Strategjitë dhe politikat e rimëkëmbjes ekonomike post COVID-19
Nga Adrian Civici, botuar në Fjala.al, 15 korrik 2020
Analizat aktuale të situatës evidentojnë faktin se, në emër të ndihmës për mbrojtjen e “ofertës”, pra funksionimit të ekonomisë reale, prodhimit, shërbimeve e tregtisë dhe “mbështetjen e kërkesës”, “strategjia dhe instrumenti kryesor i përdorur nga shumica e vendeve të botës për përballimin e paketave ndihmëse, ishin fondet publike për shpëtimin e bizneseve dhe familjeve”, ishte ulja, falja apo shtyrja e deturimeve fiskale për bizneset dhe individët, ishte rritja marramendëse e borxheve publike dhe deficiteve buxhetore, ishte ndihma direkte financiare për të papunët, shtresat vulnerabël etj.
Për shumicën e vendeve të botës, veçanërisht në ato të zhvilluara, me gjithë frikën permanente të rikthimit në vjeshtë të një vale të re të pandemisë, kriza sanitare e COVID-19 po “konsiderohet se po shkon drejt fundit, duke i hapur rrugën eliminimit total të efekteve e pasojave të izolimit social dhe ekonomik”. Por, ndërsa kurba sanitare e pandemisë është në numrat minimalë të saj, një tjetër kurbë po kaq e rëndësishme dhe shkatërruese, ajo e ekonomisë dhe, veçanërisht financave publike, po vazhdon të jetë në nivele shumë të larta.
Pasojat e saj ekstremisht të rënda, që për nga efektet negative shumëdimensionale po e vendosin krizën e COVID-19 në krye të krizave të rënda që kanë prekur botën moderne në shekujt e fundit, po bëjnë që fjala e ditës të jetë “rimëkëmbja ekonomike”, “strategjitë dhe politikat më eficente të saj”, “reflektimet, debatet dhe platformat e ringritjes ekonomike e financiare”.
Tashmë, pothujase gjashtë muaj mbas shfaqjes dhe përhapjes së pandemisë, përveç se është koha e bilanceve të pasojave dhe “llogaritjes të të vrarëve dhe të plagosurve të kësaj lufte të egër me një armik të padukshëm vdekjeprurës, jo vetëm të jetëve njerëzore, por dhe vetë themeleve të ekonomisë dhe shoqërisë”, vendet e prekura, të mëdha e të vogla, të zhvilluara apo në zhvillim, perëndimore apo lindore, të veriut apo të jugut, po reflektojnë në dy drejtime kryesore : cilësinë dhe efektin e paketave të mbështetjes ekonomike e sociale gjatë kulmit të pandemisë dhe izolimit social; dhe, strategjitë e politikat për ringritjen e ekonomive të tyre. Deri në fund të qershorit 2020, vlerësohet se ekonomia botërore kishte humbur mbi 12000 miliardë dollarë.
Në nivel global, recesioni ekonomik parashikohet ta kalojë shifrën -5%, shifër shumë më e rëndë se pasojat e Depresionit të Madh të viteve 1929-33 apo krizës financiare të vitit 2008. Për disa vende të botës situata është akoma më e rëndë: Franca pritet të ketë një recesion prej -12,5%, Italia dhe Spanja -12,8%, SHBA-ja që mobilizoi një ndihmë rekord, prej 3000 miliardë USD, gjatë kulmit të pandemisë, pritet të ketë një recesion prej -8%, eurozona në tërësinë e saj një recesion prej -10,2%, Meksika -10,5%, Britania e Madhe -9,4%, Kanadaja -8,4%, Amerika Latine dhe Karaibet -8%, Shqipëria -9%, Afrika e Jugut -8%, Rusia -6,6%, Japonia -4.7%, vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore -4.5% etj. FMN-ja nënvizon se “efektet negative mbi familjet dhe individët pritet të jenë tejet të ashpra, duke komprometuar gjithë progresin e konsiderueshëm të bërë në sferën e edukimit, shëndetësisë dhe reduktimit të varfërisë që mbas viteve 1990”. Shumë vende të botës, vlerësojnë se “tashmë ato janë kthyer 15-20 vite mbrapa”.
