Mendimi ekonomik përballë vendimarrjes politike

Nga Adrian Civici, botuar në Java, 11 nëndor 2020

Kur bëhet fjalë për raportet dhe marrëdhëniet ndërmjet ekonomistëve dhe politikanëve, ndërmjet rekomandimeve e sugjerimeve të ekonomistëve dhe vendimmarrjes politike vazhdojmë të mos i japin një përgjigje bindëse disa pikëpyetjeve e dilemave thelbësore : a orientohet nga ekonomia dhe mendimi ekonomik politika shqiptare? Si mund ti shërbejnë më mirë ekonomistët politikanëve dhe politikës? Në çfarë niveli është mendimi ekonomik në Shqipëri? A egziston institucionalizimi i duhur i simbiozës ekonomi-politikë? Ekonomistët gjenden shpesh në vorbullën e debateve për rolin dhe vendin e tyre në raport me politikën dhe vendimmarrjen politike. Në mjaft raste ndeshemi me pozicionime të hapura të ekonomistëve si “ekonomistë të djathtë”,  “ekonomistë të majtë” apo “ekonomistë neutralë” ndaj krahëve të politikës? A e cënon integritetin e profesionit dhe besushmërinë e ekonomistit atashimi i tij i hapur apo dhe i maskuar me një krah politik, shpesh edhe si militant aktiv?

 Që në vitet 1930, John Keynes mendonte se duhej të egzistonte “një konsensus i fortë ndërmjet ekonomistëve në mënyrë që të influencohej drejt politika”. Bile shkon shumë më tej duke shkruar se “Idetë e ekonomistëve, qofshin të  drejta apo të gabuara, kanë shumë më tepër rëndësi se sa mund të mendohet në mënyrë të përgjithshme për to. Për të qenë sa më të sinqertë, bota është ekskluzivisht e udhëhequr prej tyre. Politikanët dhe njerëzit e veprimit që besojnë se janë jashtë influencave doktrinore, në fakt janë skllavë të ekonomistëve të kohëra më të vjetra se ta….Por, në fund të fundit, janë idetë dhe doktrinat dhe jo interesat e momentit, ato që herët apo vonë, mund të ndikojnë për mirë apo për keq në zhvillimin tonë…prandaj ekonomistët duhen njohur mirë në kontekstin dhe kuptuar në  kompleksitetin e tyre”.

Një nga debatet më të mëdha të sotme është pikërisht cështja e prioritetit të ekonomisë mbi politikën apo politikës mbi ekonominë. Përgjithësisht, janë të shumtë ata që bien dakort se është politika ajo që ka dhe duhet të ketë prioritet mbi ekonominë, ndërkohë që në mjaft raste, pamundësia apo dhe pazotësia e politikës për të zgjidhur problemet e zhvillimit ekonomiko-social të një vendi, kritikohen me argumentin e nënvleftësimit të rolit të ekonomisë dhe lënien e saj në plan të dytë.

Në një këndvështrim më të gjerë, në shumicën e rasteve, prioriteti i politikës mbi ekonominë debatohet në sensin e lirisë së veprimit që duhet të kenë vendimmarrësit politikë në rastet kur vendimet e tyre ndikojnë, prekin apo dëmtojnë ekonominë. Një sërë tezash “të majta”, të “djathta” apo “centriste” vazhdojnë të “grinden” ndërmjet tyre në përpjekje për tu besuar si të vërteta të “padiskutueshme”. “E majta”, kryesisht ajo socialiste e social-demokrate europiane, tradicionalisht ka mbrojtur pozicionin se ligjet ekonomike janë thjesht një koncept ideologjik. Në këtë kuptim, vullneti politik, në emër të barazisë dhe drejtësisë sociale, mund ta drejtojë ekonominë në drejtimet dhe format që ai dëshiron. “E majta” mendon se “Shteti është subjekti kryesor i aktivitetit ekonomik, drejtuesi dhe menaxhuesi kryesor i tij.

