Politika buxhetore dhe fiskale përballë krizës aktuale ekonomike

Nga Prof. Anasta Angjeli, botuar në Panorama, 2 tenor 2020

Parashikimet e Komisionit Europian konfirmojnë se këtë vit ekonomia në vendet e BE-së do të përfundojë në kushtet e një recesioni të rëndë për shkak të goditjes së marrë nga pandemia e koronavirusit. Kjo, edhe pse përgjigjja dhe reagimi ndaj krizës ishte dhe vazhdon të jetë i shpejtë dhe gjithëpërfshirës, si politik dhe nga strukturat ekonomike të BE-së, ashtu edhe nga qeveritë e vendeve anëtare.

Gjatë verës 2020, ekonomia e Eurozonës do të tkurret me 8.7% në 2020, për t’u rritur më pas me +6.1% në 2021, ndërsa ekonomia e gjithë BE-së do të tkurret me 8.3% në 2020, për t’u rritur me 5.8% në 2021. Prandaj, për vitin 2020, dukshëm pritet një tkurrje më e lartë se nivelet prej 7.7% për eurozonën dhe 7.4% për të gjithë BEnë.

1Sipas Valdis Dombrovskis, zëvendëspresident i Ekzekutivit Europian: “…Ndikimi ekonomik i izolimit (nga pandemia) është më i rëndë sesa e kishim parashikuar fillimisht. Ne vazhdojmë të lundrojmë në ujëra të trazuara dhe jemi të ekspozuar ndaj shumë rreziqeve, përfshirë edhe një tjetër valë masive të infeksioneve. Duhet të shtojmë përpjekjet për të përfunduar një marrëveshje mbi paketën tonë ambicioze për të ndihmuar ekonominë nëpërmjet fondit “Next Generation EU”. Ndërsa Paolo Gentiloni, Komisioneri përgjegjës për Ekonominë, ka theksuar se: “Parashikimet e sotme provojnë efektet shkatërruese ekonomike të pandemisë. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të arrihet shpejt në një marrëveshje mbi planin e rimëkëmbjes ekonomike të propozuar nga Komisioni Europian”.

Tani, në fund të muajit shtator, gjendja po bëhet më e vështirë. Pothuajse në të gjithë vendet e BE-së filloi vala e dytë e pandemisë dhe pavarësisht se pati një marrëveshje për propozimin e Komisionit Europian lidhur me programin “Next Generation EU”, fondet do të jenë të përdorshme jo më parë se shkurti ose marsi i vitit 2021. Ndërkohë, të gjitha vendet e BE-së, por dhe Shqipëria, ndodhen në fund të procesit të hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, duke marrë parasysh të gjitha risqet që tregu botëror evidenton në këtë moment.

FAKTORËT, KUSHTËZIMET DHE DISA DREJTIME TË POLITIKAVE BUXHETORE NË VENDET E BE PËR VITIN 2021.

Përmes hartimit të buxhetit çdo vit, veç parashikimit të gjithë treguesve ekonomikë dhe politikave fiskale e buxhetore që do të zbatohen, të shprehura në vlerë monetare, pa dyshim që të gjitha politikat e treguesit që parashikohen, konvergjojnë në çështjen e rëndësishme: sa do të jetë parashikimi i ecurisë së ekonomisë së vendit në vitin e ardhshëm? Natyrisht, ky është një proces jo i lehtë. Kjo, jo për shkak të metodologjive dhe përvojave që tashmë ekzistojnë. Por, edhe për shkak të risqeve politike dhe ekonomike që ekzistojnë në ekonominë botërore, por edhe të ndryshimit të agregateve ekonomike brenda çdo vendi.