Analizat aktuale të situatës evidentojnë faktin se, në emër të ndihmës për mbrojtjen e “ofertës”, pra funksionimit të ekonomisë reale, prodhimit, shërbimeve e tregtisë dhe “mbështetjen e kërkesës”, “strategjia dhe instrumenti kryesor i përdorur nga shumica e vendeve të botës për përballimin e paketave ndihmëse, ishin fondet publike për shpëtimin e bizneseve dhe familjeve”, ishte ulja, falja apo shtyrja e detyrimeve fiskale për bizneset dhe individët, ishte rritja marramendëse e borxheve publike dhe deficiteve buxhetore, ishte ndihma direkte financiare për të papunët, shtresat vulnerabël etj.
Që në muajin prill 2020, vetëm 2 muaj mbas shpërthimit masiv të pandemisë dhe në kulmin e periudhës së karantinës, u kuptua dhe pranua masivisht se përballimi dhe dalja nga kjo krizë kishte “dy fjalë çelës: instrumentin e borxhit publik dhe fillimin e reformave strukturore për reformimin e shtetit, financave publike, politikave ekonomike e sociale, raportet me globalizimin, nivelin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, rikulifikimin masiv të burimeve njerëzore etj.”
Jo vetëm vendet e varfra dhe ato në zhvillim e rritën borxhin e tyre publik në nivele shqetësuese e vështirësisht të menaxhueshme, por dhe një pjesë e madhe e vendeve të zhvilluara e çuan nivelin e tyre të borxhit në shifrat 120-140% në raport me PBB-në. Përtej “platformës apo formulës Draghi – ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane – që deklaronte se në këtë situatë ekstreme me shumë të panjohura e pak mundësi veprimi, vetëm borxhi publik ishte instrumenti shpëtimtar, shumë vende arritën në konkluzionin se zgjedhja e instrumentit të borxhit ishte një zgjedhje e përgjegjshme e qeverive të ndryshme, por e pashoqëruar me reformat e duhura strukturore afatmesme e afatgjatë dhe përgjegjshmërinë e përdorimit të tij, ky instrument mund të kthehet në një barrë të rëndë për ekonominë dhe financat publike të këtyre vendeve”.
Tashmë është koha që kjo politikë “të kalojë në sitën e gjykimeve dhe analizave më gjakftohta për t’i dhënë asaj notën dhe vlerësimet e duhura, sidomos për një rol të ardhshëm të instrumentit të borxhit publik në strategjitë dhe politikat e rimëkëmbjes ekonomike post COVID-19”.
Por, ndërkohë që periudha e planeve të mbështetjes ekonomike për bizneset dhe individët, po konsiderohet “pothujase e përfunduar”, në mjaft vende të botës po diskutohet intensivisht për ndërtimin e strategjive dhe politikave të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat ndahen në tri pjesë ose periudha kohore : 6-mujori i dytë i vitit 2020; viti 2021; dhe, periudha 2022-2025.
Të “mbërthyer” në 3 kurbat e ndryshme që shprehin trajektoret e mundshme të rimëkëmbjes ekonomike, kurba V (rimëkëmbje e shpejtë dhe intensive, duke rekuperuar gjithçka brenda vitit 2021), kurba U (stanjacion relativisht i gjatë disamujor, ose 1 apo 2-vjeçar, përpara se të fillojë rritja ekonomike dhe rikthimi në normalitet) dhe kurba L (stanjacion i gjatë disavjeçar pa një perspektivë të qartë dhe të mundshme rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe rikthimi të shpejtë në kushtet e para pandemisë), shumica e vendeve, sidomos ato të mëdha e të zhvilluara, po ndërtojnë skenarë e po mobilizojnë burime të mëdha financiare, institucionale e njerëzore për të qenë pjesë e kurbës V.