Shteti duhet të drejtojë, rrishpërndajë, zotërojë mjetet e prodhimit dhe shërbimeve, të jetë agjenti kryesor ekonomik dhe faktori kryesor i zhvillimit ekonomiko-social”. Kolektivizmi buron nga vetë natyra e njeriut si qënie shoqërore. Të mirat materiale, të drejtat sociale dhe mirëqënia në përgjithësi, duhet të shpërndahen në mënyrë sa më të barabartë te të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Pra, “të majtët” në kuptimin e gjerë të këtij koncepti, mendojnë se “politika duhet të ketë gjithnjë prioritet mbi ekonominë” dhe vecanërisht mbi “fitimin” dhe “eficencën ekonomike të kapitalit dhe punës”. Ndërkohë, “e djathta”, kryesisht ajo liberale, mbron pozicionin se cdo ndërhyrje shtetërore, planifikim apo kontroll mbi ligjet ekonomike, tregun dhe lirinë ekonomike është e destinuar të dështojë.

Individi dhe interesat e tij duhen konsideruar si agjenti kryesor ekonomik, gjë që nënkupton se ai duhet të jetë i lirë të zotërojë, të prodhojë, të ofrojë shërbime, të vendosë lirisht në treg për vendimet e tij, të fitojë e të pasurohet. Individi është përgjegjës dhe përfitues i veprimeve të tij. Liria ekonomike dhe fitimi individual janë stimuluesit kryesorë të zhvillimit. Tregu dhe kapitali nuk duhet të kenë asnjë pengesë në funksionimin e tyre. Shteti, sidomos në sferën dhe problemet ekonomike, duhet të ketë një rol minimal mbikqyrës e rregullator.

Shumë vendime me natyrë “politike”, për sistemin  e taksave (e sheshtë apo progresive, e lartë apo e ulët, e diferencuar apo unike, etj.), për funksionimin e buxhetit, nivelin e borxhit publik, nivelin e inflacionit, nivelit të pagave dhe pensioneve, investimeve publike, fuqinë blerëse, etj., në fakt janë vendime ekonomike të “formatuara” sipas ideologjisë politike dominuese.

Në këtë sens, politika ka gjithnjë prioritet apo “dominim” mbi ekonominë, por ky dominim është gjithnjë funksion i krahut politik qeverisës vendimmarrës në kohë e momente të dhëna. “E majta” privilegjon rrishpërndarjen me bazë të gjerë dhe barazinë sociale, dhe në emër të saj e kalon shpesh në plan të dytë ekonominë dhe rregullat apo ligjet themelore të saj; ndërkohë që “e djathta” e vendos politikën më shumë në favor të ekonomisë, tregut dhe kapitalit duke privilegjuar eficencën ekonomike më shumë se sa barazinë sociale dhe kontrollin shtetëror të ekonomisë.

Në mjaft raste është bërë e modës që disa ekonomistë të vishen me petk e terminologji politike dhe të deklarohen publikisht si “të majtë”, “të qendrës” apo “të djathtë”.  P.sh, në mjaft emisione televizive të formatit debat apo analizë, ekonomistët e ftuar ndahen në studio në “të majtë e të djathtë”, në “ekonomistë të PD apo të PS”, në diskutime të përditshme  dëgjohet rëndom se “vetëm ekonomistët e djathtë janë liberalë”, ndërsa “ekonomistët e majtë janë më socialë dhe më etatistë”, etj.

Kjo  është situatë tipike në Shqipëri. Më ka ndodhur shpesh, i ftuar në debate televizive në studio të ndryshme, që përpara emisionit, gazetarët sqarojnë strukturën e panelit, duke thënë “kam zgjedhur një ekonomist të djathtë, një të majtë dhe dy ekspertë të pavarur, për të analizuar politikat ekonomike, punësimin dhe rritjen ekonomike në Shqipëri”. Aq të vendosur e të bindur janë Televizionet apo dhe vetë teleshikuesit në këtë steriotip, saqë shpesh janë të sigurtë se nëse ekonomistët e ftuar janë “të të njëjtit krah politik apo të pavarur” atëherë emisioni do dalë i mërzitshëm, nuk do ketë debat, nuk do bëhet analizë cilësore dhe nuk do të qartësohen problemet!