Ekspertët parashikojnë disa risqe politike në ekonominë botërore që mund të përmblidhen në këto elemente bazë:

1. Mundësia e rikthimit të “forcës goditëse të pandemisë”. Kjo jo vetëm që shton risqet dhe pasojat humanitare e sociale, por zgjat në kohë recensionin ekonomik dhe pasojat e tij. 2. Zgjedhjet presidenciale në SHBA gjithmonë janë karakterizuar nga politika ekonomike që rrisin disi deficitin buxhetor, por, kësaj radhe, edhe për shkak të recensionit ekonomik, rrjedhojë e pandemisë Covid-19. Shtuar kësaj dhe shpenzimet e mëdha të bëra për qytetarët që humbën vendet e punës, tërësisht apo përkohësisht, financime marramendëse për prodhimin e vaksinave dhe luftë e madhe tregtare me Kinën, por disi edhe me Europën, kanë ndikuar në një rënie të madhe të ekonomisë amerikane. Kushdo që do të drejtojë në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve, SHBA po përgatitet të ristrukturojë ekonominë: për të mbuluar deficitin buxhetor shumë të madh, duke stimuluar bizneset e reja, sidomos ato të gjelbra dhe mbi të gjitha duke gjetur ekuilibra të rinj në tregtinë ndërkombëtare. Të gjitha këto të panjohura kanë vetëm një element të sigurt që janë normat e pandryshueshme të interesit. FED do ta mbajë interesin pothuajse 0 deri në vitin 2022.Kjo do të thotë që në të ardhmen do të kemi para dhe mbulim të deficitit buxhetor me kosto të ulët. Një politikë e drejtë, por, kjo ka një kusht, rritjen ekonomike.

3. Brexit është një nga të panjohurat me të paparashikueshme për Europën. Ndërsa marrëdhënia e ardhshme midis BE-së dhe UK-së është ende e paqartë, parashikimet për 2021 bazohen në hipotezën thjesht teknike të status quo-së për sa u përket marrëdhënieve tregtare. Ajo është një hipotezë e formuluar vetëm për qëllime parashikimi, e cila nuk përfshin përparime ose parashikime mbi rezultatin e negociatave në lidhje me marrëdhëniet e tyre të ardhshme. Deklaratat e Kryeministrit Boris Johnson, që në fund të vitit do të dalë nga BE edhe pa marrëveshje për kufirin irlandez, ka “frikësuar” të gjitha vendet europiane që eksportojnë në Angli.

4. Raportet tregtare të BE-së me Kinën dhe Rusinë.Nga të paktat vende që parashikohet që edhe ketë vit të ketë rritje, pavarësisht se shumë të vogël (rreth 2%), është Kina, por eksportet e saj në Europë po kufizohen nga rënia ekonomike dhe nga shumë faktorë të tjerë (p.sh., kufizimet në 5G).

Lufta teknologjike me SHBA nuk mund të mos kish pasoja edhe në Europë, kurse pandemia i bëri europianët të kuptojnë sa të varur ishin nga Kina, deri edhe për maska dhe aparatura shëndetësore. Ndryshimi i vlerës së shtuar në ciklin e prodhimit europian do të vështirësojë eksportet kineze kudo. Rusia, nga ana tjetër, e ndodhur në vështirësi si pasojë e rënies së çmimit të naftës dhe lëndëve të para dhe e kushtëzuar nga sanksionet ekonomike, po mundohet të zgjerojë zonat e saj të influencës në Afrikë dhe Lidhjen e Largët.

Edhe pse interesat europiane në këto vende deri më sot nuk ishin vitale, Gjermania dhe Franca po mundohet të jenë sa më shumë prezente edhe në këto zona. Kjo çon në një rritje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake edhe nga ekonomitë kryesore europiane, siç kërkon prej më shumë se një viti NATO dhe SHBA-ja.

Ndërsa vlerësimi i faktorëve politikë është i pamundur të materializohet në një shifër, ai i risqeve ekonomike mbi bazën e modeleve të caktuara, mund të shihet si një element i matshëm në parashikimin e ekonomisë së çdo vendi për buxhetin e tij. Por cilët janë faktorët që kushtëzojnë projektbuxhetet e vendeve kryesore europiane?