Ndërkohë, një pjesë e vendeve në zhvillim, vende me ekonomi delikate etj., po binden se “tashmë i pret skenari i kurbës U dhe po synojnë që “të paktën të shkurtojnë sa të munden periudhën e stanjacionit dhe të rritjes ekonomike anemike, të pastabilizuar. Sipas FMN-së, Bankës Botërore, BERZH-it, PNUD-it apo OXFAM-it, shumë vende të varfra rrezikohen seriozisht nga skenari i kurbës L, stanjacion apo recesion i gjatë, përballje me rritjen e varfërisë, degradim të sektorëve të shërbimeve publike, si arsimi dhe shëndetësia etj.
Plani i rimëkëmbjes në Shqipëri
Në këtë kontekst duhet diskutuar dhe në Shqipëri plani i rimëkëmbjes ekonomike post COVID-19. Deri tani nuk kemi akoma të bërë publik ndonjë plan të plotë konkret, disamujor apo disavjeçar për rimëkëmbjen ekonomike, por kemi vetëm propozime e diskutime që lidhen kryesisht me ndryshime apo lehtësime fiskale.
Aktualisht, duket se theksi kryesor është vënë në tri instrumente kryesore: rritjen e borxhit publik si mundësi më të mëdha mbështetje financiare për masat dhe politikat antikrizë të qeverisë; orientim i dukshëm i investimeve dhe shpenzimeve publike në infrastrukturë, kryesisht transporti, nëpërmjet PPP-ve apo miratimit të projekteve private të zhvillimit në këtë fushë; lehtësime fiskale që do të synojnë uljen e detyrimeve fiskale, kryesisht për bizneset e vogla etj.
Ndërkohë, situata konkrete dhe potencialet e ekonomisë dhe financave tona na çojnë drejt pranimit të faktit se për Shqipërinë, skenari më i mundshëm është kurba U, e shoqëruar me shumë të panjohura për kohëzgjatjen dhe efektet e periudhës së recesionit apo stanjacionit, që në rastin më të mirë e më optimist mund të jetë disamujor dhe, në rastin më të keq e më pesimist mund të zgjasë disa vite.
Kjo situatë mund të komplikohet dhe nga fakti se tashmë kemi hyrë në një vit elektoral, eksperienca 30-vjeçare e viteve të tilla, nuk të jep shumë optimizëm për mundësitë e hartimit të një plani të qëndrueshëm e afatmesëm apo afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.
Gjithçka do varet nga “sjellja” e pandemisë dhe virusit në muajt në vazhdim, sjellje e varur shumë edhe nga sjellja jonë në raport me protokollet sanitare e mbrojtëse, por edhe nga cilësia e strategjisë dhe politikave koniunkturore e strukturore që do të jemi të aftë të konceptojmë dhe zbatojmë në muajt e vitet në vazhdim. Por, një gjë është e qartë dhe duhet ta kuptojmë mirë, rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e qëndrueshme ekonomike nuk vjen spontanisht e vetvetiu.
Përgatitja e një strategjie dhe pakete politikash konkrete eficente, në raport me kushtet dhe mundësitë tona, e koordinuar edhe me efektet e pasojat pozitive e negative që pritet të kemi nga strategjitë analoge të vendeve të rajonit, atyre të Bashkimit Evropian apo akoma më gjerë, atyre me natyrë globale, të orientuara nga FMN-ja, Banka Botërore, BERZH-i, OBT-ja apo PNUD-i, është nevojë imediate.
Le të analizojmë më në detaje “planet ambicioze” të rimëkëmbjes ekonomike që tashmë kanë filluar të marrin formë, të miratohen apo diskutohen për t’u zbatuar së shpejti në disa nga vendet e botës, të cilat, përtej efekteve pozitive të njohjes se çfarë po bëjnë të tjerët në këtë drejtim, mund e duhet të na shërbejnë si shembuj të mirë për t’u analizuar dhe ndjekur, natyrisht brenda mundësive dhe hapësirave që na lejon gjendja e ekonomisë dhe financave në Shqipëri, në kushtet aktuale.
Në kuadrin e politikave të rimëkëmbjes ekonomike të Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania kanë propozuar një plan prej 500 miliardë eurosh “për mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, forcimin dhe zhvillimin e Bashkimit Evropian… krijimin e një fondi special ambicioz, të përkohshëm dhe të mirorientuar rimëkëmbjeje, i cili duhet të reflektohet në buxhetin e ardhshëm evropian”.