Çfarë shkence do të pretendonte se ishte ekonomia nëse ekonomistët do të ishin kaq shumë të diferencuar dhe kaq shumë të lidhur e ngjyrosur me ngjyra apo kostume politike? Besueshmëria e interpretimeve apo konkluzioneve të tyre cënohet jo pak si pasojë e pozicionit politik apo aksionit qeveritar që duhet të mbrojnë apo kritikojnë “për arsye, interesa, solidariteti politik apo militantizëm”.

Ekonomistët nuk duhet të ndahen vetëm në bazë të preferencave të tyre politike, por vetëm mbi bazën e ekspertizës dhe specializimit të tyre shkencor: janë ekonomistë “teorikë” që zhvillojnë e aplikojnë modele e modelime të ndryshme, si për shembull “teorinë e lojës”, për të studiuar lidhjet ndërmjet aktorëve ekonomikë. Në rastin më të fundit, dy ekonomistët e çmimit Nobel në ekonomi për vitin 2020, Paul R. Milgrom dhe Robert B. Wilson që u vlerësuan për punën e tyre mbi teorinë e ankandit, askush nuk i cilësoi ata si të “majtë apo të djathtë”; janë ekonomistët “empirikë” që punojnë kryesisht mbi bazën e analizës së të dhënave statistikore dhe analizojnë probleme specifike si për shembull efektet e reformave strukturore mbi ofertën e punës, apo efektet e politikës monetare mbi kreditë dhe interesat, efektet e rritjes ekonomike mbi punësimin, efektet e inflacionit mbi fuqinë blerëse dhe politikat sociale, etj.; janë ekonometristë që përpunojnë metodologjitë statistikore e ekonometrike për analizën e të dhënave; janë makroekonomistët që studiojnë ciklin e rritjes ekonomike dhe fazat e tij, politikat ciklike e anticiklike, etj.; – janë ekonomistët financiarë që kanë në fokus studimin dhe sjelljen e tregjeve dhe institucioneve financiare, politikat monetare dhe vendimet e Bankave Qëndrore, tiparet e inflacionit dhe deflacionit, rentabilitetin e kapitaleve, aksioneve dhe bursat, etj.; janë ekonomistët eksperimentalë që verifikojnë në “laboratorë masivë” sjelljen dhe konkluzionet e modeleve teorike,etj.

Shkollat dhe nuancimet e shkencës ekonomike janë të shumta e të larmishme. Shkenca ekonomike ka evoluar e vazhdon të evoluojë nëpërmjet kombinimit të kërkuesve që zbulojnë e propozojnë teori të reja dhe atyre që bëjnë verifikimin empirik e shpesh dhe eksperimental të këtyre teorive. Kështu veprohet në ekonomi, kështu veprohet në të gjitha shkencat. Ekonomistët profesionistë janë të prirur të analizojnë dhe kuptojnë fenomenet ekonomike nëpërmjet instrumenteve matematikore, statistikore e llogjike që ata kanë zhvilluar prej vitesh dhe jo ti shohin ato me lente politike, aq më pak militante ndaj Partive të caktuara politike.