OBJEKTIVAT BAZË QË KUSHTËZOJNË PROJEKTBUXHETET E VITIT 2021 NË VENDET E BE

Pavarësisht nga specifikat që ka çdo shtet, pothuajse gjithë vendet anëtare të BE-së po i ndërtojnë projektbuxhetet e tyre në funksion të këtyre objektivave:

1. Në ndihmë të biznesit për të kapërcyer vështirësitë si pasojë e pandemisë. Pavarësisht paketave ekonomike të përdorura në ciklin e parë të pandemisë, në të gjitha vendet shikohet si e domosdoshme të ndërhyhet edhe gjatë, por dhe pas ciklit të dytë të pandemisë.

2. Politika që stimulojnë dhe ruajnë punëzënien ose instrumente ekonomiko-financiarë që synojnë ristrukturimin e tregut të punës si pasojë e ndryshimeve të karakterit profesional të tij dhe formave të reja të punës.

3. Në alokimin e burimeve më të mëdha se vitet e kaluara në fushën e shëndetësisë dhe arsimit (paga, medikamente, infrastrukturë, teknologji etj.)

4. Në investime publike, kryesisht në drejtim të infrastrukturës dixhitale dhe ekonomisë së gjelbër.

5. Në vepra publike për një infrastrukturë të modernizuar të transportit për të lehtësuar lidhjet kombëtare dhe ndërkufitare.

6. Në uljen e varfërisë dhe ndihmës së shtresave në nevojë.

Duke njohur të gjitha vështirësitë financiare të shteteve anëtare të BE-së lidhur me mosplotësimin e të ardhurave fiskale të parashikuara, ato po mundohen t’i kompensojnë duke përdorur këto dy instrumente shtesë:

– Nëpërmjet huave të marra në tregun ndërkombëtar me interesa të ulëta, për shkak “të bollëkut të likuiditeteve”. Politika e emetimit monetar, e ndjekur nga Byroja Federale, Banka Europiane dhe shumë Banka Qendrore të tjera, krijuan një “lumë parash”, gjë që solli një rënie drastike të % të interesit. Të gjitha vendet dolën në tregun ndërkombëtar dhe morën fonde me interesa shumë të ulëta. Njëkohësisht, për vitin 2020 dhe 2021 Bashkimi Europian për vendet e Eurozonës ka hequr detyrimin e “kompaktivitetit buxhetor” dhe ato përkohësisht mund të kalojnë 3% e detyrimit të deficitit buxhetor mbi GDP-në.

– Buxheti i propozuar nga Komisioni i Europian2 si projekt përbëhet për vitin 2021 nga një shumë prej 166.7 miliardë €, përveç: 211 miliardë € grante dhe deri në 133 miliardë € në kredi për programin “Next Generation EU”3. Buxheti i ardhshëm i BE-së do të mobilizojë investime masive në vitin 2021 për të kapërcyer pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë Covid-19, për të iniciuar një rimëkëmbje të qëndrueshme, për të mbrojtur punësimin dhe për të krijuar vende pune. Buxheti është gjithashtu plotësisht në përputhje me angazhimin për të investuar në të ardhmen, për të ndërtuar një Europë më të gjelbër, më dixhitale dhe më moderne. Ky buxhet pasqyron përparësitë e Europës që sigurojnë një ristrukturim e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Projektbuxheti europian për vitin 2021 ka planifikuar një fond prej 1.9 miliardë eurosh për “ndihmën e paraanëtarësimit”, në mbështetje të partnerëve të ardhshëm si vendet e Ballkanin perëndimor. Këtu hyn dhe Shqipëria.