Për herë të parë në historinë e BE-së, vlerësohet krijimi i një borxhi të përbashkët evropian që do të shpërndahet falas, pa detyrim rimbursimi, për vendet përfituese, të cilat, gjithsesi, duhet të përgatitin paketa të plota e eficente politikash zhvilluese, bazuar në revolucionin 4.0, teknologjitë e reja, digjitalizimin masiv, inteligjencën artificiale, revolucionin e gjelbër, tranzicionin ekonologjik e energjitik etj.
Për momentin ky plan nuk po shkon si “thika në gjalpë”, sepse disa vende të BE-së, të cilësuara si “kokëfortët apo sfiduesit”, Austria, Holanda, Danimarka dhe Suedia, mbasi kundërshtuan idenë e “coronabond”-it, vazhdojnë të kundërshtojnë dhe planin e rimëkëmbjes prej 500 miliardë eurosh të transfertave buxhetore drejt vendeve më të prekura nga kriza e COVID-19.
Duke mos qenë të bindura në aftësinë dhe vullnetin e vendeve të prekura rëndë nga kriza për reforma substanciale, grupi i vendeve “kokëforta” vazhdon të ketë dyshime në konceptin dhe praktikën e krijimit të një borxhi të përbashkët evropian, duke sugjeruar instrumentin e “kredive me destinacion të qartë e të fokusuara me kondicionalitete konkrete, të orientuara drejt inovacioneve, kërkimit shkencor, inteligjencës artificiale, ekonomisë së gjelbërt, modernizimit të sektorit shëndetësor e arsimor etj.”
Nga ana e tij, Komisioni Evropian po kërkon aplikimin e një instrumenti borxhi prej 750 miliardë eurosh – shumë kjo e padëgjuar ndonjëherë gjatë gjithë historisë së BE-së – të cilin vendet përfituese do ta marrin me kushte mjaft të favorshme: interesat do të fillojnë të paguhen që në vitin e ardhshëm 2021, ndërsa principali në periudhën tridhjetëvjeçare 2028 – 2058.
Nga këto 750 miliardë euro Komisioni Evropian propozon që 500 miliardë euro të shpërndahen në formën e kredive të parimbursueshme, ndërsa pjesa tjetër, prej 250 miliardë eurosh, të shpërndahet si kredi e rimbursueshme nga vendet përfituese. Vendet përfituese më të mëdha të këtij fondi pritet të jenë Italia, me 172 miliardë euro, Spanja, me 140 miliardë euro, Polonia, me 64 miliardë euro, Franca, me 39 miliardë euro etj.
Këto vende duhet të paraqesin para Komisionit Evropian “plane të qarta investimesh e reformash në përputhje me prioritetet dhe strategjinë e Komisionit Evropian, specifikisht në përputhje me strategjinë e tranzicionit ekonologjik, digjitalizimin, eficencën ekonomike etj.”
Banka Qendrore Evropiane, përtej programeve të saj “të urgjencës së muajve mars-qershor 2020, përqindjes pothujase zero të normës bazë të interesit, programit të blerjes së borxhit publik e privat dhe gjithë arsenalit tjetër të politikave të saj monetare jokonvencionale, po angazhohet në mbështetje të planeve të ringritjes ekonomike, duke e zgjeruar paketën e blerjes së borxheve publike e private deri në fund të vitit 2022 etj.
Gjermania, me planin e saj për të alokuar 350 miliardë euro ose 10% të PBB-së së saj në mbështetje të ekonomisë, dëshmon se po tregohet më pak rezistente e kokëfortë në raport me qëndrimet e saj të mëparshme “stoike” në favor të ekuilibrit buxhetor. Këto fonde pritet të përdoren veçanërisht për bizneset dhe sektorët ekonomikë më në vështirësi, të cilëve do t’u jepen kredi pa limit dhe të pakushtëzuara, në favor të rimëkëmbjes së shpejtë.