Ndërkohë, në një apo dy dekadat e fundit, si pasojë e efekteve të krizës ekonomiko-financiare të vitit 2008 apo goditjeve të rënda ekonomiko-financiare nga pandemia e Covid-19, po tentohet që “të jenë ekonomistët ata që duhet të orientojnë debatin publik dhe objektivat kryesore politike” në përballimin e situatave specifike krizash e goditjesh “nga jashtë” të sistemit social e ekonomik, sic është rasti tipik i pandemisë së covid-19. Në Francë p.sh, një nga grupimet më të mëdha, më prestigjoze e më autoritare të ekonomistëve, i quajtur “rrethi i ekonomistëve” analizon dhe boton rregullisht materiale të vecanta, ëorking paper apo policy paper, ku trajtohen “çështjet kyçe” të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit, politikat ekonomike, financiare e sociale më eficente.

Qëllimi i tyre është “qartësimi i linjave kryesore të debatit politik e ekonomik, dhe mos lënia e “fushës së zbrazur” politikës që të përqëndrohet në retorika politike e elektorale, gjëra anësore e pa vlerë për zgjidhjen në thelb të problemeve apo të bëjë thjesht “luftë politike” në kurriz të perspektives së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social” të vendit. Nga ekonomistët duhet të kërkohet “të bëjnë një punë pedagogjike dhe ti servirin qartë politikës sfidat e vërteta” që meritojnë një debat e angazhim publik maksimal : “Si ta ulim nivelin e papunësisë?”, “si të stimulojmë punësimin e të rinjve”, “cilët sektorë duhen privatizuar?”, “Cili duhet taksuar më shumë : kapitali, puna, prona apo konsumi?”, “Sa duhet të jetë për vitet e ardhshme pjesa e PBB për arsimin dhe shëndetësinë?”, “Cili do të jetë motori i ekonomisë : eksportet, konsumi apo investimet?”, “sa duhet ta shtojmë buxhetin  për kërkim zhvillimin dhe inovacionet?”, “Cilat janë drejtimet bazë për reformën e pensioneve?”, “Çfarë kërkon rritja e performancës së sistemit financiar?”, si mund të përballohen më mirë situata inflacioniste apo deflacioniste?, cilat janë politikat më eficente “pro-biznes” dhe përmirësimin e krizës së biznesit në përgjithësi, etj.

Në SHBA egziston një shembull mjaft domethënës : “Komiteti i Këshilltarëve Ekonomikë” pranë Presidentit, i përbërë nga rreth 25-30 ekonomistë nga më të shquarit e vendit që përfaqësojnë mjediset akademike, ekonomistë të sektorit privat, ekspertë të administratës publike dhe këshilltarë ekonomikë pranë partive politike. Ky grup ekspertësh i krijojnë mundësi Presidentit dhe qeverisë që të disponojnë këshilla objektive të ekuilibruara dhe mbështetura në njohuritë më të avancuara të shkencës ekonomike, dhe për pasojë, të marrin vendimet më cilësore të mundshme.

Përballë kësaj logjike përballemi me realitetin shqiptar akoma larg kësaj praktike e mënyre veprimi. Temat më të nxehta të saj mbeten akoma, “kodi zgjedhor”, “aleancat politike e kualicionet elektorale”, “tradhëtarët e një partie apo mercenarët e një tjetre”, “eleminimi i diktatorëve apo bllokuesve të integrimit”, “vjedhja dhe blerja e zgjedhjeve”, “besueshmëria e komisionit zgjedhor”, etj. Është imperative që “klasa politike” shqiptare, natyrisht duke pranuar dhe faktin se jemi një demokraci e re në zhvillim e konsolidim, duhet të krijojë sa me shpejt simbiozën e saj me “klasën e ekonomistëve” në mënyrë që debatet dhe produktet politike të shprehura kryesisht në politikat publike, të reflektojnë sfidat e vërteta të zhvillimit ekonomik e social dhe jo interesat politike të çastit.