SFIDAT E PROJEKTBUXHETIT NE VITIN 2021 NE VENDIN TONE

Pas vitit 1997, buxheti i këtij viti është më i vështiri për Shqipërinë. Për vitin 2021, ai do te orientohet në të njëjtat shtylla si buxhetet e vendeve europiane në luftë kundër efekteve negative të pandemisë, që ka sjellë recensionin e ekonomisë dhe të pasojave të tërmetit, një veçori kjo për Shqipërinë. Tashmë është e qartë se situata ekonomike dhe fiskale e krijuar prej fundit të vitit 2019 është rrjedhojë jo e faktorëve te brendshëm, por atyre të jashtëm, tërmetit të muajit nëntor 2019 dhe efekteve të pandemisë Covid-19. Por kjo “nuk duhet të venisë aspak rezultatet e arritura në periudhën 2014-2019 nga qeveria Rama në fushën ekonomike”. Një rritje ekonomike mesatare 3-4 %, një deficit buxhetor primar, një borxh publik që arriti në gati 68 %, një trefishimi i numrit të bizneseve dhe një pakësim gati 3 herë i shumes si taksave ti paguara (kujtoj këtu masat e fundit të marra ndaj lehtësimit te biznesit te vogël dhe lehtësitë fiskale në paketat mbështetëse kundër pandemisë Covid-19 dhe zerimin e tatimfitimit për biznesin e vogël, të TVSH-së për biznesin e vogël deri në 10 milionë etj., rritjen e nivelit të pagës minimale në 30 mijë lekë etj.). Gjatë kësaj periudhe inflacioni u mbajt nën kontroll, sistemi bankar ka qenë i mirëkapitalizuar dhe për herë të parë rritja ekonomike u shoqërua me hapjen e vendeve të punës, papunësia u ul dukshëm, pasi u hapën mbi 200.000 vende të reja pune etj. Ndërkaq, për të përballuar pasojat sociale e ekonomike të pandemisë dhe për të frenuar recensionin ekonomik në vend, qeveria shqiptare realizoi një “spending review” në dy faza, duke zbatuar paketat mbështetëse, financiare, ekonomike e sociale. Tashmë jemi në tremujorin e fundit të këtij viti të vështirë dhe në fazën finale të hartimit të projektbuxhetit. Çfarë duhet të bëjmë?

BUXHETI 2021-BUXHET ANTIKRIZE DHE I RINGRITJES EKONOMIKE.

Së pari, sa i përket mbylljes së këtij viti financiar, buxhetit të 2020-ës, do të duhet edhe një ndërhyrje e tretë për të bërë disa ndryshime, të cilat duhet të jenë më tepër për të mbikëqyrur risqet financiare sesa rialokime të “mëdha”, më tepër që kursimet e këtij viti, nëse do të vërtetohen, të shfrytëzohen për të rritur hapësirën fiskale për vitin e ardhshëm.

Së dyti, ndërtimi i buxhetit të këtij viti kushtëzohet nga shumë faktorë ekonomikë, socialë dhe politikë, por më kryesoret dhe shtyllat ku duhet të mbështetet janë: a-Buxheti i vitit 2021 do të duhet të jetë një buxhet antikrim dhe i ringritjes ekonomike. Kjo presupozon që ky buxhet duhet të fokusohet: -Në orientimin e shpenzimeve në shëndetësi në luftë kundër pandemisë Covid-19 dhe pasojave njerëzore, humanitare e sociale (politikë pagash në rritje në shëndetësi, arsim dhe një fond solidariteti për mbështetjen e atyre që kanë humbur punën nga pandemia tërësisht apo pjesërisht). -Në orientimin e shpenzimeve për të përballuar e frenuar recensionin ekonomik duke filluar ringritjen ekonomike, sidomos në 6- mujorin e dytë të vitit 2021, kryesisht në financimin e projekteve në vazhdim dhe mundësisht, projekte të reja të orientuara nga zhvillimi i infrastrukturës teknologjike, ekonomisë së gjelbër dhe në mbështetje të bizneseve e sektorëve të goditur nga kriza aktuale. -Pa dyshim që në qendër të vëmendjes mbetet orientimi i shpenzimeve në rindërtimin e pasojave të tërmetit.