Për herë të parë në Gjermaninë e këtyre 100 viteve të fundit, pranohet logjika dhe arsyetimi se “në realizimin e këtij plani rimëkëmbjeje, ne nuk do të jemi të shqetësuar për ndikimin e tij në deficitin buxhetor dhe borxhin publik… në këtë drejtim ne kemi dhe një avantazh tjetër: nivelin aktual prej 60% të borxhit publik, ndërkohë që në 2010 e kishim mbi 80%”. Alokimi i 350 miliardë eurove i shtohet planit mbështetës të muajve mars dhe prill prej 1000 miliard eurosh, që gjithashtu kishte në fokus ndihmat për bizneset dhe kreditë e garantuara.
Në planin gjerman të rimëkëmbjes ekonomike evidentohen edhe disa elemente të tjera të rëndësishme: ulja e përkohshme e TVSH-së, nga 19% në 16%, transferimi i borxheve të pushtetit lokal drejt borxhit publik federal, ulja e çmimit të energjisë elektrike për përdorim familjar, ndihmat specifike të adresuara për bizneset në vështirësi për periudhën e rimëkëmbjes etj.
Austria bën pjesë në grupin e vendeve që vepruan shpejt dhe aktivisht që në fillimet e pandemisë, duke bërë pjesë në vendet që u prekën më lehtë nga efektet e pandemisë dhe që e filluan shpejt procesin e rimëkëmbjes, duke e filluar hapjen që në mes të muajit prill dhe hapjen totale në 1 maj 2020. Në planin austriak të rimëkëmbjes shihet qartë një paketë speciale masash për stimulimin e punësimit, mbështetjen me likuiditet të bizneseve, mbështetje speciale për biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit etj.
Italia e filloi planin e rimëkëmbjes me aprovimin e një dekreti të veçantë të quajtur “dekreti i rimëkëmbjes” i cili synon një fond prej 55 miliardë eurosh “për të luftuar bllokimin e përkohshëm të ekonomisë italiane”. Taksat për bizneset, të paktën për një periudhë 6-12-mujore, u reduktuan në një vlerë totale prej 4 miliardë eurosh.
Qeveria italiane, në ndihmë të sektorit të turizmit, të prekur rëndë nga kriza, ka miratuar një “pagesë pushimesh” prej 500 eurosh për familjet që i kalojnë pushimet në Itali, ndërkohë që ka përgatitur dhe miratuar edhe një “plan special hapjeje turistike” për turistët e huaj. Po kështu, po diskutohet “shtetëzimi për një kohë disamujore i kompanisë ajrore Alitalia për ta mbështetur dhe nxjerrë nga kriza”. Po në këtë kuadër, po përgatiten një sërë masash e dekretesh që sigurojnë uljen e pagesave për qiratë e banesave dhe bizneseve, duke i kompensuar ato me fonde publike.
Anglia ka përgatitur dhe po zbaton një “plan rimëkëmbjeje e mbështetjeje ekonomike e sociale të paprecedentë në gjithë historinë e saj”. Për eliminimin e shtimit të papunësisë dhe uljen e të ardhurave të punonjësve, qeveria britanike është angazhuar të paguajë, të paktën deri në fund të vitit 2020, 80% të pagave të punonjësve në mënyrë që të frenojë humbjen e vendeve të punës në bizneset në vështirësi.
Parashikohet një ulje e ndjeshme taksash për një periudhë 6-12-mujore, dyfishimin apo trefishimin e programit të kredive të garantuara. Banka e Anglisë, në mënyrë të jashtëzakonshme, pranoi “financimin direkt të shpenzimeve qeveritare gjatë krizës së pandemisë, duke i krijuar mundësi qeverisë që të merrte borxh duke emetuar bonde thesari në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”. Në total, planet mbështetëse gjatë periudhës intensive të pandemisë dhe plani i rimëkëmbjes ekonomike për muajt në vazhdim, kapin shifrën 15% të PBB-së së saj.
Nëpërmjet një plani special mbështetës për punësimin, papunësinë e përkohshme dhe të vetëpunësuarit, Holanda ka miratuar një shumë financiare mbështetëse prej 25 miliardë eurosh. Në planin e saj të rimëkëmbjes evidentohet qartë një paketë masash për mbështetjen e bilanceve dhe nevojave për likuiditet të bizneseve, uljen e ngarkesës fiskale të tyre për një periudhë të paktën njëvjeçare, njohjen e humbjeve të shkaktuara nga periudha e pandemisë dhe marrjen përsipër të tyre nga shteti, rritjen e mbështetjes sociale direkte e indirekte për shtresat në nevojë, dyfishimin e shumës së kredive të garantuara nga shteti, krijimin e një fondi të veçantë për mbështetjen me kredi të eksporteve.
Ajo gjithashtu ka miratuar “ndihma të veçanta sektoriale për sektorët e prekur më rëndë nga kriza”, marrjen në ngarkim nga shteti të një pjese të kostove fikse për bizneset e prekura rëndë nga kriza dhe ato që kanë vështirësi në periudhën e rimëkëmbjes, ndihma specifike për sektorin bujqësor e agroushqimor, për ndërrmarjet që favorizojnë teknologjitë e reja, digjitalizimin dhe start-up, kompesimin e një pjese të pagave për bizneset që janë të detyruara të ulin pagat në periudhën e rimëkëmbjes, etj. Në total, paketa financiare e Holandës për planin e rimëkëmbjes arrin në 5% të PBB-së.
SHBA-ja, me gjithë tensionet dhe kritikat për menaxhimin sanitar të krizës, është nga vendet më aktive kur bëhet fjalë për “masat speciale për mbështetjen e ekonomisë dhe tregjeve financiare”. Fed, Banka Qendrore Amerikane, që në muajin mars deklaronte se “do të bënte gjithçka për të mbështetur ekonominë amerikane dhe furnizimin e saj me likuiditete”: uli gati në zero normën bazë të interesit, uli maksimalisht detyrimin e bankave për të mbajtur rezerva financiare, bleu disa qindra miliardë dollarë obligacione shtetërore dhe private, akordoi shuma të konsiderueshme financiare si kredi urgjence për institucionet kredituese jo bankare, etj.
2200 miliardë dollarë u vunë në dispozicion në formën e “kredive speciale të rimëkëmbjes”, u ngrit një sistem kompleks ndihme e mbështetjeje financiare për individët, familjet dhe bizneset, për ta bërë sa më të lehtë e më të shkurtër periudhën e rimëkëmbjes, shoqëruar paralelisht me një plan mbështetjeje për sektorin shëndetësor e kërkimor shkencor. Si për korporatat e mëdha, ashtu dhe për SME, janë vënë në dispozicion paketa masive linjash kreditimi e mbështetjeje. Vetëm gjatë muajit qershor u krijuan mbi 2,5 milionë vende të reja pune.
Australia veçohet si një nga vendet që në kuadër të planit të rimëkëmbjes dhe “shërimit të plagëve ekonomike e sociale të shkaktuara nga pandemia”, ka miratuar një paketë speciale prej 259 miliardë dollarësh australianë, ose 13,3% të PBB-së vjetore të saj. Vetëm lehtësirat dhe mbështetja fiskale e bizneseve dhe individëve, zë rreth 6,9% të PBB-së. Qeveria ka marrë përsipër për një periudhë disamujore pagesën e pagave të ndërmarrjeve në vështirësi, pagesën e një pjese të kostove fikse, ndihma speciale për bizneset që eksportojnë dhe ato të turizmit.
Për shumicën dërrmuese të bizneseve, në varësi të madhësisë, humbjeve të pësuara dhe shkallës së vështirësisë për rimëkëmbje të shpejtë e të qëndrueshme, janë parashikuar “ndihma dhe kredi të garantuara”. Me qëllim nxitjen e investimeve prodhuese apo shërbimeve, është parashikuar një “plan special masash mbështetëse” që synon pagesën e një pjese të pagave, të disa zërave të kostove, të përqindjeve të interesit për kreditë, në një apo dy vitet e ardhshme.
Një program i veçantë është miratuar në kuadrin e “ndihmës për sistemin bankar”, i cili do të ketë akses në një shumë prej 90 miliardë dollarësh australianë financime me interesa fiks prej 0,25%. Kjo masë speciale pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e portofolit të kredive të bankave dhe zvogëlimin e normës së interesave për këto kredi. /Fjala.al