Nuk duhet ti nënshtrohemi më amatorizmit apo populizmit ekonomik në politikë dhe të kemi “shpikje” e “akrobacira” konjukturore politike me konceptet e praktikat shkencore ekonomike sa herë që ka fushata elektorale apo momente të vështira për liderë apo krahë të ndryshëm të politikës. Por ndërkohë që kërkohet një ndryshim i tillë fondamental në sjelljen dhe debatin politik, realiteti shqiptar evidenton dhe një mangësi serioze, këtë radhë nga “kampi i ekonomistëve”. Sa i organizuar është mendimi ekonomik në Shqipëri për të arritur që të bëhet faktor në orientimin e politikës apo oponent i saj? Besoj se edhe për ne ekonomistët qëndrojnë të njëjtat kritika e vërejtje të rënda si për politikën. Shqipëria është ndoshta nga të paktat shtete në botë që nuk ka asnjë institut kërkimor-shkencor të mirëfilltë ekonomik. Në asnjë vend të zhvilluar, zyrtarë të Ministrive të ndryshme apo të institucioneve publike, këshilltarët e ministrave e kryeministrave, OJF të ndryshme, etj., nuk mund të zëvendësojnë kurrsesi produktet e instituteve të mirëfillta e të specializuara ekonomike.

Si rezultat i kësaj mungese, gjatë viteve të tranzicionit, me përjashtim të studimeve të bëra nga institucione apo ekspertë të huaj, opinioni shoqëror apo media nuk ka mundur të këtë në dispozicion një studim serioz e të plotë made in Albania për çështje madhore të tilla si: sa është kosto e integrimit evropian të Shqipërisë?, cilat janë avantazhet konkurruese të Shqipërisë? Cili sektor është “motori kryesor ekonomik i vendit dhe cili duhet të jetë në 20-30 vitet e ardhshme?, cila do të ishte struktura më e përshtatshme e PBB në 2-3 dekadat e ardhshme?, cila është politika fiskale më e mirë për Shqipërinë?, cili është modeli më i përshtatshëm i kapitalizmit për Shqipërinë?, etj. Konkurrenca politike, logjika dhe këndvështrimi konjuktural politik apo në mjaft raste edhe injoranca ekonomike e veshur me vello politike ka dominuar në marrjen e vendimeve, zbërthimin në politika konkrete apo administrimin e këtyre “dosjeve” themelore të zhvillimit ekonomiko-financiar e social të vendit.

Në Shqipëri nuk ka akoma një grupim, shoqatë apo organizatë eficente, serioze e aktive ekonomistësh e cila të sjellë në formë të institucionalizuar mendimin ekonomik bashkëkohor, të zhvillojë debate e analiza me profesionalitet të lartë, të furnizojë me propozime e sugjerime vendimmarrjen politike, etj.

Megjithëse kemi me dhjetëra gazeta e revista të llojeve të ndryshme, kemi shumë shumë pak të tilla të specializuara në fushën e ekonomisë, financave dhe zhvillimit të qëndrueshëm, por gjithsesi mbizotëron profili divulgativ e informues i tyre dhe jo substanca e mirëfilltë teorike e metodologjike ekonomiko-financiare. Në morinë e konferencave shkencore të ndryshme që zhvillohen çdo vit në Shqipëri, numërohen me gishta konferencat e mirëfillta ku trajtohen në mënyrë thelbësore problemet ekonomike, financiare dhe ato të zhvillimit.

Por, edhe në këtë rast, shumë rrallë, analizat, konkluzionet dhe rekomandimet e tyre munden të jenë prezente dhe “të përdorshme” në vendimmarrjet e niveleve të ndryshme nëpër Ministri, Kryeministri, Bashki, apo institucione të tjera të rëndësishme të vendit. Në shtypin shqiptar rrallë gjen debat të qëndrueshëm profesional për raportin inflacion-papunësi, për orientimin e investimeve të huaja dhe privatizimeve, për shkaqet e kredive të këqija, për politikat e rritjes së prodhimit të brendshëm, për strukturën e buxhetit dhe paketat fiskale, për orientimin dhe menaxhimin e PPP, për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare dhe konkurrueshmërinë e saj, për mënyrat konkrete të rritjes së nivelit të punësimit (me përjashtim të shifrave qindra-mijëshe të vendeve të reja të punës që premtohen pa asnjë doganë nga të dy krahët e politikës sa herë ka fushata elektorale), për reformën dhe modelet e pensioneve, për zhvillimin rajonal, për uljen e deficitit tregtar dhe atë të pagesave, etj.