Së treti, rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik kërkon programim të kujdesshëm të masës dhe kohës së financimit nga tregu financiar. Është e qartë se ky vit do të karakterizohet nga një deficit buxhetor jashtë parashikimit, për shkak të rënies (tkurrjes rreth 7.5%) të GDP-së si pasojë e pandemisë dhe parashikohet (deficiti) të arrijë 7- 8%. Po këtë vit kemi dhe ndryshimin e elementeve të tjera të kostove të financimit të borxhit (i cili parashikohet të jetë rreth 80 %) për shkak të daljeve të detyruara për të siguruar të ardhura nga tregu financiar. Të gjitha financimet afatshkurtra të buxhetit (më të vogla së një vit) duhet të rifinancohen vitin e ardhshëm, ndërsa një pjesë e kostos së financimeve afatgjata janë parashikuar të paguhen prej kohësh me buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo bën që në buxhetin e vitit 2021 duhet të parashikohet një shumë më e madhe për shërbimin e borxhit publik se vitet e kaluara. Mbikëqyrja dhe mbajtja në kontroll e këtyre treguesve mbetet prioritet, kjo edhe pse ndikimi i një sërë faktorësh kërkon një programim të kujdesshëm të daljes në treg me instrumente të financimit të buxhetit.

Së katërti, një shtyllë e rëndësishme është politika fiskale në kushtet e pandemisë. Nuk ka projektbuxhet pa përcaktuar një politikë fiskale, edhe pse ky vit i ka hapësirat të kufizuara për politika të reja fiskale. Në të gjitha vendet europiane dhe ato që kanë një borxh të konsiderueshëm publik, siç është Greqia Spanja, Italia etj., të gjitha projektbuxhetet janë shoqëruar me uljen e taksave nga njëra anë dhe shtyrjen e pagimit të tyre.

Asnjë nga vendet europiane nuk po mendon të rrisë presionin fiskal duke rritur bazën e tatueshme, me disa përjashtime për nivelet e larta të të ardhurave. Buxheti i këtyre vendeve është orientuar në kombinimin e fondeve europiane të zhvillimit me investimet e brendshme në funksion të ristrukturimit të ekonomisë në drejtimin e dixhitalizimit, infrastrukturës së transportit, uljes së burokracisë dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër.

Mendojmë se kjo është një politikë që do të ruhet edhe në Shqipëri, jo vetëm për faktin se ky vit është vit elektoral, por dhe për kushtet që ndodhet biznesi vendës pas pandemisë. Në këto kushte, instrumentet e politikës fiskale për buxhetin e ri mund të jenë: Ulja e informalitetit (fiskalizimi) dhe dixhitalizimi gjithnjë e më i madh i sistemit tatimor.

Vetë Komuniteti Europian ka parashikuar për dixhitalizimin e sistemit tatimor në vendet anëtare një shumë prej 575 milionë €. Kjo detyrimisht do të kërkojë masa administrative tatimore edhe për vendet që aspirojnë të hyjnë në BE, sepse shkëmbimet tregtare me to rriten nga viti në vit.

a)Përdorimi i levave fiskale që garantojnë të ardhura të menjëhershme, siç mund të jetë mbyllja e vlerësimit tatimor me pranimin vullnetar të pagesës së përcaktuar nga kontrolli elektronik, shuarja e interesit për detyrime fiskale që shlyhen me pagim të menjëhershëm etj.

b)Shkurtimi i aparatit shtetëror, sidomos të pushtetit lokal pas riorganizimit rajonal, i cili nuk u realizua vitet e kaluara.

c)Ristrukturimi i kredive të bizneseve të goditura nga pandemia dhe recensioni duhet gjithashtu të jetë prioritet i sistemit bankar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi