Barometri 2020/ Pse partitë politike dhe Parlamenti cilësohen si institucionet më të korruptuara nga shqiptarët
Sipas gazetës Shqip, botuar 28 qershor 2020
Një përceptim pak më ndryshe është ai i qytetarëve në lidhje me korrupsionin publik të vitit 2020.
Sipas “Barometrit” të Transparency Internacional, Partitë politike konsiderohen si institucionet më të korruptuara nga ana e qytetarëve shqiptare. Ndërkaq në institucionet me nivelin më të lartë të korrupsionit publik cilësohet edhe Parlamenti, gjithashtu në krye janë edhe doganat, tatimet apo shërbimet shëndetësore.
Në një analizë të Institutit të Studimeve Politike i bëhet një rezume e hollësishme këtij studimi dhe rreken të gjenden arsyet.
Në dekadat e para të tranzicionit kryesonin doganat, tatimet, institucionet e pronësisë, policia, etj, por dekadën e fundit kurba e institucioneve më të korruptuara ka ndryshuar rrënjësisht.
Fillimisht ishte sistemi gjyqësor institucioni më i korruptuar dhe për këtë shkak nisi reforma në drejtësi (ndryshimi i Kushtetutës 2016, vettingu, institucionet reja të drejtësisë, etj), reformë e cila ka arritur në 30%-40% të rrugës dhe me gjithë ndryshimet radikale ende nuk ka prodhuar drejtësi. Por është në rrugën e jetësimit dhe duhet pritur deri të funksionimin e plotë të saj më 2021-2023.
Prej 2-3 vitesh institucioni më shumë i korruptuar shfaqen partitë politike. Barometër 2020 për Ballkanin dhe veças ai për Shqipërinë, e konfirmoi këtë fakt.
Sipas perceptimit, partitë politike në Shqipëri 90-91% janë institucione të korruptuara dhe vetëm 9-10% mendojnë se ato nuk janë të prekura nga korrupsioni. E dhëna rezulton edhe më alarmante në krahasim rajonal, ku përqindja 90-91% për Shqipërinë është shumë më e lartë sesa perceptimi i korrupsionit për partitë në Kosovë, Bosnje, Serbi, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Pavarësisht nga kjo e dhënë alarmante, ndryshe nga reforma në drejtësi, për partitë politike nuk as reformë dhe as ndonjë strategji ndryshimi.
Korrupsionin në drejtësi mund ta kufizojë ndjeshëm vettingu, kurse për partitë nuk ka as vetting dhe as mekanizma institucionalë kontrolli.
Ligji i partive politike (2000) është de facto jo funksional dhe partitë kanë humbur funksionin përfaqësues dhe ndërmjetësues të vendimmarrjes politike, duke u bërë gjithnjë e më shumë kompani biznesi me ndikime abuzive në emërime në administratë, në vendimmarrje klienteliste, në ndikim monopol në treg, media, shoqëri, e kudo tjetër, pa një sistem të brendshëm transparente dhe llogaridhënës, me impakt absolut në destabilitetin e vendit dhe dobësimin e institucioneve kushtetuese, me personalizim e familjarizim të tyre dhe të institucioneve të dala prej tyre, si dhe me një aleancë të dukshme me oligarkinë politike-ekonomike-mediatike në Shqipëri. Partitë kërkojnë llogari për të gjithë e për gjithçka, por ju japin llogari për asgjë. Në emër të Kushtetutës ato ndikojnë tek të gjithë të tjerët, por vetë ato, asnjëherë nuk kanë përmbushur detyrimin e nenit 9 të Kushtetutës (transparenca financiare, organizimi demokratik, roli konstruktiv në sistemin politik).
Lidhur me partitë, të dhënat e Barometër 2020 për Shqipërinë, tregojnë se edhe institucioni i parlamentit ka perceptim negativ për nivelin e korrupsionit, duke qenë në të njëjtin nivel me doganat dhe me kuota më të larta negative sesa shëndetësia, policia apo zyrtarët publikë. Perceptimi se deputeti e doganieri kanë të njëjtin raport ndaj korrupsionit është gërryes për demokracinë dhe institucionin që me Kushtetutë përfaqëson sovranitetin e qytetarëve.
Të dhëna të tilla janë vetëm indice për nevojën e madhe për reformimin e partive politike, të sistemit përfaqësues (prej nga del parlamenti) dhe të standardeve të transparencës dhe llogaridhënies për secilin institucion politik. Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka adresuar në Kuvend prej vitesh dhe në mënyrë periodike rekomandime konkrete për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike dhe për zbatimin integral e të plotë të nenit 9 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe për rritjen e standardeve të transparencës dhe llogaridhënies nga Kuvendi i Shqipërisë. Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe Këshilli Politik kanë harxhuar muaj e vite energji për të gjetur formula kompromisi për detaje krejt pa rëndësi, si p.sh, si të caktohen dy anëtarë në KQZ, por ende nuk i janë kushtuar 5 minuta nevojës jetike për reformimin e legjislacionit mbi partive politike, mbi financimin elektoral, mbi raporteve midis partisë dhe shtetit në një vend demokratik. Kuvendi, sipas monitorimit periodik 2017-2020 nuk ka bërë progres thelbësor në nevojën dhe kërkesat për të jetësuar legjislacionin dhe Kodin e Etikës për konfliktin e interesit, për hetimin e abuzimeve financiare e institucioneve të deputetëve dhe as për një sistem auditimi dhe llogaridhënës publik. Përkundrazi, partitë dhe Kuvendi e kanë marrë të mirëqenë parimin e njësimit të partisë në pushtet me shtetin dhe të drejtën e partive për të imponuar në rrugë informale vendimmarrjet shtetërore, duke dobësuar ndjeshëm institucionet dhe duke krijuar idenë se politika është profesioni financiarisht më fitimprurës në vend.
Të dhëna të tilla kanë bërë lajm në media, por asnjë parti politike, në parlament apo jashtë tij, as vetë parlamenti dhe as institucionet e tjera kryesore, nuk kanë pasur as reagim, as deklarim mbi problematikën dhe as angazhim për reflektim e përmirësime ligjore e strukturore. Ky është “lajm” më i keq sesa vetë e dhëna kritike e Barometër 2020, pasi konsensusi i heshtjes dhe pranimit të korrupsionit si normalitet është mesazhi më i gabuar që i jepet shqetësimit qytetar dhe nevojës jetike të Shqipërisë për të bërë progres domethënës në drejtim të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.