Partitë politike i deformojnë sistemet zgjedhore
Nga Ervis Iljazaj, 9 korrik 2020
Me të gjitha gjasat partitë e mëdha politike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk do ta ndryshojnë sistemin zgjedhor në Shqipëri. Sepse, të dy kryetarëve të saj, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës nuk ju intereson, pasi me ketë sistem kotrollojnë totalisht partitë e tyre politike dhe grupet parlamentare. Në këtë kuptim, është nje instrument komod në duart e liderit, dhe me sa duket nuk kanë ndërmend ti futen këtij debati përveçse nëse ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por, deri më tani nuk kanë dhenë asnjë shenjë për të ndryshuar sistemin.
Po ta vesh re, të vetmet diskutime që bëjnë të dyja forca politike në këto ditë janë të tipit teknik dhe jo mënyrës se si kthehen votat në mandate në Shqipëri. Sigurisht që të gjitha aspektet e menaxhimit të zgjedhjeve të financimit të partive janë aspekte të rëndësishme, por pa reformimin e sistemi zgjedhor kjo reformë nuk do të jetë e plotë.
Nga ana tjetër, grupe të ndryshme shoqëore apo edhe opinioni publik kërkon një sistem zgjedhor ndryshe, më demokratik, më të hapur dhe më konkurrent.
Duhet theksuar fortë dhe qartë se nuk ekziston një sistem zgjedhor perfekt. Cdo sistem zgjedhor ka avantazhet dhe disavantazhet e tij në varësi të funksionit që ka sistemi zgjedhor si përfaqësimi politik dhe mundësimi i një qeveri të qëndrueshme. Aq më tepër ekziston një sistem që i kthen të gjitha votat në mandate sic pretendohet shpesh në debatet publike kur flitet për sistemin zgjedhor.
Megjithatë, sistemi aktual shqiptar ka padyshim më shumë disavantazhe se sa avantazhe dhe duhet ndryshuar me patjetër.
I gjithë problemi qëndron në faktin se është krijuar ideja se ndryshimi i sistemit zgjedhor i vetëm do të përmirësojë demokracinë shqiptare. Përshembull, është krijuar ideja se një sistem me lista të hapura do ta bëjë garën më demokratike.
Në fakt nuk është absolutisht kështu. Nuk ka sistem zgjedhor që mund të shpëtojë listën e kandidatëve për deputetë nga diktati i kryetarit të partive në Shqipëri. Sepse, kjo është një cështje e demorakcisë brenda partive dhe jo e sistemit zgjedhor. Nëse mendojmë të kundërtën thjesht po biem në një iluzion, dhe mbase sistemi zgjedhor do të ndryshojë me të vërtetë, por demokracia shqiptare mund të ngelet në të njëjtat nivele.
Padyshim për partitë e mëdha politike është i përshtatshëm një sistem mazhoritar, pasi rrit shanset për të fituar zgjedhjet dhe për t’u shkëputur nga varësia e partive të vogla. Ndërsa partitë e vogla kërkojnë gjithmonë një sistem proporcional për të arritur të përfaqësohen në Parlament.
Nëse sistemi mazhoritar kryesisht avantazhon një qeveri të qëndrueshme dhe sistemin politik dypartiak dhe cenon përfaqësimin politik, e kundërta ndodh me një sistem proporcional, i cili favorizon përfaqësimin politik, por jo një qeveri të qëndrueshme.
Prandaj, vendet e ndryshme mundohen të gjejnë korrektues për njërin apo tjetrin sistem, për të eliminuar efektet radikale që ka secili prej tyre.
Mirëpo, diskutimet për efektet që kanë sistemet e ndryshme në politikën shqiptare dhe në sistemin qeverisës, shpesh lënë jashtë një indikator shumë të rëndësishëm, sjelljen e partive politike në raport me këto sisteme.
Faktet e politikës shqiptare, por edhe jashtë saj, e tregojnë më së miri këtë gjë.
Përshembull, Shqipëria ka patur sistem mazhoritar, por në të njëjtën kohë dhe një numër të madh partish politike në Parlament dhe qeveri koalicionesh. Në vitin 2008 kur u ndryshua sistemi në proporcional, numri i partive politike në Parlament u ul ndjeshëm. Më flagrant është rasti i zgjedhjeve të fundit, ku Partia Socialiste fitoi e vetme zgjedhjet me një sistem proporcional.
Po ta vësh re këto rezultate dhe ndikimin që ka patur sistemi zgjedhor në sistemin politik në Shqipëri është në kundërshti me të gjitha teoritë politike. Përse? Sepse sjellja e aktorëve politikë mund të deformojë totalisht efektet e një sistemi zgjedhor. Të gjithë e mbajmë mend fenomenin e Dushkut, ku në një zonë elektorale dolën një numur i madh deputetës për shkak të sjelljes së partive.
Mekanizmat elektoralë nuk mund të merren në analizë nëse brenda saj nuk futen dhe sjellja e aktorëve politikë.
Diskutimi për sistemet zgjedhore është më shumë kompleks se sa një formulë matematikore.
Më së tepërmi është çështje kulturore, shoqërore dhe konteksti politik. E rëndësishme është që një sistem zgjedhor të mundësojë një qeveri të qëndrueshme dhe përfaqësuese. /Gazeta Liberale