë në dy anët e kufirit. Ne, në Shqipëri, e kemi fituar demokracinë si një inerci e zhvillimeve së të gjithë kontinentit, por po tregojmë se po e mbajmë ose po e zhvillojmë me shumë vështirësi. Të kujtosh se çfarë është bërë me pronat, viktimat që ka prodhuar ajo, mënyra sesi ndahet prona publike, arroganca e pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm për çdo vendim që drithëron njerëzit me cinizmin e tyre, PPP-të e pafundme aq të përfolura, përballja e administratës, mosrespektimi i institucione të pavarura dhe përpjekja për t’i kapur ato të kuptosh se demokracia ka ende shumë udhë. Drejtori i kërkimeve të të dhënave për Evropën dhe Euroazinë në “Freedom House”, Zselyke Csaky e ndriçon kështu këtë fenomen të gjithëpërhapur në vende si ne në artikullin “Dropping the democratic facade”: “Një numër në rritje i udhëheqësve në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë shmangur madje edhe pretendimin për të luajtur sipas rregullave të demokracisë. Ndërsa konsensusi demokratik i rendit pas Luftës së Ftohtë i ka lënë vendin konkurrencës së fuqisë të madhe dhe ndjekjes së interesit vetjak, ku këta politikanë po fshihen pas një fasade. Ata po sulmojnë hapur institucionet demokratike dhe po përpiqen të heqin çdo kontroll të mbetur nën juridiksionin e këtyre të fundit. Në rajonin që shtrihet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore, ky ndryshim ka përshpejtuar sulmet ndaj pavarësisë gjyqësore, kërcënimet ndaj shoqërisë civile dhe medias, manipulimin e kornizave elektorale dhe zbrazjen e parlamenteve, të cilat sot nuk e përmbushin më dot rolin e tyre si qendra të debatit politik dhe mbikëqyrjen e duhur të ekzekutivit. Udhëheqësit antidemokratë në rajon…duke pretenduar se ata veprojnë në përputhje me vullnetin e popullit – në fakt, ata e bëjnë këtë vetëm për të justifikuar përqendrimin e tyre të pushtetit dhe shkeljen e vazhdueshme së të drejtave politike dhe civile të lirive. Këto zhvillime kanë kontribuar në një ndarje të jashtëzakonshme demokratike në 29 vendet e mbuluara nga “Kombet në Tranzit”. Sot ka më pak demokraci në rajon sesa në çdo moment tjetër që nga fillimi i raportit tonë vjetor të institucionit prej vitit 1995. Kjo lloj gërryerje i ka lënë qytetarët veçanërisht të prekshëm ndaj abuzimeve të mëtejshme të të drejtave dhe të marrjes së pushtetit të lidhur edhe me pandeminë e koronavirusit”.
Ballkani me të gjithë liderët e tij, qysh nga Milo Gjukanoviç në Mal të Zi; Aleksandar Vuçiç në Serbi; Berisha dhe Rama në Shqipëri; Thaçi, Mustafa e Haradinaj në Kosovë i kanë shtyrë vendet tona në zgrip. Dhe, i gjithë ky paradoks, vjen në një kohë kur procesi i anëtarësimit në BE është i zhytur në mosmarrëveshje dhe vendeve tona, nga ana tjetër, nuk u mbarojnë telashet (jo vetëm prej tyre), duke e kthyer Ballkanin në një tabelë gjeostrategjike shahu. Kështu e cilëson specialisti i kërkimeve, në artikullin e mëparshëm, por duke i rënë fort kambanës, që popujt tanë prej topitjes së madhe, që krijuan të zgjedhurit e tyre, nuk po arrijnë ta dëgjojnë ende si duhet…tingullin e demokracisë së vërtetë. (Homo Albanicus)