Sasia e paktë e librit të mirëfilltë ekonomik e financiar, e botimeve mbi teoritë dhe modelet ekonomike bashkëkohore, mbi analizat e specializuara të periudhës së tranzicionit, mbi përvojat dhe praktikat e vëndeve te ngjshme me Shqipërine, mbi politikat dhe platformat e institucioneve kryesore ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OBT, FAO, OCDE, etj., dëshmojnë për boshllëkun e shoqërisë dhe politikës me informacionin dhe dijen ekonomike e financiare. Mjafton të shkosh në një panair libri në Shqipëri për të konstatuar me keqardhje se stenda apo pavioni dedikuar librit ekonomik, menaxhimit, marketingut, tregjve financiare e monetare, parasë dhe bankave, kontabilitetit dhe auditimit, informatikës ekonomike, etj., pothuajse nuk egziston; mjafton të shkosh në librari të ndryshme dhe do konstatosh se stenda e librit ekonomik e financiar ose nuk egziston ose në rastin më të mirë, është më e vogla në krahasim me llojet e tjera të botimeve.

Deri më sot, nuk ka një paketë të mirëfilltë politikash ekonomike, platformë zhvillimi ekonomik e social apo studim fondamental të përgatitur në mënyrë të pavarur e të “hedhur në treg” për sfidat dhe rrugëzgjidhjet e ekonomisë shqiptare nga universitetet e fakultetet ekonomike që janë të shumta në Shqipëri, nga Akademia e Shkencave, nga departamente e struktura të specializuara apo institute kërkimore-shkencore shqiptare, etj. Partitë politike apo Parlamenti duhet ta institucionalizojnë dhe ta bëjnë më aktiv bashkëpunimin me fakultetet, departamentet, studiot apo organizmat e specializuara për përpunimin, analizën dhe gjithë mekanizmin e përgatitjes dhe miratimit të platformave e paketave të tyre të politikave ekonomike e zhvillimore.

Shembujt nga vendet e zhvilluara nuk mungojnë. Në SHBA p.sh, Kongresi punëson direkt apo indirekt në funksion të nevojave të tij për konsulencë dhe oponencë të specializuar më shumë se 6000 ekonomistë e financierë, në Francë janë të organizuara rreth 630 organizma të specializuar në sferën ekonomiko-financiare të ngarkuara institucionalisht për të këshilluar e bashkëpunuar me Qeverinë, Parlamentin, Senatin, Partitë politike, Ministritë, Prefekturat, etj. Në Gjermani, Spanjë, Kanada, Angli, Itali, etj., në funksion të deputeteve apo senatorëve, komisioneve apo byrove parlamentare ka fonde të veçanta në dispozicion të tyre për të siguruar analiza ekonomike e financiare, platforma e paketa politikash zhvillimore, qëndrime profesionale për fenomenet më të mprehta ekonomike bashkëkohore, deri dhe te kryerja e analizave konkrete për ligje të veçanta në çështjet e zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë që një deputet shqiptar, gjatë një mandati 4 vjeçar, mund të miratojë me qindra ligje të rëndësishme për zhvillimin ekonomiko-financiar e social të vendit pa qënë fare i diplomuar në shkencat ekonomike, pa shkelur asnjëherë në bibliotekën e Parlamentit, pa patur asistencë të specializuar e profesionale në fushën e ekonomisë dhe financave, dhe kjo jo gjithmonë për “faj” të tij, por mbi të gjitha për “faj” të koncepteve arkaike për simbiozën “politikë-ekonomi” dhe mungesës së strukturave e financimeve të nevojshme në këtë drejtim dhe për këtë qëllim.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi